Mediat ruse nxjerrin në pah mospërputhjen e SHBA-ve ndaj Turqisë

Mediat ruse nxorrën sot në pah politikën “jokonsistente” ndaj Turqisë pas takimit midis presidentit turk Recep Tayyip Erdogan dhe homologut të tij amerikan Donald Trump.

Agjencia shtetërore e lajmeve “RIA Novosti” theksoi se ishte e rëndësishme që Trump të gjente terren të përbashkët me Turqinë në funksion të zgjedhjeve të ardhshme presidenciale. Gjithashtu, aty vihet në dukje se SHBA-të ndryshuan retorikën e saj nga kërcënimet e provokuara nga vendimi i Turqisë për të blerë sistemin rus të mbrojtjes ajrore S-400, drejt përpjekjeve për pajtim.

“Për SHBA-të, blerja e sistemit S-400 nga Turqia, natyrisht është një sfidë shumë serioze. Turqia është ushtria e dytë në Aleancën e Atlantikut të Veriut (NATO). Në një situatë të tillë, mosdashja (e Turqisë) për të bashkëpunuar me SHBA-të jep arsye për të dyshuar në rolin mbizotërues të SHBA-ve në botë”, tha ajo, duke shtuar se kur sanksionet nuk jepnin rezultate, Washingtoni iu drejtua bisedimeve dhe pajtimit duke i ofruar Erdoganit “marrëveshje tërheqëse”.

E përditshmja “Kommersant” e përshkroi vizitën e Erdoganit në SHBA si “një nga ato ngjarje të rralla ndërkombëtare që mund të shkaktojnë interes të vërtetë njëkohësisht në dhjetëra kryeqytete”.

Duke theksuar mospërputhjen e marrëdhënieve të Washingtonit me Turqinë, më tej thuhet se SHBA-të shpesh kalojnë midis taktikave të ndryshme, përfshirë kërcënimet, premtimet dhe shantazhet.

Gazeta gjithashtu hodhi dyshime lidhur me mundësinë që Trump të mund të përmbushte premtimet e tij ndaj Ankarasë, pasi ai aktualisht ndodhet nën kërcënimet e impiçmentit dhe në konflikt me Kongresin, miratimi i të cilit kërkohet për shumicën e marrëveshjeve ushtarake.

Gazeta zyrtare “Rossiyskaya Gazeta” theksoi gjithashtu politikën kontradiktore amerikane ndaj Turqisë, duke treguar gatishmërinë e Washingtonit për “të njohur të drejtën e Ankarasë për një politikë të jashtme të pavarur”.

“Megjithëse presidenti i SHBA-ve është miqësor me homologun e tij turk, nën presionin e elitës amerikane, ai është detyruar vazhdimisht të godasë Turqinë”, shkruante e përditshmja, duke shtuar se ushtria dhe Kongresi Amerikan ishin ‘armiqësore’ ndaj Erdoganit.

Ai gjithashtu rikujtoi “sulmet agresive” kundër presidentit turk, nga kreu i Komitetit të Punëve të Jashtme të Kongresit të SHBA-ve, Eliot Engel, duke sugjeruar që edhe nëse Trump i ka bërë propozime Erdoganit, nuk është e qartë nëse ato do të përshtaten me ligjvënësit në Capitol Hill.

Shekulli Agency