
Një ekip hulumtues japonez i udhëhequr nga Universiteti “Tohoku” ka zbuluar se foshnjat e konceptuara gjatë muajve të dimrit kanë më pak gjasa të fitojnë peshë të tepërt në moshë të rritur, duke sugjeruar një lidhje të mundshme midis sezonit të konceptimit dhe metabolizmit afatgjatë, transmeton Anadolu.
Agjencia japoneze e lajmeve “Jiji Press” raportoi se gjetjet, të publikuara dje në botimin online të revistës “Nature Metabolism”, mund të ofrojnë njohuri të reja në parandalimin e sëmundjeve të lidhura me stilin e jetës si obeziteti dhe diabeti i tipit 2.
Studiuesit u fokusuan në indin dhjamor kafe ose yndyrën kafe, e cila luan rol kyç në djegien e energjisë dhe rregullimin e nxehtësisë së trupit.
Ndryshe nga yndyra e bardhë, e cila ruan energjinë, yndyra kafe aktivizohet në përgjigje të temperaturave më të ftohta, duke e shtyrë trupin të djegë yndyrën e ruajtur për ngrohtësi.
Studimi përfshiu 356 burra të shëndetshëm të moshës 18 deri më 29-vjeç, të cilët u grupuan sipas sezonit në të cilin u konceptuan.
Ekipi zbuloi një lidhje të dukshme midis konceptimit të tyre gjatë muajve të dimrit dhe aktivitetit më të lartë të yndyrës kafe më vonë në jetë, potencialisht duke ndihmuar në uljen e rrezikut të shtimit të peshës së të rriturve.