Kosova, mes absolutizmit dhe demokracisë

Arber-zaimi-111Shkruan: Arbër Zaimi

“Imuniteti i deputetit në Kosovë vlen vetëm sa për t’ia garantuar atij të drejtën të thotë ç’të dojë në Kuvend, pra vetëm papërgjegjësinë e fjalës i garanton, e asgjë tjetër”, thoshte një mendjendritur në një nga emisionet lapidare që mbushin hapësirën e pambarimtë televizive. E ky lloj argumenti u propagandua me insistim për një farë kohe, sepse medoemos duhej justifikuar përndjekja, rrëmbimi, arrestimi e paraburgimi i deputetëve të opozitës përtej procedurave, në të njëjtën kohë që ata gëzonin imunitet, për shkak të mandatit.

Në thelb të këtij argumenti qëndron bindja se Kuvendi nuk është gjë tjetër përveçse një sallë teatri ekskluziv e luksoz. Si nëçdo sallë teatri, të drejtën e fjalës e kanë vetëm aktorët. Spektatorët munden veç të duartrokasin apo të fishkëllejnë. Nga këndvështrimi i publikut teatror kjo bindje nuk është krejt e padobishme, meqenëse teatrot e Kosovës prej kohësh janë rrëgjuar, e komuniteti i teatrit vuan pasojat e partiakëzimit dhe klientelizimit intensiv të kulturës prej oligarkëve brutalë e injorantë që qeverisin.

Pra, nëse deputeti në imunitetin e vet paska po aq të drejta sa aktori, domethënë paska thjesht të drejtën që të thotë pa përgjegjësi penale fjalën e vet në një skenë të caktuar, i bie që vetë ajo fjalë të jetë po aq e rëndësishme sa e aktorit. Rezultati i vetëm që mund të prodhojë një fjalë e tillëështë spektakli pra habia, admirimi, qeshja apo qarja – për aq sa zgjat shfaqja. Ndoshta në periudhën e rrjeteve sociale e portaleve, me miniklipet që gëlojnë të pakontrolluara shfaqja zgjat edhe më shumë, thërrmohet, humbet tërësinë e saj ama bëhet qelizore e shkon kudo, por kjo nuk e ndihmon shfaqjen të jetë më efektive në tërësi, duke qenë se e njëjta teknologji që ia mundëson shpërndarjen, ia imponon edhe zhvleftësimin mes qindra mijëra shfaqjeve e shprehjeve të tjera që shpërndahen po atë minutë e që prodhojnë atë zhurmë të madhe an-estetike qëështë “bota e informacionit”.

Me një fjalë, nëse është veç shfaqje, nëse janë veç fjalë, janë fjalë që harrohen aty për aty. Të mjerët deputetë, sa shumë lodhen të shkruajnë fjalime të mira, të mbushura me heroizëm euroatlantik, me bravado orientaliste, me korrektesë multikulturore e me ndjeshmëri sociale të paçmuar. Por më kot, të gjitha këto pretendime për fjalime historike vdesin e harrohen në formën e “lajkave” të facebook-ut.

Meqë jetojmë në triumfin e krizës ekonomike, të bësh llogari nuk është dhe aq keq. A ia vlen të shpenzojë Kosova për zgjedhje, për vota, për fushata elektorale për të pasur në fund thjesht një teatër kaq jocilësor, joefikas e joefiçient (madje dhe në terma të spektaklit teatror) sa parlamenti i Kosovës? Sigurisht që jo.

Mirëpo ndërkohë që arritëm t’ia gjejmë një“vlerë” sadokudo kulturore estradës parlamentare e cila zëvendëson shpeshherë teatrin, pyetja që do të duhej të shtrohej nga të interesuarit për politikën në Kosovëështë: Nëse parlamenti zëvendësoka teatrin, attëherëçka apo kush e zëvendëson parlamentin?

Historia është sporti më masiv tek ne, meqë infrastrukturë për sporte të tjera nuk ka, e interneti të mundëson “zbulimin” dokumenteve që një mendje kreative me dozën e duhur të marrëzisë mund t’i shndërrojë në rrëfime të cilat mund të jenë edhe të lezetshme për të kaluar kohën, edhe pse ky lezet tretet kur i sheh libraritë mbushur me vëllimet e trasha të historianëve të tillë. Megjithatë, duke e njohur pasionin për këtë sport, po rrekem të sjell në vëmendje të lexuesit një shembull nga historia, në lidhje me fjalosjen në parlament dhe çështjen e diskutuar më sipër, pra se a është fjala e vetmja e drejtë që imuniteti i garanton deputetit.

Roma e lashtë, ku u mbrujtën themelet e jurisprudencës që përdoret sot në variante të ndryshme në gjithë Perëndimin, për afër pesëqind vjet ka qenë republikë, organi më i lartë i së cilës ka qenë senati. Por, me shpalljen e Qesarit diktator i pavdekshëm, me shtypjen e opozitës (Pompeit dhe më vonë Mark Antonit), dhe sidomos me dhënien e fuqive të jashtëzakonshme birit të adoptuar të Qesarit, Oktavianit, republika ra dhe nisi periudha e perandorisë dhe e dinastive. Çka është interesante për temën tonë, tranzicioni i Romës prej republikës në perandori nuk ndodhi me një thyerje të menjëhershme institucionale dhe me shpallje të monarkisë. Jo, Oktaviani August nuk i preku institucionet, ai i la ato të funksiononin si më parë, me një përjashtim të vogël – efekti i tyre vendimmarrës u zvogëlua shumë, u bë ceremonial, thuajse zero. Senati, dikur organi më i lartë i republikës vazhdoi t’i mbante mbledhjet rregullisht, dhe senatorët vazhdonin t’i gëzonin të drejtat formale e të ardhurat e tyre. Por fjala e tyre politikisht u bë e barabartë me zero, e vetmja vlerë e asaj fjale qe ajo e spektaklit. Dhe, për romanologët, ka qenë mjaft interesante të studiohej aty e tutje stërvitja e aftësive oratorike të senatorëve për t’i thurur lavde pushtetit të perandorit e të gjeneralëve të tij, meqë s’bënin dot gjë tjetër.

Pak a shumë, duke patur parasysh shkallën dhe të gjitha dallimet e tjera, kjo është ajo që po ndodh në Kosovë. Një grusht njerëzish të pushtetshëm e kanë zhveshur Kuvendin prej aftësive vendimmarrëse, dhe ia kanë veshur këto kapacitete vetes. Përveç Kuvendit të njëjtët kanë kapur gjykatat dhe pushtetin gjyqësor, e në të njëjtën kohë kontrollojnë ekonominë e median e Kosovës. Me anë të policisë shtypin, përndjekin, përgjojnë, rrëmbejnë e rrahin opozitën, madje dhe deputetët e opozitës të cilët gëzojnë imunitet. E nuk e vrasin mendjen as që ta shkruajnë një fletë-arrest, apo një vendim formal që do t’i justifikonte sa për sy e faqe këto akte. Jo, arbitrariteti i këtyre njerëzve të pushtetshëm është absolut.

Ndërkohë që këta njerëz me në ballë Isa Mustafën, Hashim Thaçin e Kadri Veselin qeverisin Kosovën në mënyrë despotike, nuk janë të paktë “oratorët” e stërvitur për t’u thurur lavde detyra e të cilëve është ajo e vjetra, pra të trumbetojnë se “katrani zbardhëllon”. Duke thënë se deputeti në parlament gëzon vetëm të drejtën për të folur, këta “analistë” thjesht justifikojnë zhveshjen e Kuvendit prej aftësive vendimmarrëse, dhe veshjen e pushtetit me këto aftësi. Në fakt, ata justifikojnë një grusht-shteti institucional.

Provat për të folur për grusht-shteti institucional janë të bollshme, dhe ky nuk është një term euforik që po e përdor për arsye retorike. Psh. kapja e gjyqësorit prej pushtetit ekzekutiv dëshmohet nga rezultatet e gjyqësorit, i cili në 16 vjet nuk ka mbërritur të nisë procedime apo të dënojë asnjëherë asnjë prej pushtetarëve edhe pse Kosova perceptohet si një prej vendeve më të korruptuara dhe shpeshherë korrupsioni është evidentuar edhe në media.

Po ashtu, dëshmohet edhe në vendimet paragjykuese të Gjykatës Kushtetuese pas zgjedhjeve të 2014, ku i mohoi të drejtën një shumice parlamentare që të formonte qeverinë. Për turp të të gjithëve, Kushtetuesja deklaroi se kishte humbur “Aktet përgatitore”, të cilat u gjetën befasisht pasi që u krijua “qeveria e duhur”. Aq shumë u kap Kushtetuesja nga pushteti sa që, për të krijuar “qeverinë e duhur” u justifikua edhe funksionimi i saj me gjyqtarë pa mandat, apo gjyqtarë të dorëhequr e të rikthyer etj. Dmth. edhe pushtetin e Gjykatës Kushtetuese këta qeveritarë ia kanë veshur vetes. E nuk është për t’u habitur pastaj që po kjo Kushtetuese kur u pyet nga opozita për marrëveshjet e arritura në Bruksel në vitin 2013 u deklarua se nuk mund t’i gjykojë ato, ndërsa kur u pyet nga presidentja në vitin 2015 për të njëjtat, nuk ia kurseu vetes deklarimin. Domethënë, një shaka e madhe pavarësia e Kushtetueses.

I njëjti pushtet ka zhveshur prej çdo fuqie parlamentin. Kur Kuvendi i Kosovës votoi në verën e vitit 2015 kundër Gjykatës Speciale, pushteti urdhëroi që mbahej edhe një seancë tjetër ku votimi të përsëritej, deri sa të dilte rezultati i duhur. Një skandal i tillë e bën krahasimin e mësipërm me Romën edhe më të afërm. Triumvirati që udhëheq Kosovën dëshiron që në parlament vetëm të flitet, pse jo të flitet edhe pa pushim, por jo të merren vendime. Vendimet ka kush i merr. Prandaj deputetit i njihet vetëm liria e fjalës pa vlerë. Sepse fjala me vlerëështë fjala që rezulton në akt, në vendim. E fjalën me vlerë pushteti i tre burrave, Mustafa-Thaçi-Veseli e do të gjithën për vete.

Kundër këtij pushteti që kap gjithçka është ngritur tash katër muaj opozita e Kosovës. Një deputete injorante nga partitë qeverisëse, në një emision televiziv tha se “opozita po dëshiron ta bëjë Kosovën monarki”. Sigurisht deputetja ka dashur të përsërisë akuzën se opozita po bën anarki, por meqë analfabetizmi shkakton vështirësi në mbajtjen mend të fjalëve të huaja, ajo shqiptoi një fjalë që i është dukur e ngjashme. Mirëpo, monarkinë e pashpallur në Kosovë po e sjell ky pushtet. Janë këta që po themelojnë dinasti, që e kanë zhvleftësuar demokracinë dhe që institucionet parlamentare i kanë shndërruar në teatër komik. E prej monarkëve e despotëve gjithmonë ata që luftojnë për republikë e për demokraci janë etiketuar si “anarkistë”.

Jo, opozita nuk është anarkiste. Opozita e gjendur përballë këtij grusht-shteti institucional është duke përdorur të vetmin mjet që i ka mbetur, protestën. Me aksionet e saj me gaz në Kuvend opozita është duke protestuar për faktin se Kuvendi është kthyer në një teatër ku fjala e deputetit nuk ka më asnjë rëndësi vendimmarrëse, pasi që vendimet po merren vetëm nëpër kulisa.

Opozita po proteston kundër një qeverie e cila ka nënshkruar një vendim kriminal. Edhe Gjykata Kushtetuese, e kapur siç është, nuk mundi të mos konstatonte se marrëveshja e nënshkruar prej Mustafës dhe Vuçiçit në 25 gusht bie në kontradiktë me 26 nene të Kushtetutës së Kosovës. Praktikisht Isa Mustafa duke nënshkruar një marrëveshje që është në mospërputhje me 26 nene të Kushtetutës ka vepruar si monark jokushtetues, domethënë i ka thënë popullit të vet edhe ndërkombëtarëve “ligji jam unë, kushtetuta jam unë”. Por opozita nuk mund ta pranojë këtë regres në mesjetë. Opozita e ka çështjen e saj të argumentuar qartë dhe bindshëm, dhe flamurët e opozitës së Kosovës sot janë Demokracia e Republika.

Po të ishte respektuar demokracia dhe republika asnjë nga aktet e protestës në Kuvend nuk do të kishte ndodhur. Asnjë nga deputetët nuk do të ishte arrestuar. Por prirjet despotike të oligarkëve nuk mund të respektojnë frymën demokratike e parlamentare të republikës, siç nuk e kanë respektuar dhe e kanë uzurpuar atë për 16 vjet rresht.

Janari i 2016 do të jetë muaj i rëndësishëm madje jetik për Kosovën. Do të jetë muaji kur do të vendoset – me protesta – nëse Kosovës do t’i rikthehet demokracia, apo nëse do të rrëshqasë në qesarizëm (apo nëse duam t’i japim një emër më shqiptar, në esadizëm – meqë aktet e pushtetarëve të Kosovës ngjajnë jo pak me prirjet e një tjetër pushtetari absolutist, Esad Pashë Toptanit).

Shekulli Agency