Thaçi: Dialogu nuk ka vdekur

Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi ka deklaruar se “dialogu nuk ka vdekur” duke shtuar se “ka pritur nga kryeministri që të jetë më racional dhe i përgjegjshëm në deklaratat për qëndrimet e tij lidhur me dialogun”.

Presidenti Thaçi në një konferencë për media përshëndeti vendimin e subjekteve politike të koalicionit për harmonizimin e qëndrimeve politike dhe hartimin e rezolutës së përbashkët për dialogun.

“Çdo rezolutë që do të nxirret prej partive politike në Kuvend që respekton Kushtetutën e Kosovës, ligjet e Kosovës nga ana ime jo vetëm që do të jetë e mirëseardhur dhe e përshëndetur por do ta ketë përkrahjen e plotë. Pra, një rezolutë nuk mund të dalë mbi dokumentin kushtetues, prandaj me rëndësi është që të gjithë duhet të kemi parasysh që të respektohet kushtetuta e vendit për Kosovën e pavarur, unike, sovrane dhe për Kosovën e së ardhmes euro-atlantike. Prandaj ftoj edhe një herë gjithë spektrin politik, pozitë, opozitë që të bashkohen në këtë drejtim, të punojnë bashkarisht, të nxjerrin një rezolutë e cila hap prespektivë për funksionimin normal por edhe për marrjen e përgjegjësive. Beteja me Beogradin zhvillohet në tavolinë”, tha ai.

Thaçi i komentoi edhe deklaratat e sotme të kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj i cili i kishte shprehur “ngushëllimet e tij për idenë e ndërrimit të territoreve”, duke thënë se “kjo ide ka vdekur”.

“Dialogu nuk ka vdekur, përkundrazi është në një fazë të rëndësishme. Gjithashtu dëshiroj të potencoj se është deklaratë interesante edhe nga ana e kryeministrit. Kjo tregon se ose është në humor të mirë ose ndjehet tepër komod në karrigen e vet. Unë të them të drejtën kam pritur nga kryeministri që të jetë më racional dhe i përgjegjshëm në deklaratat për qëndrimet e tij lidhur me dialogun. Një kryeministër serioz nuk flet çdo ditë për luftëra dhe tragjedi, por zhvillon prioritetet dhe angazhimet për reforma. Sido që të jetë kanë dështuar që të bëjnë një gjë të tillë sidomos në javët dhe muajt e fundit”, tha Thaçi.

“Unë jam duke i udhëhequr negociatat në kuadër të dialogut dhe jo kryeministri”, deklaroi Thaçi për të shtuar më tej se “Unë pres dhe kërkoj nga të gjithë, përfshirë këtu edhe kryeministrin, një qasje shumë më të mençur, më të shkathtë në këtë proces dhe në përputhje me interesin tonë shtetëror. Jam i sigurtë se kryeministri mund dhe ka nevojë t’i korrigjojë deklaratat dhe qëndrimet e tij lidhur me procesin e dialogut. Pa dialog nuk ka të ardhme euroatlantike për Kosovën, as për NATO, as për BE e as njohje nga Serbia. Sepse tek e fundit të gjithë e dimë se pozitat tona nuk janë të përhershme, kryeministrat dhe presidentët mund të ndërrohen, shkojnë dhe vijnë. Sidomos mund të ndërrohen shpejtë ata në rast se nuk korrigjohen”.

Thaçi potencoi se në asnjë rrethanë nuk do të lejojnë ndarjen, shkëmbimin por edhe asociacionin me elemente ekzekutive, duke i vlerësuar këto si “gjë të vdekur”.

“Sa për ngushëllim, i ngushëlloj të gjithë ata që punojnë për ndarje dhe për asociacion me elemente ekzekutive tash ndërsa te korrigjimi i kufirit duke përfshirë Luginën e Preshevës, Medvegjën dhe Bujanocin të theksoj në moment që unë jam i bindur që është në interes të shtetit të Kosovës dhe që SHBA-të dhe BE e NATO japin garanci se Serbia do të njeh Republikën e Kosovës unë do ta nënshkruaj”, shtoi Thaçi.

Kujtojmë se presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, gjatë kohëve të fundit ka sjellë në rend të ditës çështjen se Kosova duhet të jetë e gatshme të shqyrtojë opsionin e korrigjimit të kufirit me Serbinë, i cili është rreth 400 kilometra i gjatë. Ndërsa partitë opozitare në Kosovë kundërshtojnë këtë opsion.

Së fundmi javën e kaluar partitë e koalicionit qeverisës përgatitën një draft-rezolutë e cila përmban 6 pika, ku pos tjerash thuhet se, “Kuvendi i Republikës së Kosovës insiston që dialogu të përmbyllet me një marrëveshje ligjore ndërkombëtarisht obligative, përmes së cilës do të ndodhë njohja reciproke mes Republikës së Kosovës dhe Republikës Serbisë. Kosova është shtet i pavarur, sovran dhe demokratik, unik dhe i pandashëm. Kufijtë e Republikës së Kosovës janë të pacenueshëm dhe të panegociueshëm”.

Ndërkaq sot kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, ka ftuar krerët e partive opozitare për t’u takuar të enjten në Kuvend, për të diskutuar për harmonizimin e qëndrimeve për rezolutën lidhur me dialogun Kosovë-Serbi.

Shekulli Agency