Lëvizja BESA: Po shkatërrohet arsimi shqip në Butel

besaBanorët shqiptarë të Komunës së Butelit, edhe pse zyrtarisht përbëjnë 25,19 % nga numri i përgjithshëm i banorëve të kësaj komune dhe rrjedhimisht dhe gjuha shqipe është gjuhë zyrtare në këtë komunë, prapëseprapë diskriminimi që u bëhet banorëve shqiptarë të kësaj komune vërehet në të gjitha sferat e jetës.

Kështu, në Shkollën Fillore “Panajot Ginovski”, edhe pse nxënësit shqiptarë përbëjnë shumicën e nxënësve, gjithë kuadri udhëheqës dhe shërbimi pedagogjiko-psikologjik aty janë të nacionalitetit maqedonas, ndërsa në Shkollën Fillore “Zhivko Brajkovski”, ku nga 731 nxënës, 479 janë shqiptarë, paralelet shqipe janë me nga 34 e më shumë nxënës, për dallim prej atyre maqedonase që janë me nga 9 deri 19 nxënës, alarmojnë nga Lëvizja BESA.

Problem i madh, theksohet në komunikatën e Lëvizjes BESA, vërehet edhe në Shkollën Fillore “Liman Kaba“, që ndodhet në fshatin Luboten. “Atje, përveç kushteve të mjerueshme për mësim, mungon edhe salla e sportit, andaj fshatarët janë angazhuar që vetë të mbledhin para që ta blejnë një truall, me shpresë që aty të ngrenë në sallë sporti. Thuajse ne jemi popull privat në Maqedoni”, thuhet në komunikatë, ku shtohet se problem arsimi kanë edhe nxënësit shqiptarë të Vizbegut, që janë të detyruar të udhëtojnë disa kilometra deri në SHF “26 Korriku” të Shutkës.

“Të gjendur në këtë situatë, kur në një shkollë fare nuk përfillemi, në një shkollë na detyrojnë të mësojmë edhe në mënyrë joligjore, në një shkollë nuk kemi kushte pune, ndërsa diku nuk kemi fare shkollë, nuk mund të mos reagojmë dhe të pyesim se çfarë është duke bërë ministri Arsimit dhe Shkencës, që është i partisë shqipfolëse në pushtet, dhe çfarë bëjnë këshilltarët shqiptarë të Komunës së Butelit. Po i regjistrojmë këto probleme dhe po ua rikujtojmë banorëve të Butelit që ta kenë parasysh se kë e votojnë për t’i përfaqësuar. Këtë gabim nuk guxojmë ta përsërisim më”, thuhet në komunikatën e Lëvizjes BESA.

Shekulli Agency