MPJ e Rusisë konstaton “thellim të krizës politike” në Maqedoni

Në reagimin e MPJ-së ruse thuhet se manipulimi i paturpshëm makiavelist me vullnetin e votuesve mund të shkaktojë eskalim të situatës në Maqedoni

Ministria e Punëve të Jashtme (MPJ) e Federatës Ruse përmes një reagimi me shkrim është shprehur se “konstaton thellim të krizës politike në Maqedoni dhe se shihet qartë se zgjedhjet e parakohshme parlamentare ‘të shkaktuara artificialisht’ që u mbajtën më 11 dhjetor të vitit 2016 nuk kontribuan për zgjidhjen e situatës”, transmeton (AA).

Në reagim theksohet se nën sloganet pseudodemokratike vazhdon ndikimi i thellë i jashtëm ndaj forcave politike në Maqedoni.

“Qëllimi është i qartë – Perëndimi të pastrojë me politikanët e padëshirueshëm maqedonas, edhe krahas vullnetit të shprehur të qytetarëve në zgjedhje në dobi të koalicionit ‘Për Maqedoni më të mirë’ në krye me Nikolla Gruevskin dhe Bashkimit Demokratik për Integrim në krye me Ali Ahmetin”, thuhet në reagimin e MPJ-së ruse.

Nga atje theksojnë se “shqetësim të posaçëm shkakton fakti që në Maqedoninë multi-etnike dhe multi-kulturore ku kishte konflikt të rëndë ndëretnik, politikanët nga njëra bashkësi etnike në bazë të kërkesave ultimative të diktuara nga jashtë zgjedhin se cili nga blloqet e bashkësisë tjetër të hyjë në përbërjen e koalicionit të ardhshëm qeveritar”.

Në vijim të reagimit thuhet se “manipulimi i paturpshëm makiavelist me vullnetin e votuesve mund të shkaktojë eskalim të situatës në Maqedoni dhe ta prishë stabilitetin e brishtë në të gjithë rajonin”.

“Jemi të bindur se vetëm refuzimi i plotë i ndikimeve të dëmshme të jashtme, fokusimi i demokracisë së vërtetë dhe zgjidhja e pavarur e problemeve të brendshme të vendeve të Ballkanit janë bazë për përforcim të besimit mes popujve të cilët jetojnë këtu dhe formim të klimës rajonale për siguri”, thuhet në fund të reagimit të Minsitrisë së Punës së Jashtme të Federatës Ruse.

Shekulli Agency