Tillerson takim me ministrat e katër vendeve arabe për krizën e Gjirit

Ministrat e Jashtëm të vendeve që kanë zbatuar embargo kundër Katarit sot në Xheda të Arabisë Saudite u takuan me Sekretarin amerikan të Shtetit Rex Tillerson, për të diskutuar rreth krizës së Gjirit, transmeton (AA).

Sipas agjencisë zyrtare saudite të lajmeve SPA, Tillerson gjatë vizitës zyrtare në Xheda ka biseduar edhe me ministrat e Jashtëm të Arabisë Saudite, Bahreinit, Emirateve të Bashkuara Arabe (EBA) dhe Egjiptit.

Pas takimit nuk është mbajtur konferencë për media, por në këtë takim siç thuhet është diskutuar në detaje edhe për krizën e Gjirit.

Tillerson pas takimit ka mbajtur takime të ndara me Princin saudit Mohammed bin Selman dhe me ministrin e Jashtëm saudit Adel Al-Jubeir.

Në këto takime, siç thuhet, është diskutuar edhe për marrëdhëniet dypalëshe, terrorizmin dhe çështjet rajonale.

Në mbrëmje Tillerson përfundoi vizitën në Xheda, pas së cilës ai udhëtoi për Kuvajt.

Tillerson ndodhet në Gjirin Persik në misionin që ka për qëllim t’i japë fund mosmarrëveshjes në mes të Katarit dhe katër vendeve arabe.

Kriza e Gjirit u përshkallëzua më 5 qershor, kur qeveritë e Arabisë Saudite, Bahreinit, Egjiptit, Emirateve të Bashkuara Arabe dhe Jemenit ndërprenë marrëdhëniet diplomatike dhe bllokuan kufijtë e Katarit.

Katari akuzohet se ka mbështetur terrorizmin, gjë të cilën e mohon Doha zyrtare dhe vlerëson se akuzat janë të pabaza.

Shekulli Agency