Paradoksi në politikën maqedonase: gjuhë elektorale në situatë pas-zgjedhore

Nga: Mensur Krasniqi

Maqedonia ndodhet në një situatë politike të pazakontë prej së cilës rrjedhin gjëra të pazakonta. Nëse ndjek betejën e përditshme mediatike mes dy partive kryesore rivale, VMRO-së dhe LSDM-së, dhe nuk e di se ç’kohë është, të duket se je në fushatë elektorale; ndërkohë që je në një kohë post-elektorale, ku gjithsesi njëra është fituese e tjetra humbëse, por ku secila e ka njërën këmbë në pushtet e tjetrën në opozitë, kjo falë rezultatit të ngushtë.

Dhe, meqë qeveria akoma nuk po formohet dot dhe se gjithçka është ende pezull, ka shpërthyer një luftë alla elektorale mes dy kampeve.

Kështu ka ndodhur edhe sot ndodhi dhe një ditë më parë.

Menjëherë pasi LSDM prezantoi planik partiak për ekonominë, me të cilën, siç theksojnë, pas ardhjes së tyre në qeveri planifikojnë të mundësojnë mbështetje për ndërmarrjet vendore, kanë reaguar nga VMRO-DPMNE, duke thënë se pikërisht me LSDM-në në pushtet aso kohe janë mbyllur 684 firma dhe kanë mbetur në rrugë 200 mijë njerëz.

“Sot flasin për subvencione, ndërsa kur ishin në pushtet  nuk dhanë asnjë denar për firmat, madje duke mbyllur 684 firma dhe duke lënë rrugës 200 mijë të papunë”, u tha në deklaratën e VMRO-së.

Sipas kësaj partie, askush më nuk beson në premtimet dhe programin e LSDM-së të cilën nuk kanë bazë; dhe më tej thuhet se VMRO ka arritur që të ulë papunësinë nga 39 përqind në 23,4.

“Falë punës së qeverisë të udhëhequr nga VMRO-DPMNE dhe masat të cilat i ndërmerr në periudhën e fundit papunësia u zvogëlua në nivel të ulët rekord prej 23,4 për qind, për dallim nga LSDM kur arrinte pothuajse 39 për qind. Qytetarët duhet të jenë të qetë sepse LSDM ka humbur dhe nuk do të ketë rast që politikat e saj ekonomike katastrofale sërish t’i zbatojë”, thuhet në reagim.

Për dallim nga LSDM e cila ka lënë qytetarët në rrugë, sipas VMRO-së, ata gjatë qeverisjes së tyre kanë hapur 160.000 vende të reja pune.

Por nga ana tjetër, sipas planprojektit ekonomik të LSDM-së, ndërmarrjeve të vendit do t’ju mundësojnë që të zhvillohen, sepse ashtu ato do të hapin vende pune të sigurta dhe të paguajnë paga më të larta për të punësuarit.

“Deri tash çdo ndërmarrje fiton vetëm 2 euro ndihmë shtetërore në vit, sepse për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme shteti ndan 200.000 euro. Ne prej vitit të parë të mandatit do ta zmadhojmë ndihmën shtetërorë për ndërmarrjet vendase për 20 milion euro. Ndihma shtetërore e përgjithshme të cilën e planifikojmë për ndërmarrjet vendase është 140 milion euro. Qëllimi jonë është që ti motivojmë ndërmarrjet që të punësojnë dhe të japin rroga më të larta.

Për atë do t’i përkrahim ndërmarrjet me 108.000 denarë për punësim të papunësuarve deri 50 vjet , me kusht që të fiton rrogë mesatare bruto. Nga 162.000 denarë do të fitojnë ndërmarrjet për punësim të njerëzve të kategorisë sociale nëse ato fitojnë rrogë mesatare bruto. Nga 72.000 denarë nëse punësojnë individë nga administrata dhe u paguajnë rroge mesatare bruto”, thuhet në deklaratën e LSDM-së.

Dhe është e pashpjegueshme se përse u është rikthyer adrenalina elektorale dy partive rivale maqedonase. Ndërkohë, edhe në kampin shqiptar ka një debat, por jo aq elektoral. Një zgjidhje në horizont mbi formimin e një qeverie të qëndrueshme, ende nuk po duket.

/tesheshi.com/

Shekulli Agency