Kosova në Flakë, Serbia në Europë, Shqipëria në Europian

images-3452Ergys Mërtiri

Teksa pati përsëri tym sot në Parlamentin e Kosovës, ndërsa liderë të opozitës dhe aktivistë të saj vijojnë të jenë në burg politik e qytetarët protestues po përleshen prej javësh me policinë, Serbia filloi hapjen e negociatave për anëtarësim në BE. Nga Brukseli vjen lajmi se Europa ka vlerësuar vullnetin e saj për t’u ulur në bisedime me Kosovën, dhe kjo ka qenë një prej arsyeve kryesore për pranimin e saj në këtë proces. As eurofobia e shumtë e qytetarëve serbë, të cilëve iu ngrohet zemra në prehërin e ariut rus, as faturat e spastrimeve etnike në Ballkan, të ushqyera nga një shovinizëm ende aktiv dhe as destabilizimi që politika serbe po i bën Kosovës duke copëtuar Mitrovicën e duke instrumentalizuar komunitetin serb në rrënimin e shtetit, nuk janë parë si arsye të mjaftueshme për të kushtëzuar procesin. Përkundrazi, sipas ndërkombëtarëve arsye penalizuese janë vetëm shashkat e tymit të opozitës kosovare në parlament dhe mospranimi i marrëveshjeve të diktuara nga Serbi-BE, që cenojnë rëndë sovranitetin dhe stabilizimin e vendit.

E pra standardet europiane favorizojnë popujt që kanë kryer genocid dhe vazhdojnë të vjelin frytet e krimeve të tyre pa u penduar aspak për tmerret e himnizuara si shërbime ndaj atdheut e Zotit. Fati i keq i shqiptarëve është se nuk kanë vrarë, therur e shfarosur ndonjë komb tjetër gjatë këtyre viteve, që të përfitojnë koncesione nga BE-ja. Për të, Kosova po sillet keq, sepse nuk po nënshtrohet sa duhet dhe nuk po bashkëpunon me përdhunuesit. Përkundrazi, Serbia po emancipohet duke i konkretizuar në rrugë institucionale politikat e saj shoviniste e destabilizuese ndaj popujve të tjerë. Kjo i bën ata partnerë të denjë për të filluar negociatat!

Nisur prej këtej, pozita dhe e gjithë media mainstream në Kosovë pohojnë me forcë se opozita po pengon Kosovën të bëhet një “nxënës i mirë”, se qëndrimet e saj destruktive ndaj marrëveshjeve me Serbinë po pengojnë procesin e integrimit, pra po pengojnë procesin e shndërrimit të saj në një vend të nënshtruar dhe destabilizuar. Mbrojtja e sovranitetit dhe integritetit kombëtar konsiderohet prej tyre një utopi dhe herezi ndaj BE-së, ndërsa ata që mbajnë qëndrime të tilla nuk janë tjetër vetëm se aventurierë sharlatanë antikombëtarë. Kjo i jep të drejtë qeverisë të ushtrojë dhunë përtej ligjit, duke e kthyer vendin në një autarki oligarkësh që eliminon opozitën. Gjithë qëllimi i saj është të eliminojë pengesat në funksionimin e institucioneve dhe rendit demokratik, si mjet i domosdoshëm për integrimin e vendit.

Mesa duket demokracia nuk mund të funksionojë me mjete demokratike në Kosovë dhe u dashka pak diktaturë gjë gjërat të vihen në rregull. Të këtij qëndrimi duken edhe ambasadorët e vendeve perëndimore, të cilët, teksa nuk e kanë lënë rastin pa u shprehur në deklarata të ashpra për çdo shashkë të Albin Kurtit në Parlament, qëlluan me pushime ditën e arrestimit të tij dhe bastisjes së selisë së opozitës me dhunë policore. Demokracia e Kosovës punon part-time dhe orari i punës mbaron gjithmonë kur fillojnë të drejtat e opozitës dhe mbrojtja e sovranitetit të vendit.

Ndërkohë, nga ana tjetër e kombit, “Shqipëria amë” duket totalisht e papunë në arenën ndërkombëtare. Ka halle të tjera këndej dhe për nacionalizmin kujtohemi vetëm kur luan kombëtarja. Zjarri, tymi, burgjet e opozitës apo marrëveshjet e imponuara të Serbisë as që ia prishin terezinë “mëmës” që vazhdon shijon delirin e nacionalizmit futbollistik, e trazuar pak nga shorti i vështirë që na vuri në një grup me Francën dhe Zvicrën. Sa për tymin që po i del gjymtyrëve të saj, të shpërndara kudo nëpër rajon, ka një parim që ajo i qëndron besnik: të mos fusë hundët në punët e të tjerëve. Ajo i qëndron me stoicizëm këtij parimi, megjithëse nën hundën e saj shqiptarëve po u rrëshqet toka nën këmbë. Projekti ynë kombëtar për momentin është të kalojmë grupin.

Shekulli Agency