“Sulmet që ndodhën në Paris, në vendin tonë ndodhin çdo dy ditë”

Emigrantët ekonomikë nga Bangladeshi, Pakistani, Irani, Maroku dhe nga vende të tjera, me pankarta ku shkruan “Na lejoni, edhe ne jemi njerëz” … kërkojnë leje për hyrje në territorin e Maqedonisë

refugjat-456667229808Edhe pse nuk lejohet hyrja e emigrantëve ekonomikë, gjendja e sigurisë në kufirin jugor të Republikës së Maqedonisë është e qetë. Sipas policisë kufitare, rreth 700 persona ndodhen në anën greke dhe nuk lejohet hyrja e tyre në territorin e Maqedonisë.

Emigrantët ekonomikë nga Bangladeshi, Pakistani, Irani, Maroku dhe nga vende të tjera, me brohoritje dhe pankarta me mbishkrimin: “Na lejoni, edhe ne jemi njerëz”, “Liri për Bangladeshin”… kërkojnë leje për hyrje në territorin e Maqedonisë.

Said-i nga Pakistani duke u ankuar se tashmë disa ditë ndodhet në vendkalimin kufitar greko-maqedonas, komentoi edhe sulmet terroriste në Paris, duke iu referuar situatës aktuale në vendin e tij. Ai shtoi shtoi se ajo që ndodhi në Paris, në Pakistan ndodh çdo të dytën ditë.

“Dëgjuam për sulmet në Paris dhe kjo nuk është e mirë, sepse çdo kush bisedon për sulmet në Paris, ndërsa në Pakistan sulme të tilla ndodhin çdo dy ditë. Ne a nuk jemi njerëz. Ata që organizuan sulmet duhet të kapen, pse duhet të jemi ne përgjegjës për ato sulme. Flitet se Pakistani është i sigurt, por nuk është i sigurt. Atje sulmohet ushtria, shkollat, spitalet, xhamitë, lokalet dhe gjithçka tjetër”, u shpreh Said-i.

Në afërsi të Said-it i revoltuar ishte edhe një emigrant nga Bangladeshi, i cili theksoi se nuk ka frikë nga paragjykimet që ka Evropa për refugjatët e Lindjes së Mesme dhe Afrikës Veriore, pasi siç tha ai, prapa nuk mund të kthehet.

“Terroristi në çdo vend është terrorist. Unë nuk kam frikë dhe mendoj se Evropa do të më pranojë, sepse në Bangladesh kemi probleme politike. Prej pesë ditësh jemi këtu. Ju lutemi na ndihmoni, prapa nuk mund të kthehemi, sepse nëse kthehem do të më vrasin”, deklaroi emigranti nga Bangladeshi.

Njëjtë edhe qendra e pritjes në Gjevgjeli është përplotë me refugjatë të cilët të ndarë në grupe vazhdonin drejt kufirit verior të vendit, ndërkohë që vazhdimisht hyjnë refugjatë të rinj.

Tanja Antiq nga Kryqi i Kuq i Maqedonisë bëri të ditur se në 24 orët e fundit 4.700 refugjatë janë futur në territorin e Maqedonisë, ndërsa mijëra të tjerë janë në pritje për regjistrim dhe qëndrojnë ulur në vendkalimin kufitar ndërmjet Greqisë dhe Maqedonisë.

“Për arsye se jemi zonë tranzitore, kemi kapacitet të mjaftueshëm për t’u marrë me këtë numër të madh të refugjatëve. Trenat arrijnë sipas nevojës, ndërsa ka dhe autobusë e taksi. Mirëpo, tashmë situata po përkeqësohet, pasi për shkak të ndryshimeve klimatike kemi edhe ftohje”, shpjegoi Antiq./AA/

Shekulli Agency