Zarif për televizionin amerikan: Nuk do ta përfundojë ai që e fillon i pari luftën!

Ministri i Punëve të Jashtme i Iranit, Mohammad Javad Zarif, ka deklaruar se vendi i tij nuk qëndron pas sulmeve ndaj fabrikave të naftës Saudi Aramco të Arabisë Saudite dhe se të njëjtin rezultat do të arrijë çdo ekip që do të zhvillojë një hetim të pavarur.

Duke folur për televizionin amerikan CBS, Zarif ka bërë të ditur se nuk janë njoftuar nga Kombet e Bashkuara (OKB) për dërgimin e një ekipi për hetime në Arabinë Saudite. Ai ka mbrojtur idenë e tij se në rast të një hetimi të pavarur të OKB-së do të arrihet rezultati se Irani nuk është përgjegjës për sulmet.

Sipas tij, presidentit amerikan, Donald Trump, i janë thënë “gënjeshtra për ta futur në luftë” dhe se SHBA ka nevojë për zyrtarë të sigurisë kombëtare me përgjegjësi për të ndarë gënjeshtrën nga e vërteta.

“Ne jemi të gatshëm për të biseduar për një marrëveshje të përhershme dhe jo për një marrëveshje që të jetë e vlefshme për vetëm një vit apo për pesë vite. Kemi biseduar më parë, kujtoni se ne nuk kemi nënshkruar vetëm një dokument prej dy faqesh dhe ta bëjmë sërish të njëjtën. Ishin bisedime të vështira”, tha Zarif.

Në pyetjen nëse mund të shmanget lufta mes SHBA-ve dhe Iranit, Zarif theksoi se, “Unë nuk jam i sigurt nëse mund të shmangim luftën, por ne nuk do të jemi të parët ata që do ta fillojmë dhe nuk do ta përfundojë ai që e fillon i pari luftën”.

Shekulli Agency