Tokë për pushtet

Abdi-BaletaNë fillim të gushtit kryetari i Kuvendit të Kosovës shpalli se më 1 shtator 2016 ky Kuvend do ta kryejnë punën për miratimin “Marrëveshjes mbi demarkacionin e kufirit me Malin e Zi”. Një ngutje disi e pakuptueshme për të vendosur kështu, kur nuk ka ndryshuar asgjë në rrethanat politike të Kosovës lidhur me këtë problem, që ka shkaktuar përplasje të forta politike midis pushtetit ekzekutiv dhe Vetëvendosjes, e cila nuk i ka braktisur skenat e pazakonta parlamentare me lëshim gazi tymues e lotsjellës, që të dëgjohet zëri i saj opozitar.

 

Shkruan: Abdi Baleta, Tiranë

Titullin e mësipërm të shkrimit ma sollën në mendje tri raste transaksionesh territoriale e kufitare midis shtetesh në kohë të ndryshme.

Së pari, mu kujtua formula “Peace for Land” (Tokë në këmbim të Paqes), që u përdor si mbulesë e si karrem për bisedimet e fshehta izraelito-palestineze mbi marrëveshjet e Oslos të vitit 1993, të cilat nuk kanë sjellë asnjë rezultat të dukshëm deri tani. Natyrisht midis rastit izraelito-palestinez dhe atij shqiptaro-malazez ka fare pak ngjashmëri: premtohet tokë për të arritur një qëllim politik. Por, ka një ndryshim shumë të madh në natyrën e këtij premtimi: pushtetarët e Izraelit premtonin t’u kthenin palestinezëve, në këmbim të lëshimeve të ndjeshme politike, ndonjë copë nga territoret që Izraeli ua kishte grabitur me luftë. Në rastin e Kosovës bëhet fjalë që t’i japin tokë një shteti e populli, të cilit shqiptarët nuk i kanë marrë asgjë. Pushtetarët kosovarë po tregojnë gatishmëri të skajshme t’i japin Malit të Zi mijëra hektarë truall të Kosovës pa përfitim për shtetin e vet.

Së dyti, mendja duhet të na shkojë tek ngjashmëria flagrante e marrëveshjes kosovaro-malazeze me ujdinë që bëri me Greqinë, pothuajse në fshehtësi, diplomacia (Berisha-Basha) e Shqipërisë për një vijë ndarëse shumë problematike të ujërave territoriale e të shelfit kontinental. Kjo marrëveshje, fatmirësisht, nuk u paraqit në parlament, ku me siguri do të ishte ratifikuar, pasi opozita, Partia Socialiste, e ankimoi në Gjykatën Kushtetuese si marrëveshje të paligjshme dhe të dëmshme për Shqipërinë. Gjykata Kushtetuese mori vendimin e drejtë për ta hedhur poshtë atë, duke e bërë kështu të paqenë e të pavlefshme. Fatkeqësisht, në Kosovë gjërat nuk e kanë ndjekur këtë ecuri, sepse duket rrethanat janë zhvilluar ndryshe. Atje nuk ka Gjykatë Kushtetuese të tillë që të pengojë qoftë për njëfarë kohe miratimin e marrëveshjes me Malin e Zi, derisa të qartësohen përfundimisht punët midis shqiptarëve. Në ndryshim nga rasti i “faljes së detit” në Shqipëri, faktorët ndërkombëtarë ushtrojnë trysni të fortë që qeveria e Kosovës ta përfundojë sa më parë procesin e nisur në dobi të Malit të Zi, që ky shtet të afrohet më shumë me NATO-n e të largohet nga Rusia.

Së treti, është rasti shumë i njohur dhe i përfolur i marrëveshjes midis Shqipërisë dhe Jugosllavisë së Parë për qartësimin (rektifikimin) e kufirit në zonën rreth kishës ortodokse sllavo-bizantine të Shën Naumit, në cepin juglindor të Liqenit të Ohrit. Konferenca e Londrës e vitit 1913, kur vendosi delimitacionin e kufijve të shtetit të cunguar shqiptar, nuk e kishte bërë fort të qartë këtë delimitacion dhe kishte lënë një shkas për konflikt në fazën e dytë, atë të demarkacionit. Instancat diplomatike evropiane, që u morën me këtë konflikt, dhanë disa herë vlerësime kontradiktore dhe përfundimisht ua lanë në derë palëve, serbe e shqiptare, ta zgjidhnin me marrëveshje midis tyre. Për më tepër, gjendja në terren nuk ishte aspak e favorshme për shtetin shqiptar, sepse Shën Naumi mbahej i pushtuar nga ushtria serbe, që nuk dëbohej dot pa luftë. Kuptohet që shteti i sapongritur shqiptar nuk kishte asnjë mundësi praktike të hynte në luftë. Po të kishte një mundësi të tillë, ai luftën duhej ta bënte për të rimarrë Kosovën, ejo për të mbajtur një kishë ortodokse sllavo-bizantine, për të cilën bënin potere kryesisht ortodoksët e Korçës, që synonin të kishin edhe një “republikë autonome ortodokse” në këtë krahinë. (“Memorandumi i të Krishterëvet Shqiptarë”, në “Shqipëri e Re-Albania Noua”, Konstancë-Rumani 10 prill 1921; Harallamb Kota, ”95-vjetori i Memorandumit të parë të Korçës 13-19 shkurt 1921”. “Telegraf” 13 shkurt 2016).

*          *          *

Megjithatë, në Shqipëri deri tani është folur e shkruar pa pushim se marrëveshja që u bë për Shën Naumin ishte falje ose shitje nga Ahmet Zogu i territorit shqiptar si shpërblim që Serbia e Pashiqi e kishin ndihmuar të vinte në pushtet më 1924. Pra, ishte “kishë për pushtet”. Akuza pa vend për “shitje të territorit shqiptar” i ishin bërë edhe më herët (dhe i bëhen tani) edhe Esat Pashë Toptanit, që komandoi për 7 muaj (fillimisht si zëvendëskomandant i kolonelit turk Hasan Riza Pasha) ushtritë osmano-shqiptare që mbrojtën Shkodrën e rrethuar nga ushtritë serbo-malazeze. Kjo mbrojtje heroike bëri që Shkodra sot është në Shqipëri dhe nuk u humb si Janina. Marrëveshjen për dorëzimin e Shkodrës, për pak kohë, Esat Pashë Toptani e bëri vetëm pasi i kishin shteruar të gjitha mundësitë për rezistencë dhe diplomacia ndërkombëtare kishte vendosur që Shkodra t’i mbetej Shqipërisë.

*          *          *

Marrëveshja e përfolur për Shën Naumin përbën në fakt një rast dhe shembull konkret që dëshmon se si, edhe nga pozitat e më të dobëtit, shteti shqiptar me diplomacinë e shkathët arriti të përfitonte duke dhënë një “Kishë për Tokë”. Në këmbim për këtë kishë Shqipëria mori fshatin Peshkëpi të banuar nga shqiptarë ortodoksë, që kërcënoheshin me shkombëtarizim, mori një sipërfaqe toke të punueshme e kullosë prej 22 kilometrash katrorë (22 herë më të madhe se ajo e kishës) dhe përfitime të tjera. Këtë fakt e pohojnë edhe studiues antizogistë dhe është e shënuar në dokumente zyrtare. Megjithatë, klishetë propagandistike se “Zogu shiti ose fali Shën Naumin” janë ende në qarkullim. Kështu ka ndodhur dhe në rastin e botimit më të fundit e shterues të dokumenteve në librin prej 700 faqesh nga historiania Kaliopi Naska, “Shën Naumi dhe diplomacia e kohës”, Tiranë 2012. Vetë autorja nxjerr përfundime të gabuara, që i hedh poshtë vetë libri që ka përgatitur. Është e habitshme që disa politikanë kosovarë dhe disa studiues e propagandistë që i mbështesin në Shqipëri kundërshtimet e tyre ndaj demarkacionit me Malin e Zi përpiqen ta përqasin në mënyrë krejt të gabuar negative me marrëveshjen për Shën Naumin.

*          *          *

Kur bisedohet e debatohet për mënyrën se si është përgatitur dhe po i imponohet Kuvendit të Kosovës “Marrëveshja për demarkacionin me Malin e Zi”, do të ishte shumë dobiprurëse një qasje serioze ndaj marrëveshjes për “Shën Naumin”, duke u nisur pikësëpari nga këndvështrimi i vlerave politike, diplomatike e juridike që ajo ka edhe për sot. Marrëveshja për Shën Naumin nuk u përgatit në gjysmë fshehtësi nga qeveritarët shqiptarë të kohës, as si pazarllëk i keq me formulën “kishë për pushtet”, por çdo gjë u bë me transparencë të plotë para legjislativit e para opinionit publik. U zhvillua një veprimtari e dendur e dinjitoze diplomatike, duke sqaruar ose edhe kundërshtuar instancat europiane. Do të ishte me shumë vlerë që kështu të ishte vepruar deri tani ose të veprohet tani e tutje për rastin e “Marrëveshjes mbi demarkacionin me Malin e Zi”. Për seriozitetin e kësaj qasjeje në përcaktimin e vijës së kufirit në terren (që quhet demarkacion, në dallim nga përcaktimi i vijës në hartë, që quhet delimitacion) të bind korrespondenca e gjatë diplomatike që është bërë në rastin e Shën Naumit, e që mbush librin voluminoz të përgatitur nga Kaliopi Naska. Pse të mos veprohet me këtë seriozitet edhe për marrëveshjen mbi kufirin midis Kosovës me Malin e Zi?!

*          *          *

Libri i përgatitur nga Kaliopi Naska fillon me një listë prej 249 dokumentesh të korrespondencës qeveritare e diplomatike, nga 19 mars 1913 (Projekti austro-italian mbi kufirin jugor të Shqipërisë) deri më 30 korrik 1926 “Akti final i regjistrimit të kufijve të Shqipërisë” në Sekretariatin e Përgjithshëm të Lidhjes së Kombeve”. Sa vite punë intensive për çështjen e një kishe! Pse gjithë ky nxitim i madh për një “demarkacion kufiri” në bjeshkët midis Kosovës e Malit të Zi? Për më tepër, pse ky tension e padurim kaq i madh në politikën kosovare për t’i dhënë Malit të Zi shpejt e shpejt, pa u sqaruar mirë si është e vërteta, pa i bindur njerëzit për këtë të vërtetë, disa mijëra hektarë bjeshkë, kur dihet se bjeshkët nuk i lëviz asgjë nga vendi.

*          *          *

Pjesa më me rëndësi dhe më me dobi në librin e historianes Kaliopi Naska janë sigurisht bisedimet e bëra në Parlamentin Shqiptar, raportimet që bënte herë pas here Komisioni i ngarkuar nga qeveria dhe disa ministra të qeverisë për ecurinë e bisedimeve me jugosllavët. Komisioni kryesohej nga një personalitet politik me emër e përgatitje të mirë, si Mehdi Frashëri, i cili me kërkesë të Mbretit Zog në mërgim, ka bërë më 31 janar 1960 edhe një shkrim shpjegues mbi marrëveshjen e Shën Naumit. (“GSH”, 10 janar 2002). Komisioni dhe qeveria i drejtoheshin disa herë Parlamentit për t’i kërkuar mendim e vlerësim për qëndrimet që po të mbanin, për të marrë autorizim e miratim për bisedimet shtesë e hapat e mëtejme. Edhe kur deputetët thoshin se Komisioni e Qeveria ishin veshur tashmë me plotfuqitë të vepronin pa miratime të ndërmjetme qëndrimesh, Komisioni ngulte këmbë që Parlamenti të ishte i përfshirë në të gjitha fazat e bisedimeve, deri në miratimin e tekstit përfundimtar. Ndërkaq në rastin e marrëveshjes kufitare midis Kosovës e Malit të Zi kemi dëgjuar vazhdimisht ankesa nga deputetë opozitarë se qeveria po i lë në terr informativ, nuk dëshiron t’i mbajë në dijeni për hapat që hidhen, për argumentet që shkëmbehen, por synon ta vë Parlamentin para një fakti të kryer gjatë një seance formale për miratimin e tekstit përfundimtar. A do të ndodhë pikërisht kjo gjë më 1 shtator 2016?!

*          *          *

Gjatë procesit të bisedimeve për marrëveshjen mbi Shën Naumin bëhej vazhdimisht e qartë se pala shqiptare po hiqte dorë vetëm nga një “monastir ortodoks”. Kryetarët e Parlamentit, Eshref Frashëri e Pandeli Evangjeli, në letrat e tyre e kanë theksuar qartë se bëhej fjalë për “Rektifikimin e kufirit” nëpërmjet shkëmbimit të territorit. Pra, nuk bëhej fjalë për “cedim territori”, sikurse duket se po ndodh tani midis Kosovës e Malit të Zi. Për fat të keq, në Shqipëri jo vetëm propagandistë të rëndomtë, por edhe specialistë të së drejtës ndërkombëtare, nuk heqin ende dorë nga terminologjia e pasaktë juridikisht se marrëveshja për Shën Naumit ishte për “cedim territori”, që nënkupton “shitje” ose “falje” territori. Nuk e di se cili term është përdorur në marrëveshjen e Kosovës me Malin e Zi: “rektifikim kufiri”, “cedim territori”, “pjesëtim territori” ose, thjesht, “saktësim i vijës së kufirit me vendosjen e shenjave të dallueshme kufitare (piramidave)”. Jam i bindur se nuk shkojnë termat “pjesëtim ose ndarje territori”, sepse ai territor prej mijëra hektarësh nuk mund të ketë qenë deri tani “tokë e askujt”. Po a ka dokumente të qarta se tokë e kujt ka qenë”! Kush i ka ato dokumente?

Në një kuptim të ngushtë për pjesëtim territori mund të bëhet fjalë në marrëveshjen e dështuar midis Shqipërisë e Greqisë për ndarjen e ujërave territoriale e të shelfit kontinental. Por, edhe këtu pjesëtimi nuk mund të bëhet me dorë krejtësisht të lirë, sepse ekzistojnë rregulla të vendosura nga e drejta ndërkombëtare, veçanërisht nga Konventa e OKB-së mbi të Drejtën e Detit. “Rektifikimi i territorit” është term i papërshtatshëm kur bëhet fjalë për mijëra hektarë që Kosova bëhet gati t’ia lëshojë Malit të Zi. “Rektifikimi” bëhet në hapësira shumë më të kufizuara e për arsye tejet specifike. Problemi i një sipërfaqeje të tillë të madhe duhej të ishte zgjidhur qysh në fazën e delimitacionit, e jo të lihej për në fazën e demarkacionit. Po kush dhe kur e ka bërë delimitacionin e kufirit midis Kosovës e Malit të Zi, si dy shtete të sotme të pavarura? Nuk ka kuptim të flitet për “demarkacion” nëse nuk është bërë më parë “delimitacioni”.

*          *          *

Pra, rasti i Shën Naumit vlen shumë për të kuptuar se si duhet trajtuar një problem dhe një marrëveshje kufitare nga këndvështrimi politik, diplomatik e juridik. Ka edhe shumë konsiderata të tjera që duhen mbajtur parasysh për të gjykuar se ç’po u ndodhë shqiptarëve dhe Republikës së Kosovës me marrëveshjen për demarkacionin e kufirit me Malin e Zi. Për këto kanë folur e shkruar mjaft politikanë e specialistë në Kosovë, madje dhe në Shqipëri. Janë dhënë mendime shumë të vlefshme, që vënë në diskutim bazueshmërinë e kësaj marrëveshje dhe sidomos këmbënguljen e Qeverisë së Kosovës për ta mbyllur atë sa më parë. Është shqetësues fakti që nuk janë të qarta kriteret mbi të cilat është proceduar. Kemi dëgjuar se theksi vihet te njëfarë “kriteri kadastral”, i cili duket shumë i dyshimtë. Kufijtë shtetërorë nuk mund të trajtohen me kritere pronësore në kuptimin juridiko-civil. Kufijtë shtetërorë kanë kuptim e vlerë shumë më të madhe. Luftërat më të shumta në botë janë bërë për çështje territoresh. Edhe në jetën e zakonshme njerëzit janë armiqësuar e vrarë gjithmonë për gurin e kufirit e gardhin ndarës të pronës. Prandaj, zgjidhjet e këtyre çështjeve kërkojnë durim, vullnet të mirë, kohë të mjaftueshme dhe nuk duhet të bëhen as për nevoja pushtetore, as për dëgjueshmëri ndaj miqve e dashamirëve.

*          *          *

Para disa vitesh kam shkruar një shkrim të gjatë mbi rrezikun e ambientimit të shqiptarëve me copëtimin kombëtar e shtetëror. Ky rrezik po shoqërohet gjithnjë më dukshëm edhe me rrezikun e ambientimit të shqiptarëve me shqyerjen copa-copa “me marrëveshje” të kufijve të tyre dhe zhvatjen e pasurive kombëtare me tenderë e koncesione “integruese” ndërkombëtare.

Shekulli Agency