Pas referendumit, Maqedoninë e pret një axhendë intensive

Politikën e Maqedonisë e pret një axhendë intensive pas referendumit konsultativ i cili u mbajt të dielën për pranimin e Marrëveshjes me Greqinë për ndryshimin e emrit dhe anëtarësimin e vendit në NATO dhe Bashkimin Evropian (BE), shkruan AA.

Referendumi, i cilësuar si çelësi i anëtarësimit në BE dhe NATO, u konsiderua si i pasuksesshëm për shkak të pjesëmarrjes së pamjaftueshme, edhe pse 91,46 për qind e votuesve i thanë “po” marrëveshjes.

Cilido rezultati i referendumit, për miratimin e Marrëveshjes së Prespës të nënshkruar me Greqinë nevojitet mbështetja e dy të tretës së deputetëve në Kuvendin e Maqedonisë, konkretisht 81 deputetëve nga gjithsej 120.

Kryeministri i Maqedonisë Zoran Zaev, i cili bëri fushatë “për” marrëveshjen në referendum, do të kërkojë mbështetjen e krahut opozitar që zhvilloi fushatë “bojkoti” në mënyrë që të sigurojë miratimin e marrëveshjes. Bisedimet për miratim në Kuvend pritet të zgjasin gjatë javës.

Në rend dite mund të jetë edhe skenari i zgjedhjeve të parakohshme, në rast se brenda një kohe të shkurtër marrëveshja nuk miratohet në Kuvend.

Kryeministri Zaev pas referendumit theksoi se vullneti i votuesve në referendum duhet të shndërrohet në aktivitet politik në Kuvend, duke u shprehur se pret që deputetët e partisë opozitare VMRO-DPMNE të respektojnë preferencën e shumicës së qytetarëve që votuan.

“Në të kundërtën, do të duhet të përdorim mjetet e tjera demokratike. Kjo do të thotë zgjedhje të parakohshme, menjëherë”, ishte shprehur Zaev pas referendumit, duke dhënë sinjal për zgjedhje të hershme.

Nga ana tjetër, kryetari i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski, tha se ata që nuk votuan ose votuan “kundër”, kundërshtuan ndryshimin e emrit dhe dhanë mesazhin se “këtu është Maqedoni”.

Mickoski theksoi se referendumi paraqet disfatë si për marrëveshjen me Greqinë, ashtu edhe për qeverinë, ndërsa duke e komentuar deklaratën e Zaevit për zgjedhje të parakohshme, tha se “Zaev nuk duhet të shkojë në zgjedhje, por në pension”.

Ndërkohë, arsye kryesore e nxitimit të Maqedonisë dhe Greqisë për zgjidhjen e problemit me emrin thuhet të jetë afrimi i zgjedhjeve të përgjithshme në Greqi, ku marrëveshja mund të ngelet e pavlefshme nëse qeveria aktuale nuk arrin të dalë fituese. Në të njëjtën mënyrë, skenar i njëjtë mund të ndodhë edhe në Maqedoni, nëse shkohet në zgjedhje të parakohshme dhe nëse qeveria aktuale humb zgjedhjet.

Perëndimi e cilësoi si “të suksesshëm” referendumin

Edhe pse jehona e votuesve ishte e pamjaftueshme për ta bërë të suksesshëm referendumin, zyrtarët e BE-së dhe NATO-s e përshëndetën rezultatin, konkretisht epërsinë e madhe të atyre që votuan “për”.

Komisioneri evropian për zgjerim, Johannes Hahn, uroi qytetarët e Maqedonisë që votuan, duke kërkuar nga liderët politikë në vend që ta respektojnë vullnetin e popullit.

Hahn nënvizoi se Marrëveshja e Prespës ka marrë një mbështetje të madhe.

“I uroj ata qytetarë që votuan në referendumin e sotëm konsultativ dhe realizuan të drejtën e tyre demokratike. Me vota shumë të konsiderueshme ‘për’, ekziston mbështetje e gjerë për Marrëveshjen e Prespës dhe për rrugën euroatlantike të vendit”, vlerësoi Hahn.

Ndërkaq, Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, përshëndeti fitoren e votave “për” në referendum. “Urgjentisht u bëj thirrje të gjithë liderëve dhe partive të angazhohen në mënyrë konstruktive dhe të përgjegjshme për të kapur këtë rast historik”, u shpreh Stoltenberg.

Greqia, pala tjetër e marrëveshjes, e cilësoi rezultatin e referendumit si “kontradiktor”.

“Një ‘po’ dominuese pa pjesëmarrje të mjaftueshme. Një pjesë e gjerë e popullatës së vendit fqinj mbështeti marrëveshjen, mirëpo një pjesë e konsiderueshme e priti me dyshim”, thuhej në një deklaratë të Ministrisë së Jashtme greke, e cila theksoi se do të respektojë preferencën e qytetarëve të Maqedonisë.

Siç thuhej në deklaratë, Greqia do të vazhdojë të mbetet e përkushtuar në Marrëveshjen e Prespës dhe do të ndjekë nga afër zhvillimet në Maqedoni.

Marrëveshja duhet të miratohet edhe nga Greqia

Procesi i finalizimit të marrëveshjes nuk përfundon vetëm me miratimin në Kuvendin e Maqedonisë. Marrëveshja e Prespës duhet të miratohet edhe në Parlamentin grek.

Marrëveshja thuhet se do të miratohet në Parlamentin grek, edhe pa mbështetjen e partnerit të vogël qeveritar në Greqi, “Grekët e Pavarur” (ANEL).

Politikanët e huaj që vizituan Maqedoninë para referendumit, janë shprehur se marrëveshja nuk është e rëndësishme vetëm për Maqedoninë, por në të njëjtën kohë edhe për Greqinë, duke shtuar se edhe zgjidhja nuk është në interes vetëm të Maqedonisë, por edhe në interesin e palës greke.

Nëse marrëveshja pranohet në Kuvendin e Greqisë, atëherë ajo do t’i informojë shtetet NATO-s për zgjidhjen e problemit përmes një letre që do t’ua dërgojë.

Nga ana tjetër, nëse procesi i ligjësimit të Marrëveshjes së Prespës nuk arrin të finalizohet në Maqedoni, ajo nuk do të kalojë në Greqi dhe në këtë mënyrë, marrëveshja e cilësuar si “historike” do të bie në ujë.

Pyetja e referendumit për pranimin e Marrëveshjes së Prespës, e cila parasheh që Maqedonia të ndryshojë emrin në Republika e Maqedonisë së Veriut, ishte: “A jeni për anëtarësim në BE dhe NATO, duke pranuar marrëveshjen midis Maqedonisë dhe Greqisë?”.

Sipas të dhënave zyrtare të shpalosura nga Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve (KSHZ), në referendumin konsultativ i cili nuk është ligjërisht detyrues jehona e votuesve ishte 36,91 për qind. Sipas KSHZ-së, nga 1.806.336 votues të regjistruar, të drejtën e votës e shfrytëzuan 666.743 qytetarë, prej të cilëve 91,46 për qind ose 609.813 votuan “për”, kurse 5,65 për qind ose 37.700 votuan “kundër”. Ndërkohë, 2,89 për qind e votave ishin të pavlefshme.

Kontesti i emrit


 Pavarësisht se shumë shtete e njohin Maqedoninë me emrin kushtetues “Republika e Maqedonisë”, Greqia kërkonte ndryshimin e emrit për shkak se brenda kufijve të saj ekziston një territor i emëruar si “Maqedoni”.


Maqedonia e ka patur të pamundur anëtarësimin e saj në BE dhe NATO për shkak të problemit të emrit, i cili vazhdon që prej vitit 1991 me fqinjin e saj jugor, Greqinë.


Njohja ndërkombëtare e Maqedonisë u bë në prill të vitit 1993, kur vendi u zgjodh unanimisht si anëtar i OKB-së në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së, por me kundërshtimin e fqinjit të saj jugor u pranua në anëtarësim me emrin e përkohshëm referues “Ish-Republika Jugosllave e Maqedonisë (FYROM)”.

Kryeministri i Greqisë, Alexis Tsipras dhe kryeministri i Maqedonisë, Zoran Zaev, nëpërmjet konferencave për media në vendet e tyre njoftuan se si rezultat i bisedimeve kanë arritur marrëveshje për emrin “Republika e Maqedonisë së Veriut”, ku dhe më 17 qershor me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të të dy vendeve u nënshkrua marrëveshja.

Pas plotësimit të të gjitha dispozitave të marrëveshjes së arritur mes dy vendeve, pritet që Maqedonia të ndryshojë emrin në Republika e Maqedonisë së Veriut dhe të bëhet anëtarja e 30-të e NATO-s.

Shekulli Agency