Çavusoglu: BE-ja ka mbyllur sytë me vite

Bashkimi Evropian (BE) nuk ka përmbushur premtimin e saj për fondet për refugjatët sirianë në Turqi, tha ministri i Punëve të Jashtme të Turqisë, Mevlüt Çavusoglu.

Ministri Çavusoglu po i përgjigjej në Twitter homologut të tij gjerman Heiko Maas, ku pyeti se cilat premtime janë përmbushur nga BE-ja.

“BE-ja nuk ka paguar as gjysmën e 6 miliardë eurove që ia ka premtuar Ankarasë për sirianët. Nuk ka përmbushur pranimin vullnetar humanitar dhe nuk ka mbështetur planin e zonës së sigurtë të Turqisë”, shkroi Çavusoglu.

Ai gjithashtu tha se Turqia nuk mund të përdorë dhunë për të ndaluar migrantët e parregullt që duan të largohen.

“BE-ja ka mbyllur sytë me vite. A nuk është koha që të merr përgjegjësi?”, shkroi ai.

Duke kritikuar qëndrimin e homologut të tij Maas, Çavusoglu tha se ka më shumë gjasa t’i besojë paralajmërimit të Maas-it nëse ky i fundit do të mund të paralajmëronte Greqinë për qasjen mizore ndaj migrantëve të parregullt.

“Aktualisht, ata po vrasin në mënyrë mizore migrantët në kufijtë e tyre”, tha ai.

Greqia përdor forcë të tepruar mbi migrantët e parregullt të paarmatosur në përpjekje për t’i ndaluar ata të hyjnë në territorin grek, përfshirë gaz lotësjellës, plumba gome dhe të vërtetë.

Dje, një migrant sirian u vra nga forcat greke dhe disa të tjerë u plagosën.

“Ne e shohim barrën e Turqisë. Turqia duhet të vazhdojë të përmbushë detyrimet e saj në bazë të marrëveshjes së BE-së. BE-ja kontribuon në kujdesin e ndershëm të refugjatëve. Ne nuk mund të lejojmë që ata të bëhen një top i lojës gjeopolitike”, shkroi dje Maas në Twitter.

BE-ja dhe Turqia nënshkruan një marrëveshje për refugjatët në vitin 2016 në të cilën BE-ja premtoi të sigurojë 6 miliardë euro ndihmë financiare që do të përdorej nga qeveria turke për të financuar projekte për refugjatët sirianë, ndërsa Turqia u pajtua që të ndihmojë në ndalimin e migrantëve të parregullt për të shkuar drejt Evropës.

BE-ja transferoi vetëm gjysmën e ndihmës financiare, por sipas kritikave nga Ankaraja, ajo nuk arriti të zbatojë premtimet tjera të marrëveshjes, përfshirë pranimin vullnetar humanitar dhe liberalizimin e vizave për qytetarët turq që udhëtojnë në Evropë.

“Epoka e sakrificave të njëanshme ka përfunduar”, tha dje presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan.

Mbi 100 mijë migrantë janë tubuar në kufirin turko-grek në ditët e fundit.

Qeveria greke të dielën kërkoi ndihmë nga BE-ja për të siguruar kufijtë e saj dhe njoftoi se ka ndaluar pranimin e kërkesave për azil për një muaj për shkak të presionit të rritur migrator.

Shekulli Agency