Maqedonia e protestave dhe kundër-protestave

sefer-700x380-700x380Shkruan: Sefer Tahiri

Procesi politik në Maqedoni nga tavolina politike është transferuar në rrugë. Në të i matin forcat opozita dhe pushteti. Maten me numra, mbështetje nga qytetarët, por edhe nga faktori ndërkombëtar.

Në Maqedoni jo vetëm që protestohet, por edhe kundër-protestohet. Nuk ka vend tjetër në botë në të cilin zhvillohen protesta kundër opozitës duke u mbrojtur pushteti. Veprim tipik jodemokratik dhe totalitar, pasi çdokush që mendon ndryshe, stigmatizohet dhe anatemohet nga pushteti dhe veglat e tij, gazetarë, intelektualë dhe artistë, të cilët himnizojnë sundimtarin Nikolla Gruevski. Madje, nuk kanë asnjë fije turpi kur e bëjnë këtë, ndërsa arsyetohen se e bëjnë në emër të maqedonasve dhe Maqedonisë.

Ivanovi nxiti protestat opozitare!

Protestat ndoshta nuk do të kishin filluar dhe procesi politik nuk do të zhvillohej në rrugë nëse presidenti i shtetit, Gjorgje Ivanov, nuk do ta miratonte vendimin për abolimin/faljen e politikanëve të dyshuar për përfshirje në vepra penale. Natyrisht se nuk do të fillonte ndoshta edhe sensibilizimi i opinionit publik dhe, në përgjithësi, i qytetarëve për demokraci dhe drejtësi nëse nuk do të publikoheshin bisedat e përgjuara private nga lideri i opozitës maqedonase Zoran Zaev, në të cilat flitej për vepra të paligjshme dhe të dënueshme sipas ligjeve në Maqedoni.

Në fakt, qytetarët maqedonas nuk shquhen për ndonjë potencial reagues dhe protestues qëkur në pushtet është VMRO-DPMNE-ja, ngjashëm si edhe shqiptarët, ndonëse ka pasur raste kur e kanë ngritur zërin e protestës, edhe pse historikisht njihen si popull i protestës, refuzimit të sistemit dhe rezistencës ndaj sistemeve politike. Pa mëdyshje se për dallim nga koha kur shqiptarët reagonin ndaj Titos dhe më pas regjimit të Millosheviqit në Kosovë e regjimit komunist në Maqedoni, reagimi ndaj regjimit të Gruevskit ka qenë shumë më i vogël, edhe pse analogjikisht bëhet fjalë për dy sisteme të ndryshme politike, të paktën në aspektin normativ-politik, sepse në esencë kanë shumë ngjashmëri.

Por, së fundi, ditë me radhe mijëra qytetarë mbrëmjen e rezervojnë për të protestuar. Nuk janë të paktë edhe ata që kundër-protestojnë. Nuk ka shtet tjetër në botë, që synon të integrohet në Bashkimin Evropian dhe në NATO, në të cilin protestohet kundër opozitës. Që paradoksi të jetë edhe më i madh u kërkua edhe shfuqizimi me vendim të Gjykatës Kushtetuese i partive opozitare dhe disa organizatave joqeveritare, që mbështeten nga fondacionet e SOROS-it në Maqedoni. Nuk mund të quhet ndryshe ky qëndrim, pos absurd i llojit të vet. Një pushtet i çorientuar mund të bëjë kërkesa të këtilla antidemokratike, antipluraliste dhe tërësisht autokratike. Me siguri po të pyetej VMRO-DPMNE-ja, do të dëshironte që të ekzistojë vetëm një parti në skenën politike. Një ide e ngjashme para do kohe u hodh nga lideri i Bashkimit Demokratik për Integrim, i cili tha se “Shqiptarëve nuk u duhen më shumë se dy parti”, duke aluduar në partinë e tij dhe Partinë Demokratikë Shqiptare të Menduh Thaçit në opozitë.

Shqiptarët në protesta qytetare dhe etnike

Shqiptarët e Maqedonisë nuk kanë mbetur duarkryq ndaj proceseve politike, duke u përfshirë në to edhe në mënyrë aktive. Një pjesë e tyre krah për krah me liderin e LSDM-së, Zoran Zaev, dhe organizatat joqeveritare, ndërsa një pjesë protestoi të premten (22.04.2016) në organizim të Lëvizjes për Reforma-PDSH, në të cilën u kërkua që shqiptarët të mos diskriminohen nga pushteti. Shqiptari, si në komunizëm, vazhdon të burgosë politikisht shqiptarët, duke mos pasur dëshmi faktike juridike, keqtrajtohet nga policia, diskriminohet ekonomikisht, sidomos në buxhet, është i lodhur nga korrupsioni dhe nga krimi i organizuar, por edhe i rraskapitur dhe i nënçmuar nga “Shkupi 2014”.Edhe pse ndoshta jo me ritmin e duhur, por qytetaria në Maqedoni zgjohet nga letargjia, të cilën e kishte kapur viteve të fundit. Hapur kritikohet regjimi i Gruevskit ose pushteti VMRO-DPMNE-së dhe BDI-së. Kërkohet në mënyrë aktive dhe masive drejtësi, përkatësisht shtet ligjor, meqë në bisedat e publikuara nga përgjimet u konstatua se një pjesë e zyrtarëve qeveritarë i kanë keqpërdorur funksionet e tyre, duke dëmtuar shtetin dhe qytetarët e saj.

Të rralla janë rastet në Maqedoni kur qytetarët, pavarësisht përkatësisë së tyre etnike, fetare, rajonale ose ndonjë përkatësie tjetër dolën krahë përkrah në protesta. Për dallim nga 17 maji i vitit të kaluar kur protesta qytetare e organizuar nga shoqëria civile dhe Lidhja Socialdemokrate u bojkotua nga subjektet politike shqiptare dhe nga intelektualë u kritikua tej mase, sivjet ndodhi ndryshe. Sigurisht se për të ndodhur ndryshime në mentalitetin politik të qytetarëve nevojitej kohë. Gjithsesi se edhe besimi ndëretnik nuk është në ndonjë nivel të lartë, prandaj kishte edhe dilema rreth protestave qytetare, që u quajtën rikthim i “vëllazërim- bashkimit” e kualifikime të tjera. Por, ky është një mësim për të ardhmen, që nuk duhet të shpejtohet në dhënien e vlerësimeve apriori lidhur me fenomenet politike. Edhe demokracia është një proces që mësohet dhe të gjithë duhet ta mësojmë dhe ta ushtrojmë demokracinë. Andaj si rezultat i situatës së re të krijuar tashmë qytetarët funksionojnë me një kod tjetër, me kodin qytetar-civilizues, mbietnik, sepse bëhet fjalë për luftën kundër regjimit, krimit të organizuar dhe korrupsionit, luftën për kthimin e dinjitetit dhe parimeve të demokracisë dhe shtetit juridik. Kjo luftë nuk njeh ngjyrime etnike, por edhe politike, andaj qytetarët janë të bashkuar njëri me tjetrin në kërkesat e tyre për drejtë. Edhe protestat jo pa qëllim janë emërtuar “Revolucioni i larmë”. E quajtur dhe tashmë e popullarizuar si i tillë, në esencë filloi më 17 maj të vitit të kaluar, datë që paralajmëroi se Maqedonia mund të funksionojë më ndryshe.

Kur është fjalë për drejtësi, qytetarët kanë konsensus ndëretnik, konsensus të plotë, njësoj siç kanë për integrimin e vendit në BE dhe NATO. Por, integrimi nuk arrihet pa u rikthyer drejtësia, e cila – sipas prokurorëve specialë – do të arrijë deri te secili që e ka shkelur ligjin! Ajo që jep shpresë në këtë drejtim është mbështetja e lartë, e cila i jepet Prokurorisë Speciale, e formuar për ta luftuar krimin. “Nuk ka krim të përsosur”, tha njëra nga prokuroret speciale, Fatime Fetai, e cila së bashku me Lençe Ristoskën dhe Katica Janevën pa dyshim janë figurat me reputacion më të lartë në shtet.

Pushteti i VMRO-DPMNE-së dhe i BDI-së po e përdor tërë makinerinë e vet për “të minuar” protestat. Në njërën anë stigmatizohen shqiptarët, që protestojnë me Zaevin, ndërsa VMRO-DPMNE-ja, përmes borive të veta mediatike-propagandistike e përmes narrativit të përdorur, tenton ta devijojë qëllimin e protestave, duke i prezantuar si të tilla në të cilat marrin pjesë struktura të ish-Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare (UÇK), duke aluduar qartë në ish-gjeneralin e UÇK-së, Gëzim Ostreni, si kryetar i partisë UNITETI dhe duke tentuar nxitjen e tensioneve ndëretnike. Por, qytetarët tashmë skenarët e tillë të pushtetit i kanë lexuar, i kanë dekonstruktuar dhe nuk do të lejojnë tensione që prodhohen artificialisht në kuzhinat e pushtetit. Në fakt, si asnjëherë më parë Maqedonia është pranë një konflikti intraetnik maqedonas, i cili me siguri nuk do të ndodhë jo falë kapacitetin demokratik të pushtetit, por falë maturisë dhe pjekurisë së qytetarëve. Këtë e themi nga fakti se skenarët për tensione ndëretnike në rastin e “Shqiponjës dhe kryqit” e as në rastin e Kumanovë, i cili më 9 maj shënon njëvjetorin, nuk kalojnë më.

Zgjedhjet më 5 qershor nuk janë opsion

Në një konfiguracion të këtillë, në të cilin ndodhet politika në Maqedoni, duke pasur parasysh protestat dhe kundër-protestat, dhe kur kushtet optimale për zgjedhje nuk janë plotësuar aspak, ngase lista zgjedhore ka përplot anomali dhe reformat mediatike kanë ngelur në pikën zero, zgjedhjet e parakohshme parlamentare nuk janë opsion. Jo vetëm për opozitën maqedonase, por edhe për partitë e reja opozitare. Zgjedhjet janë opsion i pranuar si zgjidhje e krizës politike vetëm për VMRO-DPMNE-në dhe Bashkimin Demokratik për Integrim, ndërsa Partia Demokratike Shqiptare vlerëson se nuk është me rëndësi data e zgjedhjeve, por kushtet në të cilat do të mbahen ato. Ajo nuk ka saktësuar se do t’i bojkotojë ose do të marrë pjesë. Edhe po të ketë zgjedhje më 5 qershor, ato do të jenë zgjedhjet më jolegjitime në historinë pluraliste të Maqedonisë, veprim që do ta bllokojë demokracinë dhe të ardhmen euroatlantike të vendit.

Shekulli Agency