Presidenti Thaçi dekreton Avdullah Hotin si mandatar për formimin e qeverisë

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, nëpërmjet një konference për media ka bërë të ditur se ka dekretuar Avdullah Hotin e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), si të nominuar për kryeministër të ri të Qeverisë së Kosovës.

Thaçi tha se pas letrave të cilat i ka dërguar kryetarit të LDK-së, Isa Mustafa, si parti e dytë më e madhe e dalë nga zgjedhjet e fundit, sot ai ka marrë një letër nga kreu i LDK-së, ku Mustafa i konfirmon se “mbështet të gjitha kriteret mbizotëruese për formimin e qeverisë së re, duke përfshirë edhe sigurimin e shumicës parlamentare”.

“Informoj se sapo kam dekretuar, zotin Avdullah Hoti, si të nominuar për kryeministër të ri të Qeverisë së Kosovës. Në ditët në vijim një tjetër qeveri e re mund të votohet në Kuvendin e Kosovës, sërish në përputhje të plotë me Kushtetutën e Kosovës dhe me rendin demokratik të Republikës sonë”, tha Thaçi.

Presidenti Thaçi më tej tha se askush me metoda të tjera, pos atyre kushtetuese dhe ligjore, nuk mund të pretendojë ta mbajë pushtetin.

“Askush nuk mund të pretendojë, që me metoda të tjera, krejtësisht jodemokratike, mund ta marré ose ta mbajë, apo uzurpojë pushtetin”, tha ai.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka takuar më 22 prill udhëheqësit e partive parlamentare për t’u konsultuar rreth formimit të një qeverie të re, pas shkarkimit të qeverisë së udhëhequr nga kryeministri në detyrë Albin Kurti më 25 mars. Pas takimit, ai tha se të gjitha partitë, pos Vetëvendosjes, janë shprehur pro formimit të qeverisë së re pa shkuar në zgjedhje, ndërsa si rrjedhojë, tha se “do t’i japë mandatin cilësdo parti që dëshmon se ka shumicën në kuvend për të formuar qeverinë e re”.

Qeveria e Kosovës e cila tani është në detyrë, u rrëzua pas një mocioni mosbesimi të iniciuar nga vetë partneri i koalicionit, LDK, më 25 mars, për shkak të, sipas kreut të kësaj partie, Albin Kurti shkeli marrëveshjen e koalicionit qeverisës kur shkarkoi ministrin e Punëve të Brendshme dhe Administratës Publike nga radhët e LDK-së, Agim Veliun.

Qeveria e Kosovës me partnerë të koalicionit LVV-LDK erdhi në pushtet nga 3 shkurti i vitit 2020 pas më shumë se tre muaj takime për përafrime qëndrimesh midis dy partive, ndërsa u votua për mocion të mosbesimit të saj me 82 vota në ditën e 50-të të saj në ekzekutiv.

Shekulli Agency