Refugjatët Rohingya në Bangladesh shënojnë 7-vjetorin e “Ditës së Gjenocidit”

Refugjatët Rohingya të bllokuar në kampet në jug të Bangladeshit shënuan sot përvjetorin e shtatë të “Ditës së Gjenocidit kundër Rohingyave”, raporton Anadolu.

Përkujtimi u zhvillua ndërsa refugjatët e rinj, që po ikin nga dhuna e përshkallëzuar në Mianmar, vazhdojnë të mbërrijnë në kufi.

Shtatë vjet më parë, shumica e komunitetit Rohingya u detyrua të largohej nga shteti Rakhine i Mianmarit, një akt i njohur si gjenocid nga OKB-ja dhe organizata të tjera ndërkombëtare.

Sipas të dhënave të Ministrisë së Jashtme, Bangladeshi aktualisht strehon mbi 1,3 milion Rohingya në Cox’s Bazar dhe ishullin Bhasan Char, pa pasur riatdhesim, pavarësisht përpjekjeve të mëparshme për të nisur procesin.

Pavarësisht shiut të madh, të paktën 10.000 refugjatë Rohingya u mblodhën në mëngjes në fushën e Camp-4 në Ukhia, rrethi Cox’s Bazar, për të përkujtuar “Ditën e Gjenocidit kundër Rohingyave” me slogane si “Duam të kthehemi në atdheun tonë” dhe “Siguroni të drejtat për Rohingyat”.

Mohammad Alam, një udhëheqës i komunitetit Rohingya në Bangladesh, iu drejtua turmës përpara se të printe në namazin e sabahut.

Ai bëri thirrje për “të drejta të duhura” dhe “riatdhesim të sigurt”, duke theksuar nevojën për të jetuar një jetë dinjitoze me akses në arsim dhe mundësi punësimi. Mijëra të pranishëm përkrahën kërkesat e tij.

Mes të pranishmëve ishte edhe Mohammad Nur, 25 vjeç, i cili mbërriti në kampin e Bangladeshit në fund të gushtit 2017. Ai humbi dy vëllezër gjatë kalimit të kufirit. “Kur mbërrita këtu, isha 18 vjeç dhe shpresoja për një të ardhme më të mirë. Por tani e gjej veten bosh dhe pa asnjë punë”, tha Nur për Anadolu.

“Ne duam punë. Duam të jetojmë me dinjitet këtu sepse besojmë se riatdhesimi i sigurt është i pamundur në kushtet aktuale në Mianmar”, tha ai.

Dhuna e fundit në shtetin Rakhine, që përfshin përleshjet midis Ushtrisë së Arakanit dhe forcave të armatosura të Mianmarit, ka detyruar të paktën 2.000 refugjatë të rinj të kalojnë në Bangladesh, zbuloi Anadolu gjatë një vizite në kampe.

“Ne jemi të vetëdijshëm për ardhjet e reja”, tha për Anadolu Komisioneri i Refugjatëve, Ndihmës dhe Riatdhesimit i Bangladeshit, Mizanur Rahman. “Nuk e dimë ende numrin e saktë që ka hyrë”, shtoi ai.

Rahman siguroi se qeveria e re e përkohshme do të vazhdojë të ofrojë ndihmë humanitare për refugjatët Rohingya. “Ne mbetemi të përgatitur për riatdhesimin e tyre të sigurt dhe vullnetar”, tha zyrtari.

Shekulli Agency