Prokuroria kërkon rigjykimin e Fatmir Limajt për krime lufte

limajNëse Gjykata e Apelit aprovon ankesën e Prokurorisë, Fatmir Limaj do të dalë për herë të tretë para drejtësisë si i akuzuar për krime lufte në rastin “Kleçka”.

Prokuroria e Apelit ka kërkuar të anulohet aktgjykimi i shkallës së parë që Limajn dhe nëntë të tjerë i kishte shpallur të pafajshëm, ose që ta kthejë lëndën për rigjykim dhe të akuzuarit të shpallen fajtorë dhe të dënohen, shkruan sot Koha Ditore.

Ankesa e Prokurorisë do të shqyrtohet më 1 dhe 2 dhjetor. Gjykata e Apelit ka caktuar vetëm dy seanca muajin tjetër.

Limaj akuzohet për krime lufte kundër popullatës civile dhe krime lufte kundër robërve të luftës. Mes tjerash akuzohet se ka urdhëruar vrasjen e dy serbëve. Vrasjen e tyre pretendohet se e kishte kryer Agim Zogaj i njohur si dëshmitari “X”. Zogaj e ka ngarkuar deputetin Limaj me barrë të rëndë të krimeve të luftës. Pak para nisjes së gjykimit, Zogaj është gjetur i varur në një park në Gjermani, ku ishte dërguar nga EULEX-i si dëshmitar i mbrojtur.

Pos dëshmive ka lënë edhe një ditar që bashkë me deklaratat e dhëna në fazën e hetimeve janë shpallur si prova të pranueshme nga Gjykata Supreme e Kosovës.

Shekulli Agency