Turqia mes stabilitetit dhe rrezikut global

 

Muhadin Limani

Muhadin Limani

Ballkani e me këtë edhe kufiri europian, Lindja e Mesme, Afrika e Veriut si dhe vendet balltike bashkë me Rusinë, pra i tërë ky rajon që sot është rajoni më i destabilizuar në botë, gjendet para një udhëkryqi të rëndësishëm – ato janë zgjedhjet në Turqi. Dilema që kanë qytetarët e Turqisë në zgjedhjet e 1 nëntorit, nuk janë vetëm zgjedhja që ata kanë në listat zgjedhore për të votuar njërën apo një parti tjetër, por ata janë të ballafaquar me një zgjedhje e cila e determinon edhe të ardhmen e rajonit me implikime globale. Zgjedhja e tyre është mes stabilitetit të Turqisë dhe destabilitetit të rajonit e me këtë vendosja në rrezik të ardhmes së shumë proceseve të rëndësishme globale.

Proceset globale dhe Turqia

Zgjedhjet e 1 nëntorit në Turqi definitivisht nuk mund të definohen vetëm si proces zgjedhor brenda një shteti, por ky është një moment që mund të sjellë avantazhe për paqen në rajon dhe glob por edhe për destabilizim me përmasa të paparashikueshme. Turqia dhe qytetari turk me 1 nëntor nuk do të gjendet vetëm mes dilemës se cilin numër të rrethojë në listën për votim, por ai do të jetë mes dilemës se kah do të shkojë rajoni dhe paqja në glob. Ata do të jenë të vendosur mes rrugës së trasuar nga Taip Erdogani dhe Ahmet Davutogllu e cila është një rrugë shumë e qartë dhe e njohur, që është një rrugë e paqes dhe stabilitetit dhe që promovohet përmes platformës “zero probleme me fqinjët”, duke siguruar kështu zhvillim ekonomik, infrastrukturorë, kulturorë e social, dhe nga ana tjetër do të kenë një rrugë të mistershme me shumë të panjohura që askush nuk e di se çka do t’i sjellë vendit dhe botës. Pra, nuk është e thjeshtë, nuk është vetëm një dilemë dhe nuk janë vetëm zgjedhje partish në një vend demokratik, por definitivisht këto zgjedhje janë një test dhe kontekst i rrallë që mund të ketë përmasa edhe globale por edhe afatgjate.

Shqiptarët dhe zgjedhjet ne Turqi

Ashtu siç edhe kemi konstatuar më lartë, këto zgjedhje në Turqi nuk kanë të bëjnë ekskluzivisht vetëm me Turqinë dhe qytetarët e atij vendi, pra proceset globale janë para një provimi të rëndësishëm. Në këtë mozaik të koklavitur me përmasa të mëdha, pa mëdyshje ekziston edhe implikim për shqiptarët. Madje, kur themi shqiptarët, fillimisht mendoj se Shqipëria është ajo që duhet të jetë e interesuar më së shumti. Më pas në këtë radhitje duhet të jetë Kosova e më pas edhe shqiptarët e Maqedonisë dhe të vendeve tjera. Por fatkeqësisht ky konstatim i imi nuk shoqërohet me ndonjë shqetësim nga instancat shtetërore të shteteve shqiptare sepse si duket ata edhe kësaj here janë të fjetur e të ngufatur në llumin e krimit dhe korrupsionit. Do të thoni ç’kemi ne me zgjedhjet në Turqi? Është e kuptueshme që shqiptarët e zakonshëm të preokupuar me krizat në shoqëritë shqiptare të parashtrojnë një pyetje të këtillë por një gjë e tillë nuk u lejohet instancave shtetërore që merren me marrëdhëniet ndërkombëtare. Turqia moderne, sidomos kjo e udhëhequr nga AK-Partia nën drejtimin e Taip Erdoganit e tash edhe të Ahmet Davutogllusë, e “shëroi” të “sëmurin nga Bosfori” duke e shndërruar atë në aktorin më të rëndësishëm rajonal e global. Ndërsa në raport me shqiptarët, ky vend u shndërrua në vendin më miqësor në raportet ndërkombëtare si nga aspekti i sigurisë e deri në raportet ekonomike e kulturore. Madje duke filluar që nga bombardimi i Jugosllavisë millosheviçiane e deri të njohja e Kosovës si shtet i pavarur. Këtu është ndihmesa për të inkuadruar Shqipërinë në NATO si dhe investimet ekonomike që ky vend i ka bërë në të gjithë vendbanimet e banuar me shqiptarë. Duke u nisur nga fakti se vetë kryeministrat e Kosovës dhe Shqipërisë pa hezitim e kanë shprehur hapur se Turqia është vendi më miqësor dhe shteti me të cilin duhet të ndërtojmë partneritet strategjik, bëhet i qartë pozicioni i shqiptarëve me Turqinë e sotme.

Të gjithë këto raporte nuk janë kryekëput në fokusin e vëmendjes dhe nuk janë të lidhura ngushtë me këto zgjedhje, por ajo që është determinuese për të ngritur vëmendjen dhe rëndësinë shqiptare ndaj këtyre zgjedhjeve në Turqi është dimensioni i sigurisë. Turqia e gjendur në mes zhvillimit të saj në trajektoren që siguron stabilitet dhe mes destabilizimit që mund të ketë pasoja të paparashikueshme implikon ndjeshëm rajonin dhe sidomos shqiptarët. Andaj rëndësia dhe vëmendja jonë medoemos duhet që këtyre ditëve të jetë e drejtuar kah zhvillimet në Turqi. Nëse pas zgjedhjeve të 1 nëntorit rezulton që AK Partia fiton zgjedhjet dhe formon qeverinë, kjo do të nënkuptonte zhvillim të proceseve të cilat janë mirë të njohura për shqiptarët dhe nëse vlerësojmë objektivisht kjo rezultantë është fitimprurëse për raportet shqiptaro-turke. Por, nëse pas këtyre zgjedhjeve mbetet e hapur dilema se kush do drejtojë qeverinë e ardhme të Turqisë, kjo do të hapte shumë dilema madje do të hapej edhe “kutia e Pandorës” në raport me zhvillimet e sigurisë në rajon.

Për këto arsye dhe për shumë të tjera, shqiptarët e shteteve shqiptare duhet që këtyre ditëve të shndërrohen në veshë e sy në raport me zgjedhjet në Turqi, ndërsa shqiptarët që jetojnë në Turqi, duhet që kësaj here të jenë më të ndjeshëm ndaj senzitivitetit dhe rëndësisë së këtyre zgjedhjeve dhe të mendojnë dy herë se në cilën kuti hedhin “kokrrën” e tyre sepse përveç interesit të tyre si shtetas të këtij vendi ata kësaj here votojnë edhe për të mirën e shqiptarëve gjithandej.

*Autori është student – master në Degën e Diplomacisë pran UEJL

Shekulli Agency