Thaçi e dërgon në Kuvend propozimin e Albin Kurtit për kryeministër

Presidenti i Republikës së Kosovës, pasi e ka pranuar Albin Kurtin, si të propozuar nga subjekti më i madh politik formimin Qeverisë së re, ka dorëzuar dekretin presidencial sot në Kuvend.

Thaçi në një njoftim për media nga rrjetet sociale ka thënë se “Ky është hap shumë i rëndësishëm për krijimin e institucioneve të reja dhe nga sot fillon edhe rrjedhja e afatit kushtetues për formimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës”.

Në dekret, pasi bëhet e ditur se i propozuari nga subjekti më i madh politik i dalë nga zgjedhjet e fundit parlamentare është Albin Kurti, theksohet se “Kandidati jo më vonë se 15 ditë pas emërimit, paraqet përbërjen e Qeverisë para Kuvendit të Kosovës dhe kërkon miratimin nga ana e Kuvendit”.

Më herët, kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti ka dërguar emrin e tij si të propozuar për kryeministër pa një marrëveshje me Lidhjen Demokratike të Kosovës, me të cilën ka biseduar për mundësi të bashkëqeverisjes që nga zgjedhjet.

Në këtë rast, Kurti në një video-mesazh nëpërmjet rrjeteve sociale i ka bërë ftesë LDK-së t’i kthehet tavolinës së bisedimeve, teksa ka thënë se vendi s’mund të kthehet përsëri në vitin 2019, duke ritheksuar se caktimi i Glauk Konjufcës kryeparlamentar më 26 dhjetor të vitit të kaluar, është vendim i pakthyeshëm për VV-në.

“Qëndrimi se takohemi vetëm për ceremoninë e nënshkrimit të marrëveshjes, pra qasja ‘merre ose lëre’ do të thotë lëre. Unë besoj se ne mund të kthehemi dhe e kemi detyrim ndaj të gjithë jush që të kthehemi në tavolinën e bisedimeve për të mos dalë nga ajo deri në gjetjen e një gjuhe të përbashkët dhe arritjen e marrëveshjes sonë”, ka thënë ai.

Tani bisedimet të cilat kanë zgjatur më shumë se 3 muaj midis dy partive më të mëdha të dala nga zgjedhjet VV dhe LDK pa një rezultat konkret, kanë afat vetëm edhe 15 ditë për një epilog dhe marrëveshje për të bashkëqeverisur.

Nëse brenda afatit 15 ditësh Kurti nuk arrin të votohet nga 2/3 e deputetëve të Kuvendit si kryeministër, presidenti e udhëheq një raund negociatash me të gjitha partitë parlamentare duke përfshirë edhe VV-në dhe të kërkojë një mandatar të ri, por kësaj radhe Kurti nuk mund të jetë më mandatar për kryeministër.

Nëse edhe pas 10 ditësh nga propozimi i një kandidati tjetër nuk ka qeveri, atëherë shpallen zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare.

Shekulli Agency