Rreth konvertimeve mediatike, laicizmit dhe lirisë së besimit

kate-prish-74333jpgNga Halil IBRAHIMI

Ka disa vite që Kisha Katolike e Kosovës, zyrtarisht e njohur si Administrata Apostolike e Prizrenit, e keqpërdor hapësirën publike në televizionet kombëtare në raste festash për ta sforcuar idenë e konvertimit të shqiptarëve myslimanë në katolikë. Kryeparët katolikë faktikisht nuk e fshehin këtë, dhe në një mori rastesh kanë folur rreth inferioritetit të shqiptarëve myslimanë, të cilët, sipas tyre, mbajnë një fe që dhunshëm u është imponuar shekuj më parë, duke e nxjerrë në pah atë që ata e quajnë përpjekje për “konvertim kulturor” të këtyre myslimanëve si fazë kalimtare drejt konvertimit formal në fenë e të parëve, siç duan ta quajnë. Dy-tre vitet e fundit Kisha Katolike ka kaluar në këtë fazë përfundimtare, pra, në të konvertimit fetar të myslimanëve, duke e sforcuar këtë përpjekje në çdo rast të mundshëm, qoftë nëpërmjet ndërtimit të kishave katolike në mjedise me shumicë myslimane, apo nëpërmjet konvertimeve të cilësuara masive të myslimanëve gjatë transmetimeve publike. Në një shtet laik, propagandimi i fesë dhe konvertimet janë çështje të cilat hyjnë në domenin e të drejtave themelore personale dhe kolektive të patjetërsueshme, dhe askush nuk i konteston ato. Madje nuk kontestohet as bërja publike e konvertimeve dhe as përpjekja e organizuar publike për konvertime.

Ajo që u jep shije të hidhur këtyre pagëzimeve mediatike është përdorimi i hapësirës së dhënë në mediumet kombëtare për të promovuar forcërisht idenë se shqiptarët myslimanë janë duke u konvertuar në katolikë, dhe, për më tepër, në kohë festash. Arsyetimi i dhënë nga udhëheqësit e Kishës Katolike se kinse konvertimet e pagëzimet janë bërë gjithmonë gjatë historisë së Krishterimit në kohë Pashkësh dhe publikisht, e se kjo e drejtë po përdoret tanimë edhe në Kosovë pas ndalimit disashekullor gjatë Perandorisë Osmane dhe disadekadësh gjatë Jugosllavisë dhe okupimit serb, nuk qëndron për disa arsye. Pikësëpari, çështja e pagëzimeve është në mbarë botën diçka me të cilën merren famullitë lokale; ato mund të bëhen gjatë tërë vitit, e asnjëherë në rastet e meshave kombëtare që transmetohen edhe në televizionet publike. Në Kosovë, në të gjitha rastet e deritanishme të konvertimeve spektakolare gjatë festave, të konvertuarit nuk janë pagëzuar në famullitë prej nga vijnë, por kjo është bërë gjithmonë qëllimisht në Famullinë e Prishtinës, dhe pikërisht gjatë transmetimit publik të Meshës. Nuk është raportuar asnjë rast i vetëm i ndalimit të konvertimit apo pagëzimit gjatë kohës që prej përfundimit të Perandorisë Osmane e deri në vitin 1999. Nëse Kisha Katolike ka statistika të tilla, bën mirë që t’i publikojë, sepse përndryshe spekulimi i tillë del të jetë kryekëput i qëllimshëm.

Përse mund të ndjehen shqiptarët myslimanë të ofenduar nga këto spektakle konvertimesh të organizuara nga Kisha Katolike në kohë festash? Para së gjithash, për faktin se, sikundër gjatë kohës pesëdhjetëvjeçare të komunizmit, periudhës njëdekadëshe nën okupimin serb, sikundër edhe gjatë tërë viteve të çlirimit, klerikët katolikë në Kosovë nuk kanë reshtur së mëshuari idesë se shqiptarët myslimanë u islamizuan me dhunë, se feja islame nuk është diçka që shqiptarët e kanë dashur apo e duan, dhe, mbi të gjitha, nuk kanë reshtur së trumbetuari inferioritetin kulturor të myslimanëve shqiptarë. Fatkeqësisht, kjo mendësi ka ndërhyrë herë-herë çuditërisht edhe në formësimin e identitetit intelektual e kulturor të shqiptarëve të Kosovës, duke përjashtuar gati si me qëllim shumëçka nga kultura myslimane e tyre. Satanizimi i letërsisë së bejtexhinjve, satanizimi i zakoneve e adeteve myslimane shqiptare nëpër muzikë, art e kulturë, është e po kësaj vale të misionarizmit. Shqiptarët myslimanë, të çfarëdo niveli praktikues qofshin, kanë pasur rastin që ta lënë Islamin kaherë, e sidomos pas çlirimit, dhe nuk e kanë bërë këtë, që do të thotë se me vullnet të lirë po e mbajnë. Kështu që është tërësisht jonjerëzore dhe ofenduese kur Kisha Katolike ua sforcon atyre idenë e inferioritetit, duke i monopolizuar patriotizmin, vlerat kombëtare e kulturore të shqiptarëve, bile edhe ato të luftës. Njëri nga këta klerikë deklaronte para disa vitesh se Kosova nuk do të çlirohej kurrë po të mos ishin katolikët e saj, duke i nënvlerësuar totalisht ata që ishin dhe janë shumicë, myslimanët. Ceremonitë spektakolare mediatike të konvertimit janë irrituese, sepse u shkojnë pas dhe u presin shiritin këtyre praktikave.

Në shoqëritë laike, ku synohet trajtimi neutral ndaj fesë, përkatësisht trajtimi i barabartë ndaj të gjitha feve të pranishme, është në kundërshtim me parimet bazë të bashkëjetesës fetare sforcimi i praktikave të irritimit dhe provokimit të bashkësive fetare midis tyre në sferën publike, e sidomos gjatë festave. Për të bërë një paralele midis konvertimeve spektakolare mediatike të Kishës Katolike në Kosovë me ndonjë rast të mundshëm që do të mund të kuptohej si provokim ndaj tyre, është e udhës të përmenden disa shembuj. Myslimanët bie fjala, përherë kanë besuar dhe kanë folur rreth korruptimit të Biblës dhe Krishterimit të sotëm, por në hapësirat publike mediatike të shoqërive multifetare dhe laike si e jona, në raste festash, do të konsiderohej politikisht jokorrekte në qoftë se hytbeja e Bajramit do të fliste për korruptimin e librit të shenjtë të njërës nga bashkësitë fetare, kësaj radhe, asaj katolike. Para disa vitesh pati shkaktuar një valë të tërë reagimesh deklarata e një kleriku mysliman se Gonxhe Bojaxhiu do të shkonte në ferr. Nën pretekstin e të drejtës dhe lirisë fetare, dikush do të mund të deklaronte se, duke qenë se të besuarit se jomuslimanët do të përfundojnë në ferr ka qenë përherë pjesë përbërëse e Islamit sunnit, atëherë është krejt në rregull që ky pohim të përdoret edhe publikisht, qoftë edhe gjatë hytbes së Bajramit. Por, në praktikë, një pohim i tillë do t’i lëndonte rëndë ndjenjat e besimtarëve katolikë, dhe, si i tillë, është par excellence rast flagrant i cenimit të bashkëjetesës dhe tolerancës fetare. Ka edhe një mori rastesh kur bashkësitë fetare mund të provokojnë qëllimisht, duke u thirrur në liritë fetare dhe argumentet teologjike, se përherë e kanë bërë këtë. Ndarja midis lirisë për shpërfaqjen publike të fesë, në njërën anë, dhe përdorimit të hapësirës publike mediatike për proselitizim aktiv e ngacmim të tjetrit, në anën tjetër, është problemi këtu, dhe jo vetë konvertimet.

Thënë në mënyrë të përmbledhur, bashkësitë fetare bëjnë mirë që të jenë më të kujdesshme në përdorimin e hapësirës së dhënë publike, e të mos e irritojnë njëra-tjetrën nëpërmjet veprimeve që rishtas sillen në praktikën e transmetimeve publike të ceremonive fetare tek ne, si për shembull kjo e konvertimeve mediatike apo e caktimit të vendndodhjes në amshueshmëri të shenjtorëve të fesë tjetër. Krerët e Kishës Katolikë po ashtu bëjnë mirë që të kuptojnë një herë e përgjithmonë se pa marrë parasysh mënyrën se si u islamizuan shqiptarët gjatë Perandorisë Osmane, ka me miliona shqiptarë sot që me dëshirë e vullnet të plotë vazhdojnë të jenë myslimanë. Njëkohësisht, Kisha Katolike duhet të pushojë së sforcuari idenë e konvertimit kulturor a fetar të myslimanëve shqiptarë en masse, apo inferioritetin e tyre të potencuar, në hapësirat e mediave publike, sidomos në rastet kur kryefjala është mesha e Pashkëve apo e Krishtlindjeve. Myslimanët shqiptarë të kohës së sotme nuk janë dele të vjedhura me shpatë nga grigja e Kishës Katolike, por janë njerëz që me vetëdije të plotë vazhdojnë të ndjehen rehat me kombin dhe fenë që kanë. Në këtë mënyrë, bashkëjetesa fetare dhe toleranca mitike, shumë të propaganduara, kanë nevojë të dalin dhe të shprehen në rrafshin e prekshëm, përtej praktikës false e sipërfaqësore të fotografimeve të përbashkëta apo darkave gati fariseike, që nuk kanë kurrfarë ndikimi apo domethënie thelbësore.

/tesheshi.com/

Shekulli Agency