Kryediplomatët e Izraelit dhe Jordanisë mbajnë takim sekret

Ministrat e jashtëm të Izraelit dhe Jordanisë kanë mbajtur të enjten një takim të fshehtë mbi çështjet bilaterale në kufirin izraelito-jordanez, sipas një gazete izraelite, transmeton (AA).

“Walla News” e Izraelit raportoi se ministri i Jashtëm izraelit, Gabi Ashkenazi dhe ministri i Jashtëm i Jordanisë, Ayman Safadi janë takuar në Urën Allenby, e njohur si Ura e Mbretit Husein. 

Raportohet se gjatë takimit u diskutua rifillimi i negociatave midis Palestinës dhe Izraelit dhe çështjet ekonomike midis Jordanisë dhe Izraelit.

Në takim, gjithashtu iu përcoll administratës së Amanit se presidenti i zgjedhur amerikan, Joe Biden, dëshiron të rifillojë procesin e paqes midis Izraelit dhe Palestinës pasi të marrë detyrën.

Pasi lajmi u publikua në shtypin izraelit, Ministria e Jashtme jordaneze konfirmoi takimin midis Safadi dhe Ashkenazi në një deklaratë me shkrim.

Sipas deklaratës së ministrisë, Safadi tha në takim se Izraeli duhet të ndalojë të gjitha masat që minojnë procesin e paqes dhe zgjidhjen me dy shtete.

Shekulli Agency