Pas marrëveshjes Turqi-Libi, Greqia dëbon ambasadorin libian në Athinë

Greqia ka marrë vendimin të dëbojë ambasadorin libian në Athinë, pas marrëveshjes që Libia nënshkroi me Turqinë për kufizimin e zonave të juridiksionit detar në Mesdheun Lindor.

Ministri i Punëve të Jashtme i Greqisë, Nikos Dendias, tha se pasi ka thirrur në Ministrinë e Punëve të Jashtme ambasadorin libian, qeveria greke e ka njoftuar ambasadorin për këtë vendim dhe se ambasadori ka një afat prej 72 orëve për t’u larguar nga vendi.

Vandimi tregon pakënaqësinë e Greqisë ndaj qeverisë së Tripolit, theksoi Dendias, duke shtuar se ky hap është hedhur për shkak se Libia nuk ka respektuar rregullat e vendosura nga Greqia.

Ndërkohë Dendias, ka tërhequr vëmendjen se vendimi për dëbimin nuk nënkupton ndërprerjen e marrëdhënieve diplomatike me Libinë.

Dendias më parë i kishte dhënë afat Libisë deri ditën e premte për t’i përcjellë atyre tekstin e marrëveshjes, në të kundërt ambasadori libian në Athinë do të dëbohej.

Shekulli Agency