Terrorizmi: Një religjion i ri global

ali-pShkruan: Ali Pajaziti

pas rënies së Murit të Berlinit, bota priste ditë më të bardha, një faqe të re të historisë, shumë më shpresëdhënëse, një etapë të re zhvillimi të njerëzimit pas mbylljes së “librit të zi të komunizmit”. Por, Ballkani i shndërruar në një sferë hobbesiane, në një kasaphane, në një zonë të gjenocidit, qindra mijërat e vrarë në Ruanda, Kongo, 11 Shtatori 2001, Afganistani, Iraku, pranvera arabe, Siria, ISIS-i, Parisi, Ankaraja, Stambolli, Brukseli 2016, paraqesin sërën e të zezave të këtyre 25 viteve të fundit, që shkojnë si në film dhe që vërtetojnë teoritë fundiste dhe ato të përplasjeve. Fundi i historisë, thanë, dhe shtuan njeriun e fundit, konflikti i civilizimeve, që sipas Steve Graham nënkupton doktrinën kundërshtimit të Perëndimit me botën islame, makrofobitë ndërnjerëzore me ngjyrime racore, religjioze. Interpretimet e reja të një islami purist e puritan, provokimet si Wilders, Breivik, Charlie Hebdot, djathtizmi i zgjedhjeve për Parlamentin Europian, Donald Trumpi me muret e tij fatale dhe terrorizmi që dalëngadalë po kaplon thuajse çdo anë të botës. Lirisht mund të thuhet se jemi në një status të një krize globale, të një krize planetare, të krizës ekzistenciale, të krizës së qenësimit dhe të mbijetesës si njeri. Në asnjë mënyrë nuk na bën të ndjehemi pak më të sigurt fakti që te ne nuk ndodhin gjëra si në Rakka, Taksim ose në aeroportin e Brukselit… Jemi në epokën e mondializimit dhe të gjitha pasojat e ndodhive anekënd botës i ndjejmë edhe ne, së paku në aspektin psikologjik e shpirtëror. Është koha e videokracisë, kur pamjet-videot më trishtuese na dalin përpara me të hapur të telefonit ose të ekranit televiziv. S’ka më siguri, as shtëpiake, nga hajdutët, as globale nga terrori që nuk njeh racë, fe, komb, përkatësi, që zhvat gjithçka para vetes. Të gjithë jemi bërë objekt të sekuritizimit, të survejimit për t’u mbrojtur nga organet dhe institucionet e sigurisë, por ndërkohë jemi target potencial i qeskave, çantave, veturave shpërthyese, i vetëvrasësve që arrijnë të kalojnë madje edhe në zonat që duhet të jenë më të mbrojtura, siç duhej të ishte kryeqyteti i Europës dhe aeroporti i tij “Zaventem”.

Terrorizmi, si simbol frikës, i kobit dhe dhunës irracionale tanimë, po vërehet se nuk mund të ndalet as nga mekanizmat më të sofistikuara të survejimit e as nga industria e sigurisë. Puna ka ecur shumë më përpara, në aspektin negativ. Tanimë kur thika ka arritur në asht, e gjithë bota, në veçanti inteligjencia dhe lidershipi botëror, duhet të ulen dhe të mendojnë kthjellët se ku janë bërë gabimet dhe pse vrulli i terrorit shkon gjithnjë e më tepër duke u masovizuar. Pse një i ri në pranverën e jetës së vet, me gjakftohtësi të çuditshme e të pashpjegueshme, përgatitet për t’i dhënë fund jetës? Nga buron ky pezëm, kjo urrejtje, kjo psikologji, ky absurd? Nuk mjaftojnë as qindra miliona policë për të ndalur një pandemi të gjendjes shpirtërore që rekruton individë gjithandej, që i vëllazëron në kauzë, që i bën kooperues për hir të një “kauze të lartë” që njerëz të caktuar se duhet mbrojtur madje edhe duke sakrifikuar veten, madje edhe duke vrarë njerëz të pafajshëm, civilë, gra, pleq, duke lënë sakatë foshnja, “duke shkuar në parajsë duke ua bërë të tjerëve ferr jetën sa të jenë gjallë”. Jo vetëm atyre që e pësojnë nga aktet dhe rastet e ndryshme të terrorizimit, por duke ua nxirë ditët edhe të gjithë njerëzve ngadoqofshin ata. Sot disa mendjengushtë e barazojnë religjiozitetin me urrejtjen, me fajësimin e tjetrit. Imagjinoni hoxha i madh qysh para 1000 njerëzve, qëmoti në Shkupin tim e quante Europën “EGropë” dhe ata të rinj të edukuar me atë frymë natyrisht se “armikun” e kanë të paketuar, të shënjestruar. Fajin e kërkojmë te tjetri gjithherë, jo te vetja. Sa më urrejtës, aq më fetar! Sa bukur kishte shënuar dikush: “Nëse fetarizmi juaj ju bën më të ashpër, më të vrazhdë, më shpifës, më denigrues, dijeni se duhet të matni mirë nëse jeni duke e adhuruar Zotin ose egon tuaj.”

Tani shtrohet pyetja se a mund të eliminohet ky kancer që po na gllabëron me sekuritizim, me propagandim për më tepër masa survejimi, për më tepër militantizëm, vigjilencë policore dhe panoptikizim (sa më shumë kamera, në çdo cep) në kuptimin e Benthamit. Me gjasë kemi hyrë në fazën e skenarëve defetistë lidhur me moralin dhe etikën që thonë: (a) Morali do të dobësohet vazhdimisht dhe në fund do të zhduket tërësisht; bashkëkohësia do ta shndërrojë njeriun në kafshë, në qenie agresive dhe egoiste; s’do të ketë brejtje të ndërgjegjes; (b) Zhvillimi i teknikës, funksionalizimi dhe racionalizimi i plotë i njeriut, “njeriu i programuar” s’do të ndjejë nevojë për  moral, por do t’u nënshtrohet vetëm normave teknike-instrumentale.

Të ndalemi pak të mendojmë: agresivitet sa të duash, njeriu i programuar në skenë, njeri i cili e respekton urdhrin e prijësit shpirtëror, i cili ia jep garancinë se arrin “lumturinë e përjetshme”. Pra, jemi përballë me një fundizëm ultra-krizologjik, jetojmë në kohën e njerëzimit të vrarë, në kohën e standardeve të dyfishta. Në Myanmar digjen të gjallë me mijëra njerëz (para së gjithash njerëz, e më pas myslimanë) dhe ekspozohen kufomat e të ekzekutuarve si të ishin drurë që më pas digjen. Dhe, e gjithë kjo bëhet nga budistët që per definitionem duhet të jenë paqësorë. Dhe, askush nuk reagon. OKB? Guantanamo. Një njollë e rëndë e ndërgjegjes amerikane që ka tërhequr pezmin e shumë besimtarëve myslimanë. Terrorizmi dalëngadalë po shndërrohet në një fe të re, në një fe globale që fiton ithtarë në të katër anët. U lodhëm duke ndryshuar profilet: “Jam Paris”, “Jam Stamboll”, “Jam Ankara”, “Jam Bruksel!” A ka dikush që përmend “Jam Kandahar”, “Jam Halep”, “Jam Gaza”… Pse nuk u reagua për mbi 2.400 vetat e vrarë brenda disa ditëve në sheshin “Tahrir” të Kajros? Diktatura vrau demokracinë dhe “Suuus”, heshtje mortore. Apo ka demokraci dhe “demokraci”? A e ka kapluar botën një hipokrizi para së cilës duhet të turpërohemi të gjithë, si lloj njerëzor?

Fundizmi krizilogjik dhe njerëzimi i vrarë, ky ishte versioni i parë i këtij shkrimi. “Fundi i historisë?” (në The National Interest, 1989) – term ky i përdorur më parë nga Hegeli dhe Marksi, i përditësuar nga japonezo-amerikani Fukuyama. Ai në librin me titull Fundi i historisë dhe njeriu i fundit (The End of History and the Last Man, 1992) pohonte se historia e ideve është përmbyllur me pranimin e demokracisë liberale si “pika e fundit e evoluimit ideologjik të njerëzimit” dhe “forma e fundme e qeverisjes së njeriut”. Komente serioze janë shfaqur për fundizmin (endism) e shpallur nga Fukujama si nga e djathta, ashtu edhe nga e majta. Revista “Time” e cilësoi idenë dhe fenomenin fukujamian si “fillim të pakuptimësisë”. Më duket se “Time” i ka rënë mu në pikë gjendjes, jemi në fazën e pakuptimësisë: kur shikon përpjetë, është shumë lart, shikon teposhtë, shumë thellë. Një njeri i arrirë, pas asaj që ndodhi të martën (22 mars) në profilin e vet në facebook kishte postuar fjalët “Holokausti i ardhshëm është shumë afër. Këtë herë viktimë nuk do të jenë hebrenjtë!”, duke shënjuar se viktimë do të jenë  njëzet e sa milionë myslimanët e Evropës. Kush e di? Ruanazot!

Terrori, një dukuri e lindur në vitet ‘66-‘72 pas erës sonë në Romë, i zbatuar nga asasinët e H. Sabbahut (1090), i forcuar me qeverinë e terrorit të Revolucionit Francez (1793-1794) kur u ekzekutuan mbi 17.000 kundërrevolucionarë, sot është bërë një kopil që iu është hedhur në prehër myslimanëve, gjegjësisht pjesëtarëve të Islamit. Terrorizmi, që njihet për nga format e veta djathtiste, majtiste, fashiste, ultranacionaliste, anarkiste, sot ndërlidhet me elementet islam(ist)e. Terrorizmi, që ka shkaqet e veta si uria, prapambeturia, eksploatimi, shtypja dhe poshtërimi, po shndërrohet në një pseudoreligjion, që ia zë vendin religjionit autentik, fesë hyjnore. Një sife globale, që na tërbon të gjithëve në anijen e quajtur botë-njerëzim.

Shkencëtari i madh spanjoll, drejtori i UNESCO-s Federico Mayor, ka pohuar se “kompasi i vetëm që me siguri mund të na shpie nga ardhmëria është etika. Etikë kjo që do të jetësohet në mjedisin familjar, në organizatat ku në mënyrë permanente do të ushtrohej auditimi etik, e deri te marrëdhëniet ndërkombëtare.” Duam një botë me të moralshme, më etike, më të ndërgjegjshme, më të ngritur edhe kulturalisht jo vetëm qytetërimisht! Të punojmë për të.

Shekulli Agency