Pompeo: SHBA me Arabinë Saudite ka interesa afatgjate dhe strategjike

Sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo tha se administrata amerikane do të vazhdojë marrëdhëniet strategjike me Arabinë Saudite, duke shtuar se njëkohësisht do të kërkojë dhe përgjegjësi për të dyshuarit e vrasjes së gazetarit saudit Jamal Khashoggi.

Duke iu përgjigjur pyetjeve në emisionin e radios “Hugh Hewitt”, Sekretari amerikan Pompeo tha se ende nuk ka informacione të reja lidhur me vrasjen e Khashoggit.

“Përpiqemi të mësojmë se çfarë ka ndodhur dhe si u vra Khashoggi në një mënyrë kaq tragjike. Ju e patë se prokurorët sauditë dje deklaruan se kjo është një vrasje e planifikuar paraprakisht. Ende përpiqemi të gjejmë faktet”, tha Pompeo.

Ai kujtoi se Departamenti i Shtetit ka nisur hetime për vrasjen e gazetarit saudit.

“Presidenti Donald Trump e ka bërë të qartë se do të kërkojë përgjegjësinë e autorëve, por Amerika në marrëdhëniet e saj me Mbretërinë e Arabisë Saudite ka interesa të rëndësishme, afatgjate dhe strategjike dhe për këtë arsye ne njëkohësisht do të punojmë në të dyja drejtimet. Do të mbrojmë interesat tona por edhe do të kërkojmë llogaridhënie të autorëve”, ka thënë Pompeo.

Gazetari dhe kolumnisti i “Washington Post”, Jamal Khashoggi, u zhduk më 2 tetor pasi hyri në Konsullatën e Arabisë Saudite në Stamboll.

Burimet turke të sigurisë më herët konfirmuan se Khashoggi nuk është larguar nga konsullata dhe se gjatë kësaj periudhe në konsullatë kishin mbërritur 15 shtetas dhe oficerë sauditë të cilët kanë mbërritur në Turqi me avion special dhe pastaj u larguan nga Turqia.

Pas pretendimeve disa ditore se nuk dinë asgjë për fatin e Khashoggit, autoritetet e Arabisë Saudite të shtunën e kaluar në mëngjes thanë se Khashoggi u vra gjatë një grindjeje të pretenduar në konsullatë.

Hetimet për vrasjen ende vazhdojnë ndërsa detyra kryesore e hetuesve është gjetja e mbetjeve të Khashoggit dhe gjetja e përgjegjësve për vrasjen.

Shekulli Agency