Zanier: Liderët politik t’i japin fund krizës në interes të qytetarëve

Sekretari i Përgjithshëm i Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE) Lamberto Zanier, i cili po qëndron për vizitë në Maqedoni, pas përfundimit të takimeve me liderët politikë shprehu shqetësim për gjendjen në vend dhe u bëri thirrje liderëve politikë që t’i japin fund krizës politike në interes të të gjithë qytetarëve të shtetit.

Siç theksohet në deklaratën me shkrim të Zanier, tejkalimi i ngërçit politik dhe kthimi i stabilitetit politik doemos duhet të jetë prioriteti më i lartë.

“Çelësi për zgjidhjen qëndron në duart e aktorëve politik të cilët duhet të përballen me sfidën dhe ta zgjidhin krizën për të mirën e të gjithë qytetarëve”, thekson Zanier.

Sipas tij, rezultatet e zgjedhjeve të dhjetorit në vitin 2016 mundësuan bazë solide për formimin e qeverisë dhe i bëri thirrje Parlamentit që të fillojë me punën, në pajtim me parimin demokratik dhe sundimin e së drejtës.

Po ashtu, Sekretari i përgjithshëm i OSBE-së, i dënon mesazhet dhe incidentet e paradokohshme që mund të sjellin deri te përkeqësimi i marrëdhënieve ndëretnike dhe thekson se Marrëveshja kornizë e Ohrit është me rëndësi kyçe për mbrojtjen dhe avancimin e të drejtave të bashkësive.

Ai theksoi se i inkurajon të gjitha palët relevante të Marrëveshjes kornizë të Ohrit të mbeten të përkushtuar në implementimin e tij.

“OSBE, institucionet e saj dhe Misioni në Shkup do të vazhdojnë që të angazhohen për shoqëri multietnike dhe demokratike dhe të sigurojnë ndihmë në fushat siç janë mbisundimi i së drejtës, zgjedhje, mbisundimi demokratik dhe reforma në policinë. I inkurajojmë të gjithë aktorët që tërësisht ta shfrytëzojnë këtë ekspertizë”, thotë Zanier.

Mes tjerash, ai vlerëson se është arritur përparim përmes implementimit të Marrëveshjes së Përzhinës dhe thekson se kthimi i besimit në institucionet është me rëndësi të veçantë.

Sekretari i Përgjithshëm i OSBE-së, Lamberto Zanier në takimin me përfaqësuesit e organizatave të shoqërisë civile e potencoi rolin e tyre të rëndësishëm në promovimin e shoqërisë demokratike.

Gjatë vizitës Zanier u takua edhe me presidentin e Maqedonisë, Gjorge Ivanov, ministrin e Punëve të Jashtme të Maqedonisë, Nikolla Poposki, liderët e partive politike nga VMRO-DPMNE, LSDM, BDI, Lëvizja BESA, Aleanca për Shqiptarët si dhe me përfaqësuesit e bashkësisë ndërkombëtare.

Shekulli Agency