Osmani: Nga afër ndjekim situatën me Serbinë, nuk nxitojmë me përfundime

Zëvendëskryeministri i Qeverisë së Maqedonisë për çështje evropiane, Bujar Osmani, në lidhje me situatën e krijuar pas tërheqjes së personelit të Ambasadës së Serbisë në Shkup për konsultime në Beograd, përsëriti qëndrimin zyrtar të qeverisë se “Maqedonia zhvillon marrëdhënie të mira me të gjitha vendet në rajon”.

I pyetur në lidhje me forcimin e marrëdhënieve mes Maqedonisë dhe Serbisë, zëvendëskryeministri i angazhuar për çështje evropiane tha se qeveria e re e Maqedonisë deri më tani e ka dëshmuar se vendi zhvillon marrëdhënie të mira me fqinjët, duke marrë masa intensive për të adresuar çështjet e pazgjidhura dhe jo me hapjen e çështjeve të reja.

Osmani theksoi se Qeveria është duke monitoruar nga afër situatën e krijuar pas tërheqjes së personelit të Ambasadës serbe në Shkup, megjithatë, shtoi ai, nuk do të nxitonte me përfundime. Ai theksoi Qeveria e Maqedonisë përshëndet qëndrimin zyrtar të anës serbe për mbrojtje të marrëdhënieve miqësore dhe kthim të gjendjes në kushtet e zakonshme.

Shekulli Agency