Poezi nga Marjeta Shatro – Rrapaj

Absurde

Stoikë në betejat e asgjësë,
ndërtojmë kështjella ajri
vetëm për dashurinë
e ëndrrave jetën ua shkurtojmë.
Mërguar prej vetes
me pamundësinë e zhbërjes së kohës,
me tatuazhet e saj depërtuar në lëkurë.
Na mund padurimi,
dehur nga opiumi i delirit,
endemi pa busull,
si pjesë e absurdit
në kërkim të shpirtit.

Nata

O e ëmbla natë!
Ti, që përkulesh lehtë
e shtrihesh mbi det!
Yjet m’ i sjell të gjithë ,
edhe hënën e ngrënë
mbuluar nga retë.
Ëndrrat e bukura m’i bën fjongo
në orët e mbetura vonë,
mbi qerpikë përkulesh ngadalë
e dashurinë ma sjell kaq pranë!

Lutje

E trishtë,
kjo ditë pa mbarim.
Asgjë nuk më çudit.
Misteri krahët ka shtrirë.

Jam mërgimtare e pasioneve të humbura
realitetit të pakuptimtë.
Rrethuar nga shtjella dhimbjesh
e përmbysur,
pentagramesh të copëzuara.
Shpirti i plagosur klith
ditët e panumëruara të dëshpërimit,
shpirti vlon
pafajësinë engjëllore,
që zbulon dobësinë
e një ikone,
lutur heshtaz
për shpirtrat njerëzorë.

Nuanca

Nuanca fijesh të ndritshme puthin tokën ëmbëlsisht,
e uji i shndritshëm qiellin pasqyron.
Përkulem para panoramës ngjyrë
e në duar mbaj aromën e stinëve.
Diellin kam vendosur kurorë
e blunë det përpij me sy.
Zemra mbushur me vullnetin hyjnor.
në më të lartat kulme perëndish.

Era luan me flokët,
në lëndinën e tingujve natyrë.
Mëngjesit të zgjuar agimesh
drej vetvetes, përherë në kërkim.

Shekulli Agency