Kurti përsërit kërkesën për hapjen e arkivave nga Serbia për të zhdukurit e luftës

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka përsëritur kërkesën e shtetit kosovar për hapjen e arkivave në Serbi, zbardhjes së fatit të personave të zhdukur me dhunë gjatë luftës së fundit në Kosovë, raporton Anadolu.

Këtë kërkesë Kurti e theksoi në një tryezë dedikuar personave të zhdukur me dhunë gjatë luftës, të organizuar nga Këshilli Koordinues i Asociacioneve Familjare të të Zhdukurve në Kosovë, në bashkëpunim me Zyrën e Kryeministrit, Komisionin Qeveritar për Persona të Zhdukur, me rastin e 30 Gushtit – Ditës ndërkombëtare të personave të zhdukur me dhunë gjatë luftës.

Ai tha se strategjia e Serbisë për fshehjen e gjenocidit në Kosovë “nuk ka kufomë, nuk ka krim”, po vijon edhe sot. “Nuk ka kufomë, nuk ka krim, ishte strategjia e shtetit të Serbisë për fshehjen e krimeve të kryera mbi shqiptarët në Kosovë. Kjo strategji vazhdon të zbatohet edhe sot nga trashëgimtarë politikë të Millosheviqit në Beograd”, theksoi Kurti.

Sipas tij, këtë javë, pas shumë përpjekjeve dhe angazhimeve nga Komisioni Qeveritar kanë filluar përgatitjet për gërmimet në lokacionin në Kozhle, në mes të Novi Pazarit dhe Tutinit në Serbi. Kurti tha se shpresojnë që kjo nuk është një përpjekje e re nga shteti serb për të evituar nga agjenda e gërmimeve, lokacionet e tjera të shënjuara nëpër Serbi.

“Deri më tani shteti serb nuk ka ndarë të dhënat nga arkivat e tyre për këtë lokacion. Andaj, ne edhe sot e përsërisim kërkesën tonë për hapjen e arkivave në Serbi. Në bazë të marrëveshjes së arritur më 2 maj të vitit 2023 në Bruksel, tashmë kemi dërguar disa kërkesa zyrtare për hapjen e arkivit të Brigadës 37 të motorizuar të ushtrisë jugosllave, përgjegjëse për shumë masakra në Kosovë, sidomos në rajonin e Drenicës”, theksoi Kurti.

Ai ritheksoi zotimin e Qeverisë së Kosovës për të mos rreshtur së kërkuari drejtësi për krime të luftës dhe të vërtetën për 1.595 persona që ende janë të zhdukur me dhunë gjatë luftës së fundit.

Shekulli Agency