Ja padrejtësitë e BE-së në liberalizimin e vizave për kosovarët

flamuri-eu-5644-hgujZyra e BE-së në Kosovë dhe zyrtarët e Komisionit Evropian në Bruksel gjithnjë kanë thënë se procesi i liberalizimit të vizave është një proces teknik i zhvilluar mbi premisat e të qenit strikt, por fer. Megjithatë, në rastin e Kosovës këto parime janë shkelur shumë herë prej vetë atyre.

Komisioni Evropian është treguar shumë strikt, duke dyfishuar numrin e kritereve për Kosovën, nga 45 sa kishin vendet tjera, në 95 kritere dhe shumë rekomandime të tjera të cilat ishin shtuar gjatë këtij procesi. Madje, Kosovës i ishin vendosur kritere të cilat i tejkalojnë edhe standardet e shumë shteteve anëtare të BE-së dhe metodologjia e përdorur në rastin e Kosovës ishte selektive dhe shumë më ndryshe prej metodologjisë që BE-ja kishte përdorur me shtetet e tjera të Ballkanit Perëndimor.

Republika.info sjellë krahasimet që dëshmojnë standardet e dyfishta të Bashkimit Evropian për shtetet e Ballkanit Perëndimor dhe disa prej kritereve që kanë qenë specifike vetëm për Kosovën.

Kriteret specifike për Kosovën:

1. Miratimi i Ligjit për Riatdhesim (nuk kishin mjaftuar vetëm marrëveshjet, sikurse për vendet e tjera, por ishte kërkuar edhe ligji).

2. Miratimi i Ligjit për IBM (as vetë shtetet e BE-së nuk kanë ligj të veçantë për IBM).

3. Miratimi i Ligjit për Luftimin e Trafikimit me qenie njerëzore.

4. Demarkacioni i kufirit me Malin e Zi (kriter vetëm për Kosovën, por nuk ishte kriter edhe për Malin e Zi).

Komisioni Evropian ka qenë shumë strikt për Kosovën, por në asnjë rrethanë nuk ka qenë fer dhe Kosova nuk është vlerësuar mbi bazë të meritave. Metodologjia e përdorur në vlerësimin e Kosovës ka qenë e destinuar të shkaktojë vonesa në proces dhe në vlerësimet e bëra, Komisioni Evropian gjithnjë ka përdorur gjuhë me plot dykuptimësi. Vlerësimet janë bërë mbi bazën e perceptimit dhe jo të mbështetura me indikatorë matës dhe komunikimi nuk ka qenë konsistent, transmeton Republika.info.

Në këto katër vite të dialogut të Kosovës për liberalizimin e vizave, Komisioni Evropian kishte ndërmarrë vetëm tre misione vlerësuese dhe ka publikuar tre raporte, përfshirë raportin e djeshëm. Kurse, në rastet e vendeve tjera ka pasur dyfish më shumë misione vlerësuese dhe raporte të publikuara. Dhe përveç se ka pasur më shumë kritere për Kosovën, edhe tash në përmbyllje të procesit, Komisioni Evropian ka dalluar shumë në raport me Kosovën.

Liberalizmi i vizave për shtetet e Ballkanit Perëndimor

Komisioni Evropian ka iniciuar dialogun e procesit të liberalizimit të vizave për vendet e rajonit qysh në vitin 2008. Më saktësisht për Serbinë, më 30 janar 2008. Për Maqedoninë, më 20 shkurt 2008. Për Malin e Zi, më 21 shkurt 2008. Për Shqipërinë, më 3 mars 2008 dhe për Bosnje e Hercegovinën më 26 maj 2009.
Në qershor të vitit 2009, Komisioni Evropian kishte publikuar raporte vlerësuese me qëllim të vlerësimit të përmbushjes së kritereve të udhërrëfyesit nga ana e shteteve përkatëse. Në këto raporte për shtetet e Ballkanit Perëndimor, sa i përket përmbushjes së kritereve të parapara në kuadër të procesit të liberalizimit të vizave theksohej:

– Maqedonia ka përmbushur të gjitha kriteret e udhërrëfyesit për liberalizim të vizave;

– Mali i Zi dhe Serbia kanë shënuar progres të rëndësishëm në përmbushjen e kritereve, mirëpo një numër i çështjeve kanë mbetur të hapura;

– Shqipëria dhe Bosnje e Hercegovina edhe pse kanë arritur progres, kanë akoma një numër të kritereve të pa adresuara.
Bazuar në këto raporte, përkundër mospërmbushjes së kritereve, Këshilli Evropian e kishte miratuar propozimin për heqjen e regjimit të vizave për Maqedoninë, e cila konsiderohej se ka përmbushur të gjitha kriteret dhe për Serbinë dhe Malin e Zi të cilat akoma kishin disa kritere të pa përmbushura, transmeton Republika.info.

Në rastin e Malit të Zi, zbatimi efektiv i Ligjit për të Huajt, definimi i një zgjidhjeje të qëndrueshme lidhur me statusin e personave të zhvendosur dhe personave të zhvendosur brenda vendit (duke përfshirë qasjen në dokumentet e identitetit) dhe forcimi i kapaciteteve në fushën e zbatimit të ligjit dhe zbatimin efektiv të kornizës ligjore në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit (duke përfshirë edhe alokimin e nevojshëm buxhetor, burimet njerëzore dhe ato teknike) – kishin mbetur si çështje të hapura.

Në anën tjetër, edhe në rastin e Serbisë, Komisioni Evropian kishte identifikuar një sërë kriteresh të pa përmbushura/çështje të hapura, si në vijim:

– Përmirësimi i mbikëqyrjes së pikave kufitare, duke përfshirë shkëmbimin e informacionit me Policinë e Kosovës dhe EULEX-in;

– Zbatimi efektiv i Ligjit për të Huajt dhe miratimin e Strategjisë për Menaxhim të Migrimit;

– Zbatimi efektiv i kornizës ligjore për luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, duke përfshirë alokimin e nevojshëm buxhetor, burimet njerëzore dhe ato teknike;

– Integriteti dhe siguria e procedurave që duhet ndjekur në lëshimin e pasaportave biometrike për personat që banojnë në Kosovë.

Në këto raste, edhe pse Komisioni Evropian në raport kishte vlerësuar se Serbia dhe Mali i Zi kishin kritere të pa përmbushura, ai kishte vendosur të vazhdojë të vlerësojë zbatimin e kritereve të hapura për Serbinë dhe Malin e Zi paralelisht me shqyrtimin e propozimit të tij (për heqjen e regjimit të vizave) në Parlamentin Evropian dhe Këshillin Evropian, duke nënkuptuar se këto kritere duhet të plotësohen deri në datën e miratimit të këtij propozimi nga Këshilli, transmeton Republika.info.

Probleme të ngjashme kanë vazhduar t’i përcjellin këto dy shtete dhe shtete të tjera të Ballkanit Perëndimor edhe pas heqjes së regjimit të vizave.

Në dokumentin punues të Komisionit Evropian, në të cilin monitorohet situata pas liberalizimit të vizave në vendet e Ballkanit Perëndimor, të publikuar më 30 maj 2011, dy vite pas liberalizmit të vizave për Serbinë dhe Malin e zi, gjendja lidhur me disa nga kriteret të cilat kishin mbetur të pa përmbushura në fushën e korrupsionit dhe krimit të organizuar vazhdonte të përshkruhej me nota negative. Në lidhje me kriteret e mbetura për Malin e Zi janë vlerësuar hapat e ndërmarrë për forcimin e kapaciteteve institucionale dhe administrative të organeve të zbatimit të ligjit, megjithatë kapacitetet e tyre hetimore dhe të bashkëpunimit vlerësoheshin si të pamjaftueshme. Kurse sa i përket Serbisë, në fushën e luftës kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit ishte vlerësuar pozitivisht korniza ligjore dhe institucionale që trajton krimin e organizuar dhe korrupsionin, megjithatë mungesa e burimeve njerëzore dhe financiare mbetej gjithnjë shqetësim për zbatimin efektiv.

Gjithashtu, ende kritikohet mungesa e një baze e të dhënave të centralizuara të informacionit, që do të siguronte shkëmbimin e sigurt dhe të shpejtë të informacionit ndërmjet të gjitha institucioneve të sundimit të ligjit, transmeton Republika.info.

Në rastin e Shqipërisë dhe Bosnje e Hercegovinës, po ashtu problemet kryesore kanë mbetur në fushën e korrupsionit dhe luftës kundër krimit të organizuar. Në rastin e Shqipërisë, sa i përket luftimit të korrupsionit, ka mbetur e pa adresuar çështja se “shumica e rasteve të korrupsionit të hetuar përfshinin zyrtarë të nivelit të ulët”. Në këtë drejtim, ishte rekomanduar që “autoritetet kompetente hetimore duhet të jenë më proaktive dhe duhet të bëhet progres i mëtejshëm për ndryshimin e legjislacionit, në mënyrë që të sigurohet se shtrirja e gjerë e imuniteteve të gjyqtarëve dhe politikanëve nuk do të rrezikojnë ndjekjen penale efektive në rastet e korrupsionit”.

Për më tepër, edhe në raportin e monitorimit pas liberalizimit të vizave, në rastin e Shqipërisë u theksua se “Regjistrat e hetimeve, ndjekjes penale dhe dënimeve për krim të organizuar dhe korrupsion mbeten të ulëta dhe nevojiten përpjekje të mëtejshme. Vëmendje e veçantë duhet t’i kushtohet forcimit të kapaciteteve të agjencive të zbatimit të ligjit me anë të burimeve financiare dhe njerëzore shtesë”. Gjithashtu, në këtë raport vlerësohet se “numri i rasteve të gjykuara mbetet i ulët dhe ka rënë dukshëm në vitin 2010 në krahasim me vitin 2009″.

Edhe në rastin e Bosnje e Hercegovinës nuk kishte raste të korrupsionit të nivelit të lartë të cilët ishin dënuar. Raporti vlerësonte se “një numër i rasteve të nivelit të lartë që përfshijnë politikanë të lartë dhe nëpunësit civilë janë akoma në fazën e ndjekjes penale”. Për më tepër, Bosnje e Hercegovina as pas marrjes së liberalizimit të vizave nuk e kishte të themeluar Agjencinë Kundër Korrupsion. /Republika.info/

Shekulli Agency