Presidenti Erdogan aprovon ligjin mbi ndryshimet kushtetuese

Sipas ndryshimeve të reja kushtetuese, zgjedhjet parlamentare dhe ato presidenciale do të mbahen në të njëjtën ditë, në çdo pesë vite

Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan, sot herët aprovoi ligjin e miratuar mbi ndryshimet kushtetuese, sipas të cilit vendi, mes tjerash, kalon në sistem presidencial, raporton (AA).

Sipas një njoftimi nga qendra mediatike e kabinetit të presidentit, Erdoğan ka dërguar për t’u shpallur ligjin 6771 për ndryshime kushtetuese deri të kabineti i kryeministrit, në mënyrë që të kalojë në referendum, siç parashihet sipas paragrafit të katërt të nenit 175 të kushtetutës së Turqisë.

Sipas kësaj, numri i deputetëve në kuvend të rritet nga 550 në 600, kurse mosha për zgjedhje si deputet do të ulet nga 25 në 18.

Sipas ndryshimeve të reja kushtetuese, zgjedhjet parlamentare dhe ato presidenciale do të mbahen në të njëjtën ditë, në çdo pesë vite. Ndërkaq, presidenti nuk do t’i shkëpusë lidhjet me partinë amë.

Po ashtu, në kuadër të ndryshimeve, kandidat për president mund të jetë personi i cili vetë ose me partinë e tij ka marrë të paktën pesë për qind të votave të vlefshme në zgjedhjet e fundit parlamentare ose personi i cili posedon 100 mijë votues.

Zgjedhjet parlamentare dhe ato presidenciale do të mbahen të njëjtën ditë

Ndryshimet kushtetuese parashohin që me shumicë të thjeshtë në parlament mund të kërkohet hapje e hetimit ndaj presidentit të shtetit me akuza për përfshirje në krim. Ndërkaq, ndihmësit e presidentit dhe ministrat do të emërohen dhe shkarkohen nga presidenti i shtetit.

Nga ana tjetër, vendimi për përsëritje të zgjedhjeve do të mund të sillet me votën e tre të pestës së numrit të përgjithshëm të anëtarëve të kuvendit. Zgjedhjet parlamentare dhe ato presidenciale do të mbahen të njëjtën ditë.

Në rast se presidenti jep vendim për përsëritjen e zgjedhjeve, atëherë zgjedhjet e përgjithshme parlamentare dhe ato presidenciale mbahen bashkarisht. Ndërkaq, në rast se kuvendi jep vendimin për përsëritjen e zgjedhjeve derisa presidenti ushtron mandatin e tij të dytë, atëherë presidenti ka të drejtë të kandidohet edhe njëherë.

Sipas ndryshimeve kushtetuese, zgjedhjet e ardhshme parlamentare dhe ato presidenciale do të mbahen bashkërisht më 3 nëntor të vitit 2019. Krahas kësaj, numri i anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese do të zvogëlohet nga 17 në 15.

Shekulli Agency