Putin: Jam i gatshëm të takoj presidentin ukrainas në Moskë “në çdo kohë”

Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin deklaroi se është i gatshëm të presë homologun e tij ukrainas Volodymyr Zelensky në Moskë “në çdo kohë”, transmeton AA.

Duke folur në një takim me presidentin bjellorus, Alexander Lukashenko, Putin tha se nëse Zelensky dëshiron të diskutojë problemet e Donbas, ai duhet të takohet me udhëheqësit e separatistëve në rajon dhe nëse dëshiron të diskutojë marrëdhëniet ruse me Ukrainën, atëherë ai është i mirëseardhur në Moskë.

Putin tha se “udhëheqja e përkohshme e Ukrainës ka ndërmarrë shumë hapa duke synuar shkatërrimin e marrëdhënieve ruso-ukrainase”, megjithatë, nëse Zelensky dëshiron të fillojë rivendosjen e tyre, Rusia do ta mirëpriste këtë.

“Lind pyetja: Çfarë duam të diskutojmë në këtë takim? Nëse po flasim për diskutimin e problemeve në Donbas, atëherë, para së gjithash, udhëheqja ukrainase duhet të takohet me udhëheqësit e republikave – LPR (Republika Popullore Luhansk) dhe DPR (Republika Popullore Donetsk), dhe vetëm atëherë diskutoni këto probleme me përfaqësuesit e vendeve të treta, e cila në këtë rast është Rusia. Kjo është e para. Dhe së dyti, nëse flasim për zhvillimin e marrëdhënieve dypalëshe, atëherë ju lutem, ne do të presim presidentin e Ukrainës në Moskë në çdo kohë të përshtatshme për të”, tha Putin.

Lukashenko komentoi propozimin për ndryshimin e platformës së bisedimeve të paqes brenda-ukrainase, për të cilën ai tha se Minsku ishte pritëse me kërkesë nga të gjitha palët, përfshirë ish-presidentin ukrainas, Petro Poroshenko.

“Por, nëse Kievi e sheh të papërshtatshme të punojë më tej në Minskun, atëherë askush nuk do të kërkonte ta bindte atë”, tha Lukashenko.

“Nëse atyre nuk u pëlqen (zhvillimi i bisedime të paqes në Bjellorusi) sot, ju lutem, ata mund të zgjedhin cilindo vend tjetër, por duhet të keni parasysh se duhet të ketë një konsensus të atyre që e propozuan dikur”, tha ai.

Pas disa javësh tensionesh në rritje, ministri rus i Mbrojtjes, Sergej Shoygu njoftoi të enjten se Moska do të fillojë tërheqjen e trupave të saj nga kufiri me Ukrainën.

Masa erdhi pas tensioneve një javëshe kur Kievi dhe rajonet e shkëputura akuzuan njëra-tjetrën për shkeljen e armëpushimit. Ukraina akuzoi Rusinë për dërgimin e trupave në kufi ndërsa Moska tha se lëvizjet e saj ishin në përgjigje të “veprimeve provokuese të Kievit”, duke thënë se fqinji i saj perëndimor po përgatit një ofensivë që synon të sigurojë një zgjidhje ushtarake të konfliktit me mundësinë e armiqësive në kufi.

Presidenti ukrainas, Zelensky e mirëpriti vendimin, duke thënë se “zvogëlimi i trupave zvogëlon proporcionalisht tensionet”.

“Ukraina është gjithmonë vigjilente, megjithatë mirëpret çdo hap për uljen e pranisë ushtarake dhe për deeskalimin e situatës në Donbas. Ukraina kërkon paqe dhe është mirënjohëse ndaj partnerëve ndërkombëtarë për mbështetjen e tyre”, tha Zelensky.

Shekulli Agency