Thaçi: Në ditët e ardhshme Kosova do të ketë qeveri të re

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka takuar udhëheqësit e partive parlamentare kosovare për t’u konsultuar rreth formimit të një qeverie të re, pas shkarkimit të qeverisë së udhëhequr nga kryeministri në detyrë Albin Kurti më 25 mars, raporton (AA).

Në këtë takim, të cilin e thirri presidenti Thaçi rreth konsultimit për krijimin eqQeverisë së re për të cilën tha se është “e drejtë dhe detyrë e tij kushtetuese”, morën pjesë të gjithë udhëheqësit e partive parlamentare.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka bërë të ditur se pasi të gjitha partitë, pos Vetëvendosjes, janë shprehur pro formimit të qeverisë së re pa shkuar në zgjedhje, ndërsa si rrjedhojë, tha se “do t’i japë mandatin cilësdo parti që dëshmon se ka shumicën në kuvend, për të formuar qeverinë e re”, duke respektuar Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës.

“Në ditët e ardhshme, Kosova do të ketë qeveri të re dhe nuk do të ketë shpërbërje të kuvendit dhe as zgjedhje të reja. Kosova ka aftësi dhe maturi që edhe përkundër kësaj pandemie të formojë qeveri të re dhe të garantojë funksionimin demokratik të institucioneve”, shkroi Thaçi në rrjetet sociale pas takimit.

Lëvizja Vetëvendosje ka thënë se nuk e ka refuzuar kërkesën e presidentit Hashim Thaçi për të emëruar mandatar të ri për kryeministër.

Në takim me presidentin Thaçi, përfaqësuesja e Vetëvendosjes, Albulena Haxhiu, ka thënë se Thaçi është duke bërë shkelje kushtetuese me thirrjen e partive të tjera për t’u konsultuar për të formuar qeverinë e re.

“Tashmë ekziston një tendencë e z.Thaçi për të ndërmarrë veprime dhe përmbysur vullnetin qytetar. Ai në fillim të fjalës së tij u thirr në një qeveri me legjitimitet qytetar. Nuk mund të ketë qeveri me legjitimitet qytetar pa shkuar në zgjedhje, sepse qytetarët e Kosovës më 6 tetor kanë vendosur për Vetëvendosjen si subjekti i parë dhe presidenti nuk ka të drejtë kushtetuese ta anashkalojë partinë fituese”, tha Haxhiu.

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Isa Mustafa, parti e cila organizoi mocionin e mosbesimit për rrëzimin e qeverisë së udhëhequr nga Kurti muajin e kaluar, është shprehur i gatshëm që partia e tij të sigurojë shumicën për formimin e qeverisë së re me shumicë të nevojshme parlamentare.

Gjithashtu, ai theksoi se vendit i duhet “një qeveri e cila do të kishte kapacitete të ballafaqohet me pandeminë, si dhe të ruajë partneritet me SHBA-në”.

“Së pari, ne jemi të bindur se në këto momente, në Kosovë nuk duhet të shkohet në zgjedhje të parakohshme dhe në shpërndarje të Kuvendit të Kosovës meqenëse jemi në kohë pandemie e cila kërkon mobilizim të të gjitha subjekteve dhe gjithë aparatit shtetëror për ta fituar betejën kundër pandemisë COVID-19. Dhe e dyta, deputetët e kuvendit janë në fillimin e mandatit të tyre dhe ka angazhim e vullnet që ky mandat të shfrytëzohet në të mirë të Kosovës. Ne u shprehëm kundër shpërndarjes së kuvendit dhe mbajtjes së zgjedhjeve të reja dhe po ashtu për mundësinë e themelimit të një qeverie të re me shumicë të nevojshme parlamentare”, tha Mustafa.

Ndërkaq, kreu i partisë më të madhe opozitare, Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Kadri Veseli, tha se partia e tij do të qëndrojë në opozitë.

Presidenti Thaçi tha se takimi i sotëm me përfaqësuesit politikë ndodh pas pesë letrave të cilat i ka dërguar kryeministrit në detyrë Albin Kurti që ta propozojë emrin e ri të kryeministrit pas rrëzimit të tij, ndërsa sot në letrën e fundit drejtuar Kurtit ai i shkroi se “nuk e keni shfrytëzuar të drejtën tuaj të propozimit”.

Vetëm pak orë pas kësaj letre, Kurti i është përgjigjur presidentit duke i thënë se bazuar në funksionin e tij, presidenti nuk ka të drejtë dhe as autorizim kushtetues për të konstatuar se Lëvizja Vetëvendosje ka refuzuar “propozimin e kandidatit për kryeministër kur nuk e kemi bërë këtë”.

Qeveria e udhëhequr nga Kurti u rrëzua nëpërmjet një mocioni të mosbesimit të iniciuar nga partneri i saj i koalicionit LDK, ku pas shkarkimit që Kurti ia bëri ministrit të Punëve të Brendshme dhe Administratës Publike të kësaj partie, Agim Veliu, për shkak të “shpërndarjes së panevojshme të panikut tek qytetarët rreth koronavirusit”, LDK konsideroi se me shkarkimin e tij pa konsultim paraprak me ta, “u thye marrëveshja e koalicionit”.

Shekulli Agency