REALIZMI SOCIALIST QË PO KTHEHET NË MIT

Nga: Xhafer Sadiku

Ismail Kadare dhe Dritero Agolli janë, pa asnjë dyshim, figurat më të njohura të letërsisë së realizmit socialist. Si të tillë, doemos, kanë ndikuar në indoktrinimin e shumicës së popullit me ideologjinë komuniste të luftës së klasave. Një pjesë e krijimtarisë së tyre e ka përçarë popullin më shumë se vet partia, antarë te së cilës ishin. Është e tepërt të themi se disa pjesë të veprave të tyre kanë lënduar shumë njerëz të pafajshëm.

Duke qenë zbatues të luftës së klasave në krijimtarinë letrare, ata kanë përkrahës dhe kundërshtarë. Kështu, ndërsa të majtët, për arsye politike, u thurin lavde pafund dhe i mbajnë, njërin për patriark dhe tjetrin për gjeni të letërsisë, ata që e kanë pësuar nga lufta e klasave dhe që e njohin më mirë letërsinë se të parët, nuk kanë të njëjtin vlerësim. Ka prej tyre kundërshtarë të ashpër, të tjerë më të matur në vlerësime e kritika, madje ka edhe të tjerë që përdorin standarte të dyfishta. Këta të fundit, ndërsa Driteroin e godasin, Kadarenë e quajnë njëlloj si të majtët: gjeni.

Mesa duket, kjo ndodh jo për shkak të vlerave letrare, por të qëndrimit të autorëve ndaj zhvillimeve politike në vend. Po të bëhet një krahasim midis tyre, Kadare e ndryshon qëndrimin sipas kohës dhe rrethanave, ndërsa Agolli ishte më konservator. Kritizer i vijës së ashpër të Partisë së Punës, ai ruajti profilin e tij, duke ua lënë të hapur të djathtëve krahun e tyre politik. Duhet theksuar gjithashtu se ai nuk i ka denigruar publikisht autorët e brezit para tij, të demonizuar nga propaganda e regjimit.

Pas ndryshimeve politike në vend, Kadare u tregua kritizer ndaj regjimit të cilit i shërbeu, madje dishepujt e tij kanë botuar libra për ta nxjerrë sikur të ishte përpunuar nga Sigurimi i Shtetit. Po ashtu, ai rishkroi disa nga veprat e tij, ndërsa Agolli as që tenoi ti rishkruante. Kadare arriti deri atje sa të kërkonte konvertimin fetar të shumicës së popullit, ndërsa Agolli ruajti profilin e një laiku.

Më shumë se ata vet, janë dishepujt e tyre që u japin vlera që nuk i kanë dhe qëndrime politike që as nuk i kanë menduar. Janë ata, që për pushtet, po shfrytëzojnë emrat e tyre, për të kthyer autorët e realizmit socialist në mite. Per te na thene se ata ishin produkt i kohes se komunizmit. Në këtë mënyrë, ata synojnë të pengojnë vlerësimin e poetëve të vjetër e të rinj, që nuk i përkasin rrymës së realizmit socialist.

Për të mos u zgjatur, pavarësisht nga qëndrimet tona, duhet theksuar se ajo që mbetet nga autorët është vepra. Dhe është koha ajo që i ruan, i rivlerëson apo i harron ato. Natyrisht, kur kete e ben lexuesi dhe jo regjimi politik i radhes.

Shekulli Agency