Komiteti i Përhershëm Kanadez për Drejtësinë dhe të Drejtat e Njeriut tha se janë raportuar mbi 1.000 incidente të islamofobisë dhe krime të urrejtjes kundër palestinezëve në vend midis 7 tetorit 2023 dhe mars 2024, transmeton Anadolu.
Në raportin e titulluar “Islamofobia po rritet: Përballja me urrejtjen dhe mbrojtja e lirive civile së bashku” të publikuar nga komiteti, u diskutua për islamofobinë dhe incidentet e urrejtjes kundër palestinezëve në vend pas 7 tetorit 2023.
Sipas raportit, islamofobia dhe krimet e urrejtjes kundër palestinezëve u rritën 13-fish në tremujorin e fundit të vitit 2023 pasi Izraeli nisi sulmet e tij në Rripin e Gazës më 7 tetor 2023.
Në periudhën nga 7 tetori deri në mars 2024 janë raportuar mbi 1.000 raste të këtyre krimeve. Këto raste përfshinin krime të tilla si ngacmim, vandalizëm, shpifje, zbulim të informacionit personal, frikësim dhe dhunë.
– Islamofobia dhe racizmi kundër palestinezëve po rriten në “nivele alarmante”
Që nga 7 tetori 2023, ka patur rritje alarmante të islamofobisë dhe racizmit kundër palestinezëve. Derisa këto ngjarje ndodhën edhe në kampuset universitare, studentët pro-palestinezë iu nënshtruan sulmeve verbale dhe fizike.
Komiteti deklaroi se duhet të forcohen njësitë që merren me krimet e urrejtjes, të rriten fondet e sigurisë që ndahen për xhamitë në vend dhe të ndërhyhet më shpejt në incidentet e urrejtjes.
Komiteti rekomandoi rregulla më të rrepta për kompanitë e mediave sociale për të siguruar që ato të përmbushin detyrimet e tyre të transparencës për të luftuar urrejtjen në internet.