SHBA dëshiron që Ballkani Perëndimor të ketë perspektivë evropiane

Përfaqësuesi i posaçëm i sekretarit shtetëror të SHBA-ve për Ballkanin Perëndimor, Matthew Palmer, në Beograd ka deklaruar se SHBA dëshiron që Ballkani Perëndimor të ketë perspektivë evropiane dhe se do të bëjë gjithçka që Bashkimi Evropian (BE) të ndryshojë qëndrim për anëtarësimin evropian të Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë, duke vlerësuar se është “gabim historik dhe porosi e keqe për mbarë rajonin” që BE të mos caktojë datë për fillim të bisedimeve për anëtarësim për këto dy shtete, raporton AA.

Pas takimit me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiç, Palmer tha se kanë biseduar për situatën në rajon dhe se kjo bisedë është shumë e rëndësishme veçanërisht “pas dështimit të BE-së për të gjetur një kompromis për Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë”.

“Sipas mendimit tonë, ky ishte një gabim historik dhe porosi e keqe për mbarë rajonin”, tha Palmer në presidencën serbe në Beograd.

Palmer gjithashtu tha se SHBA dëshiron që Ballkani Perëndimor të ketë perspektivë evropiane.

“Ne do të bëjmë gjithçka që BE të ndryshojë qëndrim para takimit të liderëve në Zagreb”, tha Palmer.

Palmer ka folur edhe për rezultatet e zgjedhjeve në Kosovë, duke thënë se Lista Serbe ka fituar mbështetjen e shumicës së serbëve të Kosovës dhe se me këtë ka fituar të drejtën që të përfaqësohet në Qeverinë e Kosovës.

“Mendoj se në Kosovë ka hapësirë që të dëgjohen zëra të ndryshëm, por është e rëndësishme që të respektohet rezultati i zgjedhjeve”, tha Palmer.

Palmer ka theksuar se gjatë bisedimeve me politikanët kosovarë, duke përfshirë edhe kandidatin për kryeministër Albin Kurti, është theksuar rëndësia që serbët në Kosovë të kenë mundësi që të deklarohen përmes procesit politik.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, tha se me përfaqësuesin amerikan kanë biseduar “në mënyrë të hapur dhe të sinqertë” dhe se është i kënaqur me përmbajtjen e këtyre bisedimeve, pasi në to janë diskutuar të gjitha çështjet kontestuese dhe dallimet që ekzistojnë.

“Mendoj se shumë gjëra i kemi qartësuar dhe besoj se së shpejti rreth çështjes së Kosovës do të mundësohen kushte për vazhdimin e bisedimeve, kur them së shpejti mendoj në 2-3 muajt e ardhshëm dhe dëshirojmë që këto bisedime të jenë serioze, të përgjegjshme dhe të sjellin zgjidhje kompromisi”, tha Vuçiç.

Ai edhe një herë i ka bërë thirrje presidentit amerikan Donald Trump që të vizitojë Serbinë, duke shprehur bindjen se kjo do të ishte një shtysë shumë e fuqishme në zhvillimin e marrëdhënieve mes dy shteteve dhe se Trump më së miri do të mund të vlerësonte situatën si në Serbi, ashtu edhe në rajon.

Shekulli Agency