Lehtë të jesh politikan dhe shumë vështirë të jesh intelektual

iljasa1-700x380Shkruan: Iljasa Salihu

Shpeshherë më ka rastisur t’i dëgjoj politikanët t’i thonë intelektualëve (shkrimtar, publicist, gazetar, profesor, teolog, politikolog, analist) se lehtë është të flisni. Këtu edhe fillon përbuzja dhe shfaqja e injorancës së politikanit. Mendimet e drejta, thirrjet për këndellje, porositë e logjikshme, këshillat për përmirësim, politikani thjesht i trajtëson në fjalë në kuptimin e keq të fjalës – dërdëllitje, duke harruar se gjithçka para se të bëhej vepër ishte fjalë dhe se shpirti i fjalës është vepra, mbase vetë ideja që ai të bëhet politikan njëherë ishte fjalë apo bisedë, po ashtu përmes fjalëve arriti t’i bindë qytetarët se ia vlen ta përkrahin dhe në fund t’ia japin edhe votën. Politikani jonë harroi se fjala dhe vepra janë dy pjesë të së njëjtës medalje apo dy gjymtyrë të rëndësishme për jetë të të njëjtit trup.

Njëherë më kujtohet të ketë thënë një politikan se akëcil shkrimtari lehtë e ka, ngaqë ai shkruan në një mjedis që temperatura është 40 gradë celsius, kurse ai vepruaka në një atmosferë ku temperatura qenka 400 gradë celsius. Prej kësaj fjalie dhe duke e marr parasysh gjendjen që e solli ky politikan, arrijmë të kuptojmë se pse qytetarët shqiptar janë kaq të papërfaqësuar. Thjesht, jo njeriu, por edhe hekuri do të shkrihet në një temperaturë prej 400 gradë celsius. Ja fuqia e fjalës që me pak fjalë rrëfen shkakun e mynxyrës sonë. Megjithatë, tragjedia nuk qëndron vetëm në djegien e tij si personalitet i dikurshëm, por në djegien e kauzës së shqiptarëve, prandaj edhe shqiptarët në përgjithësi dhe intelektualët shqiptar në veçanti, do ta kenë shumë të vështirë, sepse fillimisht u duhet ta ndërtojnë kauzën, ta ribëjnë besimin tashmë të shkrumbuar dhe t’i bindin qytetarët se koha e grykorëve për pasuri dhe e injorantëve tashmë ka perënduar.

Vetëm në shoqërinë tonë ndodhi që politikani përmes veprimtarive politike të rinohet, paçka se në shkëmbim të këtij rinimi rrënoi shumëçka me vlerë në shoqërinë tonë. Në të vërtetë, ata pas katër vjetësh në pushtet, do të duhej të ishin më të dërrmuar, më të thinjur e më të plakur, mbase pas katër vitesh apo më së shumti pas tetë vitesh do të duhej të jepnin dorëheqje prej politikës, kur dihet mirëfilli se kjo zeje me përgjegjësi të lartë nuk është e lehtë të bartet gjatë kohë. Megjithëkëtë, politikanët tanë pikërisht pas katër vjetësh filluan të këndellen, të rinohen e të zbukurohen, duke u dashuruar kështu çmendurisht pas të mirave të kolltukut të pushtetit, paçka se kjo dashuri u shoqërua me kriza të njëpasnjëshme dhe me shkatërrim thuajse të tërësishëm të njeriut dhe shoqërisë shqiptare në veçanti. Ndërsa, një intelektual i mirëfilltë pas kaq vitesh së vepruari do të lodhej, zbardhohej dhe rrudhej para kohe. Kjo dëshmon se përnjëmend ky intelektual ka pasur dertin e ecejakeve në shoqëri. Me të drejtë thotë Ajnshtajni se më lehtë do ta thyeja një atom se sa një paragjykim. Mes tjerash, shporrja e paragjykimeve dhe ngritja e vetëdijes është punë e intelektualit.

Sidoqoftë, është e vërtetë se veprimtaria e politikanit është më e vështirë se ajo e intelektualit. Parimisht e kam fjalën. Politikani është më afër vendimmarrjeve të rëndësishme, kurse intelektuali më afër rrugës që të shpie në një vendimmarrje të rëndësishme. Prandaj, politikani paguhet më shumë, është më tepër nëpër media dhe përgjithësisht ka një autoritet më të lartë. Mirëpo, në shoqërinë tonë punë më e lehtë se të jesh politikan nuk ka dhe punë më e vështirë se të jesh intelektual i mirëfilltë nuk ka. Kështu është realiteti që bie ndesh me parimet!
Politikani pushtetin e shfrytëzon vetëm për privilegje dhe tepër pak për punë, kurse intelektuali përpos që duhet të ketë përgjegjësi për mendimet dhe veprimet e veta, ai njëherësh duhet të përballet me shpifjet, kërcënimet bashkëkohore dhe mbylljes së shumë dyerve. Nuk e kam fjalën për ata intelektual heshtak e puthadorës, të cilët politikanët i përdorin për t’u pasuruar dhe politikanët këta i përdorin si çelësa të dyerve të krimit. Kësodore, politikanit i mjafton retorika e thatë, kurse intelektuali merret me vrojtimin, logjikën, përshkrimin, analogjinë, porosinë dhe vlerësimin, njëherësh duke u kujdesur që veprat e tij të jenë në përputhje me mendimet e tija.

Shekulli Agency