Operacioni në Laç, Sarandë, Tiranë e Shkodër/ Sekuestrohen 19 makina luksoze të vjedhura

range-674433Policia e Shkodrës ka sekuestruar 19 automjete luksoze si Range Rover, BMW X5 – X6, Audi A6 – A8  e Benz Mercedes, prodhime të viteve të fundit. Mësohet se në kuadër të operacionit të koduar “Lux” dhe në bashkëpunim me komisariatet e tjera në qytete të ndryshme të vendit, janë arrestuar edhe 11 persona shtetas shqiptarë, si organizatorë dhe bashkëpunues në këtë trafik ndërkombëtar të mjeteve të vjedhura.

Blutë e Shkodrës bëjnë me dije se automjetet e sekuestruara janë vjedhur në vendet e rajonit e më gjerë, si Mali i Zi, Bosnjë, Kroaci, Itali e Francë dhe kanë hyrë në Shqipëri me numra shasie të ndryshuara, nëpërmjet Pikës së Kalimit Kufitare  te Hanit Hotit. Më pas automjetet, pasi bënin zhdoganimin arrinin të pajiseshin me targa të rregullta.

Automjetet në fjalë janë bllokuar në qytete të ndryshme si Sarandë, Tiranë, Laç e Shkodër. Drejtues të policisë dhe të Prokurorisë kanë dhënë detaje në lidhje me operacionin.  Ndërkohë, sipas Prokurorisë hetimet kishin nisur që në muajin shkurt të këtij viti pas informacioneve që kishte marrë Policia e Shkodrës. Sipas prokurorit të çështjes hetimet vazhdojnë duke bashkëpunuar edhe me vendet e rajonit.

Shekulli Agency