Ambasdadori rus në Kroaci: Nëse BRSS-ja do të ishte aq e fortë sa Rusia sot, Kosova nuk do të behej e pavarur

azimov_967499S1Rusia nuk resht së provokuari përditë e më shumë, duke futur “spicat” në shumë vende të botës, veçanërisht në Ballkan.

Një provokacion të tillë, e ka bërë edhe ambasadori rus në Zagreb, Anvar Azimov, gjatë një interviste për gazetën kroate, Jutarnih List që botohet në Split.

Diplomati rus ka paralajmëruar perëndimin dhe vendet aleate në Ballkan se nuk mund ta llogarisin gjeopolitikën pa Rusinë që është kthyer në një fuqi globale.

Madje Azimov shkon më tej në deklaratën e tij kur thotë se nëse Bashkimi Sovjetik do të ishte në fuqinë e Rusisë së sotme, as Jugosllavia nuk do të shpërbëhej, pra edhe Kosova nuk do të ishte shtet i pavarur.

“Ne, vërtet kemi kemi dërguar ndonjë armë për Serbinë, por e kemi bërë duke konsideruar se në asnjë rast armët mund të përdoren kundër kroatëve”, tha ambasadori rus në Kroaci, por në fakt lë shumë pikëpyetje, pasi armët kundër kujt do t’I përdorë Serbia?! Kundër shqiptarëve?!.

Anvar Azimov, ambasadori i Rusisë në Zagreb është 65 vjeç dhe ka 43 vjet eksperiencë në diplomacinë ruse. Ai flet 12 gjuhë dhe është babai i gjashtë fëmijëve.

Sipas tij, Rusia ka qenë, është dhe do të jetë një prej fuqive kryesore të botës.

“Rusia ka këtë rol për shkak të vendndodhjes së saj, për shkak të pasurisë dhe për shkak se ajo është e vendosur në mes të Azisë dhe Evropës. Rusia ka një traditë të madhe, lindi poetë të mëdhenj, shkrimtarë, shkencëtarë dhe filozofë të nivelit botëror. Ndaj Rusia është një shtet i forte”, tha Azimov.

Sipas tij,  Moska është kundër një politike me pole.

“Ne nuk kemi ambicie për të luajtur rolin e një supershteti siç ishte Bashkimi Sovjetik, por nuk korrespondojn qëllimi ynë aktual me ata që përpiqen për të vendosur mbi të gjithë të tjerët rregullat e tyre”, thotë ai, duke vënë në dukje se duhet të jenë shumë vende në botë që së bashku të krijojnë rendin botëror.

“Këto vende janë Rusia, Kina, India, Afrika dhe Amerika Latine dhe, natyrisht, Bashkimi Europian. Ne kemi një model të tillë për botën. Bota po ndryshon në mënyrë të qartë. Unë mendoj se kthimi në ‘botën bipolare’  është e pamundur”, tha ai.

Azimov tha më pas se Ukraina ishte i vetmi pretekst nga Shtetet e Bashkuara për të vënë nën presion Bashkimin Europian, në mënyrë që ai të kishte dy zgjidhje: o me Amerikën o me Rusinë.

Ambasadori rus në Zagreb tregon se Amerika nuk arrin dot ta kuptojë rolin ë Rusisë në kushtet e sotme.

“Nëse Bashkimi Sovjetik, në prag të shpërbërjes, do të ishte aq i fortë sa është sot Rusia, nuk do të kishte luftëra në Jugosllavi, as në Siri e as në Irak dhe Libi. Ne nuk do të lejonim një luftë. Problemet duhet të zgjidhen në mënyrë paqësore, pa luftë, “tha Azimov.

Siç thotë ai, “tani Rusia ka potencial të madh ushtarak kështu që unë mund të ndihmojë Sirinë në bazë të kërkesave të udhëheqësit sirian.”

/tesheshi.com/

Shekulli Agency