Kryeministri i Serbisë, njëherësh kryetar i Partisë Përparimtare Serbe (PPS), Aleksandar Vuçiç do të jetë kandidati i partisë së tij për postin e presidentit të shtetit
Kryeministri i Serbisë, njëherësh kryetar i Partisë Përparimtare Serbe (PPS), Aleksandar Vuçiç do të jetë kandidati i partisë së tij për postin e presidentit të shtetit, vendosi mbrëmë kryesia e partisë. Pas kësaj, Vuçiç tha se pavarësisht rezultatit në zgjedhjet presidenciale ai më nuk do të jetë kryeministër i vendit, raporton (AA).
“Kjo është ndoshta paraqitja ime e fundit e madhe në cilësi të kryeministrit, prandaj dëshiroj të flas për rezultatet e qeverisë. Pavarësisht nëse bëhem ose jo president i vendit, unë më nuk do të jem kryeministër i qeverisë”, tha Vuçiç në intervistë për Radio Televizionin e Serbisë, ku tha se zgjedhjet do të shpallen më një ose dy mars.
Vuçiç nuk përjashtoi mundësinë që paralelisht me zgjedhjet presidenciale të mbahen edhe ato parlamentare, mirëpo përjashtoi çdo mundësi që të shpalos se cili do të mund të ishte “zëvendësi i tij”, në postin kryeministror.
Ai tha se në cilësi të presidentit do të ishte një kontrollues i ashpër i punës së qeverisë, gjithnjë në përputhje me kompetencat e presidentit, për të shtuar se zyra e tij e punës do të jetë në Pallatin Serbia.
Krahas tij, kandidaturat për president të Serbisë në zgjedhjet e ardhshme i kanë shpallur edhe gjashtë kandidatë tjerë, Sasha Jankoviç, ish ministri i Jashtëm, Vuk Jeremiç, kreu i lëvizjes Dveri, Boshko Obradoviç, kreu i Partisë Radikale serbe, Vojislav Sheshelj, përfaqësuesja e dijasporës Danijela Sremac dhe Milan Stamatoviç nga partia Popullore.
Nëse Vuçiç bëhet president i Serbisë nuk është e nevojshme shpallja e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, për shkak se ligjet në Serbi nuk detyrojnë një gjë të tillë.
Qeveria serbe zgjidhet me shumicë të thjeshtë të deputetëve në Kuvendin e Serbisë, me propozim nga mandatari për formimin e qeverisë.
Mandati për të formuar qeverinë e Serbisë i jepet nga presidenti atij personi që ka më shumë gjasa për të formuar qeverinë.
Mandati i presidentit serb është pesë vjet dhe i njëjti presidentit aktual i skadon më 31 maj.