
Presidenti rus, Vladimir Putin dhe homologu i tij kinez, Xi Jinping, kanë nënshkruar deklaratë të përbashkët mbi thellimin e partneritetit gjithëpërfshirës strategjik midis vendeve të tyre, transmeton Anadolu.
Deklarata u miratua nga dy presidentët pas bisedimeve të ngushta dhe të zgjeruara të mbajtura në kryeqytetin rus Moskë, ku Xi mbërriti dje në një vizitë katër-ditore për të marrë pjesë në paradën ushtarake vjetore në Sheshin e Kuq të Moskës në përkujtim të 80-vjetorit të Ditës së Fitores.
Dita e Fitores shënohet më 9 maj në Rusi dhe në vende të tjera, përfshirë disa ish-shtete sovjetike, për të përkujtuar fitoren e Bashkimit Sovjetik kundër Gjermanisë naziste gjatë Luftës së Dytë Botërore, një konflikt që Rusia e quan Lufta e Madhe Patriotike.
Gjatë një konference për media në Kremlin pas ceremonisë së nënshkrimit, gjatë së cilës të dy vendet gjithashtu miratuan një deklaratë të përbashkët mbi stabilitetin strategjik global, Putin i përshkroi negociatat e tij me presidentin kinez si “shumë domethënëse dhe produktive”.
Duke theksuar se lidhjet dypalëshe midis Moskës dhe Pekinit kanë arritur nivelin e tyre më të lartë në histori, Putin tha se këto marrëdhënie janë “të vetëmjaftueshme” dhe “nuk varen nga faktorët politik të brendshëm apo situata aktuale botërore”.
Më tej, Putin tha se pothuajse e gjithë tregtia midis Rusisë dhe Kinës kryhet bazuar në monedhat e tyre kombëtare përkatëse dhe se ato kanë ndërtuar një “sistem të qëndrueshëm” të tregtisë së ndërsjellë, që sipas tij është i “mbrojtur në mënyrë të besueshme nga ndikimi i vendeve të treta dhe trendet negative në tregjet botërore”.
Presidenti rus tha se vendi i tij dhe Kina kanë pësuar humbjet më të mëdha gjatë Luftës së Dytë Botërore, duke shtuar se Moska dhe Pekini po avokojnë së bashku për të ruajtur “të vërtetën historike” rreth fitores së tyre në Luftën e Dytë Botërore si një “vlerë e përbashkët për njerëzimin”.
Xi, nga ana e tij, bëri thirrje për forcimin e besimit të ndërsjellë politik dhe intensifikimin e bashkëpunimit strategjik midis vendeve të tyre, duke theksuar rëndësinë e të mbeturit partner të besueshëm në “frymën e përfitimit të ndërsjellë dhe prosperitetit të përbashkët”.
Ai argumentoi se Kina dhe Rusia duhet të qëndrojnë pranë njëra-tjetrës si “faktorë stabilizues, pozitiv dhe progresiv” në komunitetin ndërkombëtar, duke shtuar se “ata krah për krah do të përballojnë çdo stuhi dhe do të tejkalojnë çdo pengesë”.