
Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelenskyy, ka pohuar se SHBA-ja po ndryshon vazhdimisht kushtet e marrëveshjes për mineralet, duke deklaruar se aktualisht nuk ka “asnjë çështje në rendin e ditës” që do të garantonte një udhëtim në Ëashington.
Duke folur me gazetarët pas samitit të liderëve për mbështetjen për Ukrainën në Paris, Zelenskyy shprehu zhgënjim për mungesën e një marrëveshje përfundimtare për bashkëpunimin e Ukrainës për mineralet e rralla të tokës me SHBA-në.
“Në fund të ditës, ata vazhdimisht ndryshojnë kushtet. Unë nuk do të shkoj në Washington, sepse nuk ka asnjë çështje në rendin e ditës”, tha Zelenskyy.
Lideri ukrainas tha se projekte dhe korniza të shumta tashmë janë diskutuar.
“Ne kemi shumë nga këto marrëveshje për mineralet dhe unë do të doja ta trajtoja atë jo teorikisht, por në aspektin praktik”, tha ai.
Zelenskyy theksoi se ekipet ukrainase dhe amerikane tani po punojnë për një version të plotë të marrëveshjes.
“Amerika po ndryshon rregullat dhe po propozon një marrëveshje të plotë, por kjo kërkon një studim të detajuar, të plotë… marrëveshje serioze që do të sillen para parlamentit dhe do të ratifikohen”, tha ai.
Ai theksoi se avokatët kanë shqyrtuar versione të shumta, fillimisht një marrëveshje kornizë dhe tani një të rishikuar sipas kushteve të reja.
“Ne duhet të veprojmë në mënyrë të rezervuar”, tha Zelenskyy.
Marrëveshja e propozuar për mineralet e tokës së rrallë shihet si një hap i madh në lidhjet ekonomike SHBA-Ukrainë, veçanërisht pasi Kievi kërkon të përdorë burimet strategjike në mes të luftës së vazhdueshme me Rusinë.