Shqiptarët në dy zjarret e gjyqësorit!

Nga: Alpin Ollogu

Për shqiptarët e Maqedonisë së Veriut, sistemi i drejtësisë ka pasur dy zjarre të rrezikshme dhe të dëmshme, të cilat edhe sot vazhdojnë të jenë aktive thuajse me të njëjtin hov dhe rrezikshmëri, i pari është korrupsioni brenda gjyqësorit dhe i dyti diskriminimi në gjyqësor. Qartazi, këto dy zjarre kanë djegur më shumë mirëqenien dhe pozitën shqiptare, për arsyen e thjeshtë se mega korrupsionin në sistem e kanë bërë dhe vazhdojnë ta bëjnë etnia maqedonase (si shumicë brenda sistemit) dhe se nëpërmjet sistemit të drejtësisë, shndërruar si mekanizëm i shtypjes, shqiptarët janë nënshtruar dhe munduar të mbahen në kontroll margjinalizimi, kundrejt aspiratava për të qenë qytetarë të barabartë me palën maqedonase.

Arsyeja pse këto vatra zjarri në sistemin e drejtësisë akoma janë aktive dhe nuk janë shuar as pas 2001-shit, as pas ndonjë reforme fiktive në gjyqësor, zjarre që herë herë ndizen më furishëm kur fryejnë erërat e qeverive me elemente nacionaliste, është sepse akoma nuk janë bërë reforma të vërteta në sistemin e drejtësisë, për tu shkulur dhëmballa e prishur e korrupsionit dhe nacionalizmit, e cila është aty si një dhimbje e pashëruar, pavarësisht retorikës boshe të qeverive me “reformat në këshillat gjyqësor dhe prokuorial”, për ti vendosur në pozita të preferuarit e tyre, që më pas ti përdorin për të bërë drejtësinë e tyre politike, në emër të drejtësisë gjyqësore.

Edhe rasti më i fundit me arrestimin e paargumentuar dhe jashtë çdo logjike juridike të ish ministrit të Ekonomisë Kreshnik Bekteshi, tregon zjarrin nacionalist të prokurorisë dhe gjyqësorit, se si trajtohet një ish funksionar shqiptar, fundja se si trajtohet një shqiptar në krahasim me të dyshuarit dhe hetuarit e tjerë për rastin e Koçanit, qoftë edhe të atyre që drejtpërdrejt janë fajtorë për ngjarjen tragjike, siç janë inspektoriati, kryetari i komunës, punonjësit e Ministrisë së Punëve të Brendëshme, falsifikuesit e dokumenteve në institucione, si për nga mënyra e arrestimit ashtu edhe masat lehtësuese gjatë hetimit, nga arresti shtëpiak në arrest shtëpiak. Të jemi të bindur se sikur Kreshnik Bekteshi të ishte funksionar i çfarëdo partie tjetër shqiptare, ndryshe nga ajo që është sot, ai do të kishte trajtim të njëjtë, ngase në mentalitetin nacionalist prevalon sulmi etnik mbi çdo përkatësi tjetër. 

Kjo drejtesi nacionaliste, që mundohet ti frikësojë me patjetër edhe shqiptarët në qeverisje, si një metodologji e njohur e elementit nacionalist maqedonas në sistemin e gjyqësorit, për fat të keq është akoma e zbatueshme edhe sot e kësaj dite. Mungesa e luftës prej vërteti ndaj korrupsionit të funksionarëve dhe ish-funksionareve që duhet të bëjë sistemi i drejtësisë, luftë të cilën realisht nuk mund ta bëjë për shkak të mungesës profesionale dhe morale të subjekteve të drejtësisë, pasi reformat në gjyqësor nuk kanë ndodhur dhe nuk kanë zhbërë strukturën kriminale dhe nacionaliste të prokurorëve dhe gjyqtarëve, mundohet të zëvendësohet me gjueti shtrigash nacionaliste e politike.    

Shqiptarët e të gjitha kampeve politike, në qeveri apo jo, këtë praktikë të shëmtuar të sistemit të drejtësisë duhet ta ndalojnë, para së gjithash si interes i përbashkët nacional, pastaj shoqëror, për të vendosur para drejtësisë fillimisht vëtë sistemin e drejtësisë, në filtrat e vetingut të pasurisë dhe gjykimeve të çështjeve me interes publik, për ti shpëtuar kthetrave të nacionalizmit gjyqsor, viktimë e së cilës, në një të ardhme mund të jenë edhe funksionarë të tanishëm shqiptarë. Që do të thotë se shqiptarët më shumë se të gjithë komunitet etnike kanë interes të realizohet shumë i përfoluri vetingu në drejtësi, madje edhe atë me mekanizëm dhe monitorim ndërkombëtar, ashtu si po relizohet në Republikën e Shqipërisë. Është dëshmuar se çdo formë tjetër e reformës në gjyqësor është vetëm teatër qeveritar, asgjë më shumë. Ndërsa koha kalon pasojat e këtij sistemi të degraduar bien mbi popullatën, e veçanërisht etnisë shqiptare.

Shekulli Agency