SHBA kërkon që Kosova të zgjatë periudhën e zbatimit të marrëveshjes së targave

SHBA i ka kërkuar Qeverisë së Kosovës të zgjasë periudhën e zbatimit të marrëveshjes së targave, si dhe është shprehur e zhgënjyer dhe e shqetësuar që Qeveria e Kosovës ka refuzuar kërkesat për ta bërë këtë nga partnerët e saj ndërkombëtarë, transmeton (AA).

Zëdhënësi i Departamentit amerikan të shtetit, Ned Price, në një deklaratë me shkrim shprehet se zgjatja e afatit është në interes të arritjes së përparimit në dialogun midis Prishtinës dhe Beogradit.

“Shtetet e Bashkuara, krahas partnerëve tanë ndërkombëtarë, i kërkojnë Qeverisë së Kosovës që të zgjasë periudhën e zbatimit të regjimit të ri të targave. Kosova ka të drejtë të zbatojë regjimin e targave sipas Marrëveshjes së Brukselit, por zgjatja e afatit është në interes të arritjes së përparimit në dialogun e lehtësuar nga BE-ja për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi. SHBA është e zhgënjyer dhe e shqetësuar që Qeveria e Kosovës ka refuzuar kërkesat për ta bërë këtë nga partnerët e saj ndërkombëtarë”, thuhet në deklaratën e zëdhënësit të Departamentit amerikan të shtetit.

Me kërkesë të aleatëve ndërkombëtarë, Qeveria e Kosovës tashmë një herë e zgjati afatin për më 31 shtator, i cili fillimisht ishte e planifikuar të zbatohet më 31 korrik, kur serbët vendas bllokuan rrugët në veri të Kosovës me kamionë dhe makineri të rënda.

“Kosova dhe Serbia duhet të punojnë urgjentisht dhe në mënyrë fleksibile për të arritur një marrëveshje gjithëpërfshirëse për normalizimin e marrëdhënieve, me në qendër njohjen reciproke. Është e rëndësishme që të dyja palët të reduktojnë retorikën nxitëse dhe të ndërmarrin veprime konkrete për të demonstruar angazhimin e tyre për bashkëpunim konstruktiv për të siguruar një të ardhme të qëndrueshme dhe të begatë për rajonin”, thuhet në deklaratë.

Më herët gjatë ditës, kryeministri i Kosovës Albin Kurti tha se Qeveria e Kosovës nuk ka zgjatur afatin, por ka ndryshuar sanksionet për pronarët e automjeteve me targa ilegale.

Qeveria e Kosovës ka vendosur që të mos fillojë menjëherë me konfiskimin e automjeteve me targa të lëshuara nga Ministria e Punëve të Brendshme të Serbisë, të cilat autoritetet kosovare i cilësojnë si ilegale. Në vend të kësaj, fillimisht pronarëve të automjeteve me targa të MPB-së serbe do t’u shqiptohen qortime, më pas gjoba, e më pas vendosjen e targave provuese.

Shekulli Agency