Dështon sërish seanca konstituive e Kuvendit të Kosovës

Ka dështuar për herë të dytë seanca konstituive e Kuvendit të Kosovës ku do të duhej të betoheshin deputetët e rinj dhe të emërohej kryetari dhe nënkryetarët e Kuvendit, raporton Anadolu.

Pas një konsultimi nga përfaqësuesit e partive parlamentare në një sallë e cila u caktua nga Sekretari i Kuvendit të Kosovës, nuk u arrit pajtueshmëri midis tyre se si të vazhdohet përpara.

Kryesuesi i seancës së Kuvendit të Kosovës, Avni Dehari, tha se në takim pati përfaqësues që shfaqën qëndrimet e tyre, por edhe të atillë që dolën nga salla. Sipas Deharit, kur u ndërpre seanca për herë të dytë, në sallë ishin 100 deputetë.

“Takimi shpërfaqi qëndrimet aktuale të tyre. Pati përfaqësues që e braktisën konsultimin. Fatkeqësisht nuk pati konsensus. Seanca do të vazhdojë brenda 48 orëve, në orën 12:00 më 19 prill 2025 me shpresë që deri atëherë do të ketë pajtueshmëri”, theksoi Dehari.

Ministrja në detyrë e Drejtësisë nga Lëvizja Vetëvendosje, Albulena Haxhiu, tha pas seancës se në takimin konsultativ nuk pati asnjë konsensus dhe sipas saj partitë kishin qëndrime të kundërta me njëra-tjetrën.

“Letra që presidentja Osmani ka drejtuar tek kryesuesi i seancës konstituive kërkon zgjidhje për të mos u bllokuar konstituimi i Kuvendit dhe për ta gjetur këtë zgjidhje duhen konsultime. Ne sot ishim të gatshëm që të japim kontributin tonë për zgjidhjet e mundshme që mund t’i kemi para vetes”, theksoi Haxhiu.

Ajo tha se Lëvizja Vetëvendosje do që ta korrigjojmë vendimin e gabuar të Kuvendit të Kosovës ku kundërshtuan me votë legjitimimin e deputetëve të rinj më 15 prill, por duhet të shohin se cila është mënyra për ta korrigjuar atë vendim, pasi një gjë e tillë nuk është e paraparë as me Kushtetutë, vendime të Gjykatë Kushtetuese apo Rregullore të Kuvendit.

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi, pas seancës tha se partia e parë uzurpoi një të drejtë kushtetuese, sipas tij duke penguar rrjedhën e seancës.

Krasniqi tha se Lëvizja Vetëvendosje nuk i ka numrat për themelimin e institucioneve dhe me këto veprime po dëshiron të blejë kohë, t’i blejë edhe 48 orë të tjera.

“Në vend që të zbatohet skenari seancës është keqpërdorur kjo e drejtë nga deputeti më i vjetër që kryesoi seancën, për të arritur qëllime partiake. Këta jo që nuk kanë shumicë, por as nuk janë afër shumicës. I ftoj të mos i mbajnë peng themelimin e institucioneve të Kosovës”, theksoi Krasniqi.

Edhe kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, tha se kryesuesi i seancës pa të drejtë ndërpreu seancën e sotme ndonëse kishte kuorum dhe kushte për të vazhduar me votim.

“Kjo është shkelje e rëndë, praktikë e pazakontë, sjellje e mbrapsht politike për të cilën nuk kemi arsyetime, por gjithsesi do të mblidhemi pas 48 orëve përsëri për të shprehur qëndrimet tona”, theksoi Abdixhiku.

Seanca konstitutive e Kuvendit e 15 prillit dështoi pasi nuk kaloi pika e parë e rendit të ditës, ajo e miratimit të raportit të Komisionit për verifikim të kuorumit dhe mandateve. Këtë raport nuk e votuan partitë opozitare PDK, LDK dhe AAK, të cilat u arsyetuan se kryeministri në detyrë Albin Kurti nuk dha me kohë dorëheqje nga pozita ekzekutive, për t’u bërë deputet.

Të martën, por edhe sot, më 17 prill, parashikohej që të bëhej betimi i deputetëve fillimisht, më pas emërimi i kryetarit të Kuvendit të Kosovës dhe nënkryetarëve, e më pas do të hapej mundësia edhe për votimin e Qeverisë së re të Kosovës.

Shekulli Agency