Trepça po punon, por kush po ndërtohet?!

agim-popoci-9877Njerëzit duhet ta kuptojnë se Trepça është minierë në tokën e Kosovës dhe i takon qytetarëve të Kosovës, pavarësisht nëse janë shqiptarë ose serbë.” Kjo është njëra nga konstatimet e rralla që kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, tha për Kosovën dhe është e saktë. Se pse ia tha homologut të tij serb në Beograd, Aleksandar Vuçiq, dhe nuk e sqaroi atë kosovar, Isa Mustafën, nuk është e qartë. Por, kjo bëri që Isa të futet në një aventurë me ligje për ta dëshmuar këtë fakt për Trepçën, e cila sot pa hyqmin e Beogradit po punon dhe nuk është e qartë se kush po ndërtohet.    

Shkruan: Agim POPOCI, Mitrovicë

Një legjendë urbane e viteve të ’70-ta është rrëfyer me vite të tëra se si një inxhinier britanik kishte ardhur në një konferencë shkencore në Kosovë dhe rrugës nga aeroporti i Beogradit për në Prishtinë, meqë e kishte kuptuar se shoferi dhe makina me të cilën po udhëtonin ishin të Trepçës, ishte interesuar për këtë gjigant ekonomik si ishte aktualisht. Duke i bërë me dije shoferit se ai dikur kishte punuar në Trepçë dhe se do të kishte dëshirë ta vizitonte Mitrovicën, meqë e kishin rrugës për në Prishtinë, ai kishte vazhduar rrëfimin për minierën: “Mund ta imagjinoj se si është sot Mitrovica, me skaje të rrugës prej argjendi, abazhure rrugësh prej ari, makinat e orëve të fundit…” e derisa inxhinieri britanik fliste e shoferi djersitej, duke menduar se si do ta fuste në Mitrovicën e mjerë e të varfër, thotë legjenda, gjumi e shpëtoi gjithë situatën. Në momentin që kalojnë pranë Mitrovicës britaniku ishte në një gjumë të thellë, ashtu që ata vazhdojnë rrugën për në Prishtinë e në destinacion shoferi ishte arsyetuar se nuk e kishte zgjuar meqë ai ishte në gjumë të thellë.

Kjo legjendë është rrëfyer e stër-rrëfyer, është folur për Trepçën e pasur përplot me ari, për gjithë këtë ari që shkon i tëri në Beograd për ta ndërtuar atë, ndërkohë që Mitrovica mezi e kaloj një 5-6-vjeçar të mirëqenies normale gjatë viteve të ‘70-ta dhe, për çudi, e dallonte shumë nga qytetet tjera të Kosovës, edhe pse bëhej fjalë për një interval shumë të shkurtër kohor të kësaj mirëqenie. Erdhi pastaj viti 1981, arrestimet dhe vrasjet e shqiptarëve nga pushteti serb, për të ardhur te një ndarje përfundimtare në vitin 1989, kur greva e minatorëve ia bëri të qartë Millosheviqit se për çfarë ishin përcaktuar shqiptarët e Kosovës. Por, jo vetëm greva e minatorëve, por edhe Trepça dhe Mitrovica janë dy çështjet kryesore që u përdorën nga politika, si e Beogradit ashtu edhe Prishtinës, që nga dita e parë që komunistët serbë e propaganduan vëllazërim-bashkimin dhe bashkëjetesën ndërmjet popujve të Jugosllavisë.

Por, edhe para se të vijnë këta vrasës, për mbretërinë serbe dhe atë jugosllave sërish ekzistojnë vetëm legjenda. Sepse, gjendja e mjerë në të cilën ishte miniera, faza përgatitore e kompanisë britanike që e kishte marrë me koncesion 50-vjeçar këtë minierë (1927-1929), për ta bërë të shfrytëzueshme, dhe dëshmia e pasluftës së fundit se çfarë mund të bëhet për 17 vjet në Trepçë dhe cila është situata sot, dëshmon se asgjë nuk ka mundur të bëhet nga viti 1913, e lëre më 1929 deri në vitin 1941 e tutje! Ose, ndryshe, nëse për këto 17 vjetët e fundit është nxjerrë aq shumë ari sa pretendohej për serbët dhe britanikët, duhet të konfirmohet se kush është ndërtuar për këtë 20-vjeçarin e fundit.

Dhe, shqiptarët në fund fare duhet ta kuptojnë se çfarë ka ndodhur dhe çfarë po bëhet me Trepçën, kush e humbi dhe kush e fitoi apo, thjesht, është një flluskë sapuni e sajuar nga dyshja Mustafa-Vuçiq, në një situatë kur bisedimet Beograd-Prishtinë nuk po lëvizin dot ashtu siç nuk do të lëvizte Trepça me ose pa Ligjin për Ndërmarrjet Publike që do ta mbronte nga likuidimi, e që papritmas u bë çështje madhore e patriotizmit shqiptar dhe, patjetër, e atij serbë.

Isë shpëtimtari

Nga kjo qeveri e Kosovës me në krye Isa Mustafën mund të priten shumë çudira, por që ajo do të shpëtojë diçka, në veçanti Trepçën, kjo nuk do të ndodhë, kjo është e sigurt. Jo pse Trepça si e tillë nuk mund të shpëtohet, por kjo qeveri ka dëshmuar se është injorante për ekonomi dhe biznes dhe nuk aplikon transparencë në asnjërën prej lëvizjeve që bën, në mënyrë që diçka të përkufizohet edhe si shpëtim.

Të fillojmë nga aksioni i shpëtimit! Për këtë “Trepçë të madhe”, në një ditë të bukur, shqiptarët e Kosovës u informuan se do të likuidohet dhe se duhet të miratohet një Ligj për Ndërmarrjet Publike, në mënyrë që ajo të shpëtojë. Si gjithmonë, e para që hapi gojën dhe nuk pushonte ishte ajo që e solli Trepçën në këtë derexhe, politika. Nuk mungoi as ringjallja e thashethemeve për këtë gjigant ekonomik që “dikur ka mbajtur gjithë Jugosllavinë”, parullën e famshme “Trepça punon, Beogradi po ndërtohet”, “Trepçën e ka shitur Millosheviqi dhe nuk ka se çfarë të shpëtohet” etj. etj. Nga ana tjetër sërish dëgjohen marrëzira nga Beogradi mbi një pasuri 200 miliardë euroshe të Trepçës, për një minierë që shfrytëzon minerale që nxirren në nëntokën e Serbisë qendrore, edhe pse hyrja në minierë është në jug të Mitrovicës, e deri tek absurdi se Trepça është e Serbisë dhe, nëse miratohet një ligj i tillë, ai do të përfundojë në Këshillin e Sigurimit të OKB-së. Dhe, pa u thënë asnjë fjalë e vetme për likudimin, si erdhi ai, çfarë u trashëgua pas çlirimit, çfarë u administrua nga UNMIK-u, AKM-ja e AKP-ja, sa vlen vërtet Trepça, pse duhet ky ligj dhe çfarë do të shpëtojë nga gjithë kjo zallamahi.

Isa dhe punët e tij e çuan në Parlamentin e Kosovës projektligjin me një arsyetim odash. “Me këtë projektligj synojmë të hapim të ardhmen e Trepçës, e assesi ta rikthejmë të kaluarën e Trepçës. Për përgatitjen e këtij ligji, janë shfrytëzuar përvojat  nga vendet dhe rastet e ndryshme për të gjetur një zgjidhje e cila e ndihmon zhvillimin ekonomik, e cila i respekton kriteret e ekonomisë së tregut dhe e cila i mbron interesat e punonjësve, përkatësisht të minatorëve të Trepçës. Ligji e përcakton qartë se resurset minerare janë pronë e Republikës së Kosovës. Prandaj me këtë ligj prona e Trepçës mbetet pronë e Republikës së Kosovës, ndërsa shfrytëzimi i resurseve minerale bëhet në bazë të licencës për hulumtim dhe zhvillim të lëshuar në përputhje me ligjet e Republikës së Kosovës. Trepça, sipas këtij ligji, do të organizohet si shoqëri aksionare, në të cilën aksionar kryesor do të jetë Qeveria e Republikës së Kosovës me 80 për qind të aksioneve dhe 20 për qind do të jenë aksione të punonjësve të Trepçës”, tha kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa me rastin e prezantimit. Aleati serb i Isës, Lista “Srpska”, me urdhër nga Vuçiqit, bëri edhe kundërshti primitive, siç e do zakoni, e lideri i këtij grupimi shovinist serb në Parlamentin e Kosovës, Sllavko Simiq, u shpreh: “Komuniteti serb që jeton ne Kosovë dhe ne si përfaqësues jemi të bindur se kjo i rrezikon punëtorët dhe popullatën serbe. Prandaj konsiderojmë se zgjidhja e kombinatit të Trepçës duhet të jetë në të mirë të zhvillimit të të gjitha komunave te Kosovës. Lista “Srpska” gjithmonë ka qenë e gatshme ta mbështesë çdo bazë juridike, që të gjitha problemet të zgjidhen me dialog. Ky projektligj është i papranueshëm. Ne duam që kjo të zgjidhet me dialog e jo me projektligj. Dëshiroj t’ju dërgoj një mesazh qytetarëve të komunitetit serb dhe punëtorëve, që ky projektligj të mos votohet dhe ne e përkrahim këtë kërkesë qëllimmirë. Unë i ftoj të gjithë deputetet të shtyhet projektligji”.

Askush nuk dëgjoi zërin serb në Qeverinë e Kosovës që buron nga Beogradi. Vetëvendosje!, madje, kishte frikën se me këtë ligj Trepça do të shitet, por pas një debati të stërgjatur, me një nxitim të pakuptueshëm dhe kushte të jashtëzakonshme që u krijuan me zgjatjen e seancës edhe pas mesnatës, ky ligj u miratua në orët e para të 8 tetorit 2016, duke u shitur si një “shpëtim” i madh. Ndonëse për një njohës të bazave elementare juridike rreziku i likuidimit të Trepçës nga një gjykatë është një non-sens dhe për këtë mjafton të kesh dëgjuar për togfjalëshin “pezullim i vendimit”, Isa nuk hoqi dorë nga protagonizmi i shpëtimtarit. Edhe pse nuk tha se çfarë dhe sa u shpëtua, ai vazhdoi me përdorimin e manipulimit “Trepçë”, Lista “Srpska”, si plangprishëse e shtetndërtimit të Kosovës, filloi dhe po kërcënon tashmë rëndë me telenovelën “Gjykata Kushtetuese”, një shans juridik të cilin e ofron Plani i Ahtisarit dhe e nxiti Isa me sejmenët e tij analfabetë. Për çfarë?! Për t’i treguar Vuçiqit se Trepça është e Kosovës kur ajo është e saj! Për t’u hapur mundësitë e shitjes kur ajo edhe nën “hyqmin” e AKP-së mund të shitej! Për ta bërë Vuçiqi nul ligjin e  miratuar nga Parlamenti i Kosovës në mbledhjen e Qeverisë së Serbisë, edhe pse nuk ka kurrfarë vlere! Apo, për të bindur qytetarët e Kosovës se, nëse nuk di ta bëjë ushtrinë e Kosovës dhe demarkacionin e kufirit me Malin e Zi, nuk është se nuk di ta ruajë edhe Trepçën!

Çfarë ndryshoi Isa?!

“Trepça” për herë të parë është regjistruar si kompani britanike më 9 dhjetor 1927 në Londër. “Trepca Mines Limited” ishte pjesë e kompanisë “Selection Trust”, pronar i së cilës ishte Alfred Chester Beatty. Kompania mori me koncesion nga shteti jugosllav minierat e “Trepçës” për një shfrytëzim 50-vjeçar, që përfshinte edhe minierat e Kopaonikut dhe atë të Zletovës. “Trepça Ltd”, që njërin nga aksionarët e kishte edhe kryeministrin serb Pashiq, filloi prodhimin në vitin 1929, pasi që britanikët bënë hulumtimet gjeologjike, gjeofizike dhe gjeografike dhe e ndërtuan termocentralin, teleferikun dhe rrugët.

Më 1941 gjermanët e ndërprenë të drejtën e shfrytëzimit të minierës për britanikët, por asgjë nuk  ndryshoi as me ardhjen e komunistëve në vitin 1944. Komunistët e vazhduan shfrytëzimin e kësaj miniere me kapacitet të plotë, ndërkohë që në kuadër të këtij gjiganti ekonomik funksionuan minierat “Crnac” dhe “Dheu i bardhë”; mihja sipërfaqësore “Koporish”, Flotacionin Leposaviç, metalurgjia e plumbit në Zveçan; minierat në Stantërg, Hajvali, Kishnicë dhe Novo Bërdë; flotacionet “Tuneli i parë” dhe “Kishnica”; metalurgjia e zinkut, industria kimike dhe fabrika e akumulatorëve; përpunimi i mbetjeve dhe njësitë përcjellëse, transporti, administrata etj. Të dhënat zyrtare komuniste kanë folur për prodhimin vjetor prej 80 mijë tonë plumb dhe 50 mijë tonë zink, ama për ari asnjë fjalë. Derisa këto ditë dëgjojmë çmendurinë serbe se Serbia na paska investuar në ekonominë e Kosovës 17 miliardë dollarë, rezervat e Trepçës janë 50 milionë tonë zink dhe se “Serbisë po i merret një pasuri prej më shumë se 200 miliardë eurosh.”

Vërtet për arin nuk ka gjurmë reale të prodhimit, por Enti Republikan për Zhvillim në studimin e tij nga viti 1997 “Program ekonomsko-finansijske konsolidacije privrede AP Kosovo i Metohija“ ( “Programi ekonomik-financiar i konsolidimit të ekonomisë së Krahinës Autonome të Kosovës) thekson se: “Duke u bazuar në statusin e rajoneve më të pazhvilluara të Serbisë dhe RSFJ-së, për zhvillimin e Kosovës nga viti 1961 deri në vitin 1990 ndahen 17.6 miliardë dollarë ose 587 milionë dollar në vit”. Pra, kemi të bëjmë me para nga Fondi Federativ për Zhvillimin e të Pazhvilluarve ose para nga të gjitha republikat jugosllave. Ndërkohë, sa u përket “rezervave të plumbit dhe zinkut” prej 50 milionë tonëve, fjala është për mineral dhe jo metal, plumb dhe zink, që del nga ai mineral.

Shqiptarët në Jugosllavi punuan si punuan, por largimi i tyre dhe ardhja e njerëzve Millosheviqit nuk solli ndonjë risi në ecurinë pozitive të minierës. Legjendat sërish folën për shitjen e Trepçës nga Millosheviqi për interesa të kompanive greke, franceze etj., por në negociatat për statusin përfundimtar të Kosovës në Vjenë as Tadiqi dhe as Koshtunica nuk ofruan dokumente mbi pasurinë e Trepçës; ndërkohë, as ekspertët serbë të ekonomisë, që po përballeshin me ekipin e Martti Ahtsarit, nuk arritën të sigurojnë nga shteti i tyre, Serbia,  asnjë dëshmi të vetme. Vetëm se dihej që nga muaji gusht i vitit 2000 Trepça administrohej nga UNMIK-u, i cili e themeloi dhe regjistroi kompaninë “Trepça under UNMIK Adminsitration“. Pas dy vitesh, UNMIK-u e transferoi këtë ndërmarrje në Agjencinë Kosovare të Mirëbesimit (AKM), e më pas Agjencia Kosovare e Privatizimit (AKP), e cila u formua në vitin 2008 pas shpalljes së pavarësisë, u shpall kompetente. Një vit më pas kjo agjenci e riregjistroi kompaninë me seli në pjesën jugore të Trepçës.

CV-ja juridike e Trepçës dëshmon se kur qeveria, qoftë ajo sundimtare serbe e Pashiqit ose ajo komuniste e Titos, nuk është se kanë mbrojtur diçka me vendimet e tyre dhe këtë gjë nuk do të mund ta bëjë as kjo e Isa Mustafës. Madje, forca e këtij vendimi të Isës dhe, më pas, Parlamentit të Kosovës, që për momentin e mori seriozisht edhe Beogradi zyrtar dhe Vuçiqi, nuk ndryshonte fare nga ai i AKP-së. Aleksandar Vuçiqi u zmbraps shpejt pas kërcënimeve idiote të Marko Gjuriqit, që shkonin deri në KS të OKB-së dhe arbitrazh dhe e kuptoi se për këtë lëvizje nuk ka kokë Isa, por kjo bëri që të lëvizin shumë gurë për një kohë të shkurtër: u pa se në Parlamentin e Kosovës votat pozitë-opozitë edhe mund të bashkohen dhe se deputetët serbë nuk e kanë mendimin e tyre autonom.

Se pse u tremb e gjithë klasa politike joserbe e Kosovës nga vlerësimet marramendëse serbe dhe legjendat e rrëfyera me vitet e tëra në Kosovë, edhe pse ka studime të shumta nga gjeologë shqiptarë që flasin për Trepçën dhe pasurinë e saj, kjo nuk është e qartë. Për ta kuptuar se asgjë nuk ndryshoi me miratimin e Ligjit për Ndërmarrje Publike, Isa, dhe jo vetëm ai, përveç se duhet ta bëjë një studim të mirëfilltë gjeologjik e gjeofizik, me plan të qartë biznesi për Trepçën, duke e bërë menjëherë publik, duhet ta kenë të qartë edhe se kur është fjala në raport me Serbinë, çdo gjë duhet ta marrin me rezervë, qofshin këto edhe studime shkencore serbe që ishin hartuar për llogari të shtetit serb. Për minierat dhe vlerësimet marramendëse serbe, rasti i RTB “Bor” dëshmoi se studimet e bëra përgjatë regjimit jugosllav jo se kanë ndonjë vlerë të madhe dhe nuk garantojnë asgjë. Kjo mund t’i qetësojë edhe ndrojtësit e shitjes së Trepçës. Sa për krahasim, “Bor” në studimet zyrtare serbe ka rezerva të mineralit të bakrit deri në 1,5 miliardë tonë, pra 30 herë më shumë se rezervat kosovare me plumb-zink, por kur para dhjetë viteve Qeveria e Serbisë tentoi ta shesë, nuk gjeti një blerës serioz. Dhe, përkundër kësaj pasurie që e posedon, RTB “Bor” nuk mundi të mbijetoi pa ndihmën e shtetit. Fakt ky që nuk i jep përgjigje vetëm çështjes së Trepçës…

Shekulli Agency