Përdorimi i drogës në mesin e të rinjve në Maqedoni është në një situatë alarmante

3

Përdorimi i drogës në mesin e të rinjve në Republikën e Maqedonisë është një problem i dukshëm dhe i cili kërkon një qasje serioze dhe një kundërveprim të shpejtë, si profesionistët në këtë fushë, ashtu edhe vendimmarrësit në krijimin e ndryshimeve në sistemin e shëndetësisë dhe mbrojtjes sociale.

Nga Shoqata Joqeveritare HOPS (Opsione për Jetë të Shëndetshme – Shkup) në një prononcim për Anadolu Agency (AA) shprehen se e rëndësishme për zgjidhjen e kësaj çështjeje është që Ministria e Shëndetësisë dhe Ministria e Punës dhe Politikës Sociale bashkërisht të angazhohen në hapjen e programeve për trajtimin dhe kujdesin e të rinjve të cilët përdorin drogë, pasi që këto programe momentalisht nuk ekzistojnë në Republikën e Maqedonisë.

“Përvoja jonë në terren tregon se situata me përdorimin e drogës nga të rinjtë është tepër shqetësuese, numri i personave që përdorin drogë është gjithnjë në rritje, ndërsa kufiri i moshës së përdoruesve gjithnjë është në rënie”, thotë për AA Voskre Naumoska-Ilieva, përfaqësuese nga Shoqata Joqeveritare HOPS, shoqatë e cila punon në promovimin e respektit dhe përmirësimin e gjendjes socio-ekonomike të njerëzve, veçanërisht për përdoruesit e drogës, punëtorët e seksit dhe shoqëritë tjera të margjinalizuara.

Voskre Naumoska-Ilieva është e angazhuar me monitorimin e përdoruesve të drogës në mesin e të rinjve dhe me zbatimin e programeve të ndryshme për të zvogëluar dëmin e shkaktuar nga përdorimi i drogës. Ajo thekson se nga hulumtimet e saj në terren, një nga problemet më të mëdha në ditën e sotme është përdorimi i drogës, veçanërisht në mesin e të rinjve.

“Të dhënat që kemi janë të pjesshme, disa prej tyre mund të them se tashmë janë vjetruar dhe nuk mjaftojnë për të treguar një përfytyrim. HOPS në kuadër të aktiviteteve të saj deri në muajin maj të këtij viti ka kontaktuar 76 fëmijë që përdorin drogë. Pra, bëhet fjalë për fëmijët nga mosha pesë vjeçare deri në moshën 17 vjeçare. Fëmijët më të vegjël që kemi kontaktuar janë një djalë tetë vjeçar me injektimin të heroinës dhe një fëmijë tre vjeçar që ka thithur ngjitës. Nga të gjithë këto fëmijë që kemi kontaktuar katër kanë vdekur, njëri prej të cilëve vdiq këtë vit”, deklaron Naumoska-Ilieva.

– Përdorimi i drogës tek të rinjtë është më tepër e pranishme, por më shqetësuese është fakti se kufiri i moshës së përdoruesve gjithnjë është në rënie –

Naumoska-Ilieva në vijim shpjegon se hulumtimet e kryera mbi përdorimin e drogës tregojnë se droga më tepër përdoret nga të rinjtë dhe se kjo tregon që situata në këtë drejtim është alarmante. Ajo nënvizon se sipas një hulumtimi të vitit 2012 në territorin e qytetit të Shkupit, në Ministrinë e Punës dhe Politikës Sociale janë regjistruar 20 fëmijë që përdorin drogë, prej të cilëve 14 përdorin heroinë. Në të njëjtin vit, vijon më tej Naumoska-Ilieva, Instituti për kujdesin dhe edukimin e fëmijëve dhe të rinjve “Ranka Milanoviç”, në Shkup ka evidentuar 15 fëmijë që përdorin drogë, nga të cilët shtatë heroinë, ndërkohë që në Tetovë janë regjistruar shtatë fëmijë, prej të cilëve tre ishin përdorues të heroinës.

Naumoska-Ilieva shprehet se përdorimi i drogës në mesin e të rinjve është më tepër e pranishme, por më tepër e shqetëson fakti se kufiri i moshës së përdoruesve të drogës është gjithnjë në rënie. Ajo bazohet në hulumtimet nga Projekti evropian i studimit në shkolla mbi alkoolin dhe drogat tjera “ESPAD”, hulumtime të kryera mbi nxënësit e shkollave të mesme të moshës 16 vjeçare.

“Të dhënat e fundit janë nga viti 2012 dhe ato tregojnë nga 1146 të intervistuar 8.7 për qind përdorin marihuanë, 3.75 për qind janë përdorues të ekstazës, 2.18 për qind thithin drogë, ndërsa 0.6 për qind e të përdoruesve kishin provuar heroinë. Për fat të keq, për arsye të mungesës së një sistemi për monitorimin e kësaj situate ne nuk mundemi të bëjmë një krahasim, por ajo që tregon përvoja jonë nga terreni është se jemi në një situatë shqetësuese, numri i përdoruesve të drogës është në rritje dhe kufiri i moshës së përdoruesve është në rënie”, deklaron Naumoska-Ilieva.

– Të rinjtë duhet të informohen dhe edukohen mbi rreziqet nga përdorimi i drogës –

Ajo thotë se përdorimi i drogave është një problem global, por ajo çfarë duhet të veprojë shoqëria dhe institucionet relevante është që në raste të tilla të reagojnë në kohë të duhur, duke informuar dhe edukuar të rinjtë për rreziqet që i presin nga përdorimi i drogës. Naumoska-Ilieva konsideron se vonesa në zbulimin e rasteve të përdorimit të drogës dhe parandalimit të parakohshëm të tyre të çon në një labirint nga i cili është e vështirë për të gjetur një zgjidhje.

“Sigurisht për arsye të vonesës për t’iu përgjigjur këtyre çështjeve na sjell deri në këtë situatë. Fëmijët që përdorin drogë, ata me të cilët kemi ra në kontakt, disa prej tyre janë fëmijë të rrugës, të cilët çdo ditë i shohim në qendër të qytetit duke thithur drogë. Këtë gjendje rrugëve ne e shohim që dhjetë vite dhe institucionet nuk kanë marrë asnjë hap për këtë çështje, kështu që ka ardhur situata deri aty ku fëmijët që më herët përdornin droga më të lehta, sot përdorin heroinë”, shpjegon Naumoska-Ilieva, duke theksuar se mos mundësimi i një programi për të trajtuar këta fëmijë e ka përkeqësuar situatën dhe këta droga kanë marrë jetën e katër fëmijëve, për të cilët Naumoska-Ilieva thotë se ky është numri i evidentuar, ndërsa numri i vërtetë ndoshta mund të jetë edhe më i madh.

Shoqata Joqeveritare HOPS në periudhën prej vitit 2009 deri në vitin 2011 ka bashkëpunuar me Ministrinë e Arsimit me programe parandaluese që duhet të zbatohen në shkolla të mesme, por siç thotë Naumoska-Ilieva, këto programe kanë hyrë në manualin e famshëm “Zhvillimi i aftësive të shëndetit dhe jetesës” , ndërsa shton se ata nuk kanë asnjë pasqyrë sa droga si temë është duke u punuar në mësimdhënie në shkollat e mesme.

Naunmoska-Ilieva duke theksuar se në vitin 2012 Ministria e Shëndetësisë formoi një grup punues, i cili është dashur të krijojë një protokoll për trajtimin e fëmijëve që përdorin drogë, shton se: “Për fat të keq, sot jemi në vitin 2015 dhe ende nuk kemi asnjë program për trajtimin e këtyre fëmijëve. Kjo do të thotë se institucionet relevante kanë dështuar në këtë çështje, sepse është pak e çuditshme të pritet tre vite duke krijuar një protokoll kur shohim situatën reale në terren”.

Më tepër droga përdoret nga të rinjtë, zakonisht nga kureshtja të cilët nën ndikimin e kolegëve të tyre fillojnë të eksperimentojnë me drogat, duke mos ditur se çfarë rreziqesh pasojnë më pas. Poashtu, droga në një masë të madhe ndikon në cilësinë e jetës. Ajo më tepër përdoret nga persona kryesisht të papunë, persona me akses të kufizuar në kujdesin shëndetësor, por edhe fëmijët që jetojnë në marrëdhënie jo të mira familjare, e cila është një nga rreziqet më të mëdha që sjellin deri në përdorimin e drogës dhe sjellje tjera të rrezikshme.(AA)

Shekulli Agency

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike.