Jo më kurban shqiptar i shtetit sllav

11716995_1453924771596776_694922191_nMë 9 maj 2015 regjimi sllavo-maqedonas i Nikolla Gruevskit me një mësymje të beftë ushtarako-policore mbi popullsinë shqiptare në “Lagjen e Trimave” në Kumanovë, e hodhi përfundimisht FYROM-in në greminën e shkatërrimit. Zhbërja e FYROM-it tani mbetet vetëm çështje kohe, si në rastin e ish-Jugosllavisë. Atë nuk e shmang dot më arroganca e pakufishme e pushtetit dhe e politikës shoviniste sllavo-maqedonase, as një rikthim në “modus vivendin” e mëparshëm delikat ndëretnik. Nuk bëjnë më punë mbështetja nga politikat e squllura të Shqipërisë e të Kosovës dhe as përkujdesja e tepërt euro-atlantike për shtetin artificial kushinetë në qendër të Ballkanit.

Shkruan: Abdi Baleta

1. Ngjarjet e rënda të natës së 9 majit 2015 në Kumanovë për shumicën e njerëzve ishin të papritura dhe ende mbeten misterioze. Shkaqet dhe rrjedhojat e tyre janë ende të paanalizuara dhe po i mjegullojnë ata që i kurdisën. Deri më 9 maj 2015 autoritetet dhe forcat ushtarako-policore sllavo-maqedonase asnjëherë nuk kishin guxuar të ndërmerrnin një mësymje të atillë masive e të përqendruar, me armë shkatërruese të të gjitha llojeve dhe kalibrave kundër popullsisë civile shqiptare. “Operacioni i rrufeshëm” u kthye në një betejë të zgjatur, kundër një armiku që nuk po e identifikonin qartë as autoritetet e politikanët fyromas, as mekanizmat ndërkombëtare, as shtypi ose shërbimet sekrete. Të gjithë bënin të habiturin e të paditurin dhe ankoheshin për terrin informativ. Forcat elitare ushtarako-policore, që u hodhën në sulm me vetëbesim të tepruar dhe tërbim të paparë, e pësuan keq për vete. Opinioni publik, brenda e jashtë FYROM-it, u trullos nga gjithfarë hipotezash e hamendësimesh dhe nga legjenda se gjithçka bëhej si në xhirimin e një “filmi horrorr”, me skenar dhe regji “të përsosur” të kryeministrit fyromas, Gruevski, për disa qëllime: a) të largonte vëmendjen nga kriza politike ku ishte zhytur qeverisja; b) të ndalonte vrullin e mësymjes nga opozita e Zaevit; c) të mbulonte shkeljet e ligjit dhe aferat e pista korruptive të qeverisë; d) t’u jepte një mësim të mirë shqiptarëve, që të mos u shkonte në mendje të përfitonin nga situata; ç) të trembte ndërkombëtarët se nga destabilizimi i FYROM-it rrezikohej Ballkani.

2. Reagimet e para nga qendrat e politikëbërjes botërore, BE, NATO e OKB, ishin burokratike e të shpëlara: thirrje bajate për qetësi, maturi, gjakftohtësi, ndalim të përshkallëzimit, për hetime serioze, të hapura e objektive. Rusia reagoi politikisht në stilin e saj kërcënues: “larg duart nga Maqedonia”. Më 15 maj në Beograd, ministri i jashtëm rus, Llavrov paralajmëroi se Rusia nuk mund të lejonte krijimin e “Shqipërisë së Madhe”. Serbia e para vuri në gatishmëri dhe nxori në kufi forcat ushtarake. Pas saj edhe Bullgaria. Në Shqipëri nuk pati të tilla lëvizje drejt kufirit. Kosova përforcoi shërbimin policor kufitar. Të gjithë shqetësoheshin vetëm për FYROM-in.

Ndërkombëtarët bënë thirrjen e veçantë që përplasjeve me armë të mos u jepej ngjyrim konflikti etnik. Gruevski tha se nuk po bëhej luftë me shqiptarët, por me disa terroristë. Eksperti për Europën Juglindore, Florian Bieber, pasi e cilësonte ndërhyrjen e policisë në Kumanovë “brutale, të dyshimtë, por jo të rastësishme”, nxitonte të theksonte se: “Sfondi i këtij konflikti është në të vërtetë kriza e demokracisë në Maqedoni” (“Tema online”, 14 maj 2015). Por si “Beteja e Kumanovës” dhe zhvillimet e mëpasme e kanë bërë krejt të qartë se në plan të parë në FYROM nuk ishte më ai konflikti kalimtar, partiako-social midis Gruevskit e Zaevit, por ai etno-kombëtar.

3. Ringritja e FYROM-it është bërë mision i pamundur. Shqiptarët vërtiteshin kot rreth dilemës se me cilin krah sllavo-maqedonas ia vlente të radhiteshin. Zhurma mobilizuese e “tymëseve” të Zaevit ishte mbytur nga gjëmimet tmerruese të armëve të Gruevskit. Shqiptarët nuk patën ndonjë dobi nga zbulimi i përgjimeve policore. Dihej që ata të përgjuar e të përndjekur kanë qenë gjithmonë. Pushtetit autoritarist të Gruevskit iu mpinë mjaft muskujt e dhunës. Furia e intrigës politike e Zaevit i humbi vrullin dhe energjitë fillestare pa arritur qëllimin, rrëzimin e qeverisë. Gruevski dhe Zaevi po përpëliten në bisedimet e Brukselit që të gjejnë kompromisin e daljes nga bataku që krijuan. Humbësit më të mëdhenj janë, natyrisht, partitë politike shqiptare, që qysh në emërtimet e tyre e kanë pas shmangur misionin kombëtar shqiptar. Për mbijetesë politike atyre u duhet të vihen më shëmtueshëm në shërbim të “demokracisë” sllavo-maqedonase. Por, politikanëve shqiptarë, që pas luftës së UÇK-së në vitin 2001 i morën me radhë ofiqet pushtetare, u ka firuar shumë kapitali politik kallp. Ata nuk janë as për vete, as për ortakët.

Pak ditë para shpërthimit të luftës në Kumanovë Ali Ahmeti kishte shtjelluar edhe një herë kredon e tij politiko-diplomatike mbi kompaktësimin e shtetit unitar dhe të shoqërisë multietnike në Maqedoni: “Çdo gjeneratë ka idealet dhe idealistët e vet, por unë mendoj se tanimë këto gjëra shqiptarët e Maqedonisë duhet t’i materializojnë duke u anëtarësuar në NATO dhe BE. Ne, të ardhmen e shohim tek pajtimi, integrimi, heqja e kufijve dhe jo vendosja e kufijve të rinj. Shqiptarët e Maqedonisë nuk kanë tjetër alternativë më të mirë, përveç marrëveshjes së Ohrit” (“Shqiptarja. com”, 28 prill 2015). Është punë e tij si i përfytyron idealet dhe idealistët e gjeneratës së tanishme shqiptare, por luftimet në Kumanovë ia përgënjeshtruan ato predikime, sidomos për sa u përket “vlerave” të Marrëveshjes së Ohrit, që për 14 vjet rresht ka mbetur një letër bakalli e zhubrosur, siç ka humbur kuptimin edhe koncepti “shqiptarët-element shteformues” në FYROM. Po vërtetohet paralajmërimi i hershëm i Arben Popocit se “Shqiptarët e Maqedonisë nuk kanë arsye të kërkojnë të jenë shteformues sepse… Maqedonia nuk do të ekzistojë si shtet” (“Republika”, 19 shtator 1993). Të paktën nuk mund të ekzistojë si shtet unitar. Edhe M. Thaçi, rivali në përulësi politike i Ali Ahmetit, ka shpallur se përparësi për shqiptarët në FYROM mbeten integrimet euro-atlantike.

4. Edhe nga Shqipëria nuk ndalen mesazhet publike se shqiptarët e Maqedonisë duhet të mendojnë e të veprojnë vetëm për forcimin e shtetit unitar fyromas e të (vetë)përjashtohen nga përgjegjësitë që kanë për të luajtur rolin që u takon në zgjidhjen e çështjes së përbashkët shqiptare. Këshilla: “Partitë politike shqiptare të Maqedonisë duhet të kërkojnë rithemelimin e këtij shteti mbi baza qytetare dhe jo mbi diferenca etnike” (Ilir Kulla, “Shekulli” 10 maj 2015) edhe sikur të jepet thjesht nga naïviteti është utopike, jashtë realitetit dhe zhvillimeve të kohës. Sllavo-maqedonasit e tejfryrë me shovinizëm anti-shqiptar në dekada, nuk mund të bëhen si me magji demokratë të kulluar ose nacionalistë normalë. Janë fyese, fajësuese e çorientuese këshillat se: “Shqiptarët në Maqedoni duhet të ndërgjegjësohen për përgjegjësinë dhe rolin e tyre në mbrojtje të sigurisë dhe paqes në Ballkan dhe në Europë. As ndarja dhe as federalizimi i Maqedonisë nuk është në interes të shqiptarëve. Interesi i tyre i madh është një Maqedoni demokratike, thellësisht civile, ku respektohen në maksimum liria dhe të drejtat e njeriut, e hapur ndaj Perëndimit dhe e integruar në NATO dhe BE. Shqiptarët dhe maqedonasit duhet ta kuptojnë se nuk mund të integrohen në Europë nëse nuk integrohen fillimisht me njëri-tjetrin në vendin e tyre” (Neritan Alibali “Ballkani, ”Panorama” 8 qershor 2015). Maqedonia që kërkohet në të tilla mesazhe as ka ekzistuar, as do të bëhet, siç nuk ka ekzistuar e nuk do të bëhet ndonjëherë shoqëria njerëzore e përshkruar në librat e shenjtë dhe e predikuar nga klerikët. Pamjet e rënda të vrasjeve e rrënimeve në Kumanovë e bënë “Lagjen e Trimave” të duket si një “Gaza shqiptare”. Në një konferencë shtypi në Londër, në vitin 1969, Golda Meir, kryeministrja e famshme e Izraelit, ka pas thënë fjalët rrëqethëse: “Kurrë nuk do t’ua falim arabëve që na detyruan t’u bëjmë atë që u kemi bërë” (Ilan Pape: “The Idea of Israel…”, 2014, fq. 34). E njëjta psikologji përshkon politikën e historiografinë sllavo-maqedonase kundër shqiptarëve! Ata nuk ua falin shqiptarëve qëndresën ndaj asimilimit e dëbimit, kryengritjen e vitit 2001, mospranimin e statusit të pakicës kombëtare, ankesat për moszbatimin e Marrëveshjes së Ohrit etj. Prandaj Jankullovska shpërthente me histerizëm e racizëm politik se shqiptarët duhen zhdukur nga faqja e dheut si racë e pështirë. Lufta në Kumanovë ka qenë konceptuar si fillimi i spastrimit etnik. Nuk është e nevojshme dhe fisnike pas betejës së Kumanovës që shqiptarëve të Maqedonisë t’u bëhen nga Tirana predikime, të përsëritura deri në topitjen e ndjeshmërisë kombëtare, se duhet të shtrojnë kurrizin edhe më tutje. Nuk është fisnike as këshilla më e “butë” e të huajve se nuk qenka në interes të shqiptarëve të ketë luftë në Ballkan. Këtë shqiptarët e dinë me kohë. Por, nuk varet prej tyre dhe nuk është detyrim vetëm i tyre ta shpëtojnë Ballkanin nga luftërat.

Mund të rreshtoja plot “xhevahire” të përulësisë politike e diplomatike shqiptare, por po hidhem në anën tjetër të vijës ndarëse të mendimit politik shqiptar. Ish-kongresmeni amerikan (me origjinë arbëreshe), Xhozef Dioguardi, është shprehur disa herë kohët e fundit, madje dhe në mjediset e Kongresit Amerikan, se çështja e shqiptarëve duhet zgjidhur me bashkimin e tyre në një shtet (ideja e hedhur nga senatori Xhesi Helms qysh më 1983). Ai ka deklaruar se: “Maqedonia nuk mund të ekzistojë si shtet nëse 800.000 shqiptarëve nuk u jepet më shumë pushtet politik” (“GSH”, 11 maj 2015). Në këtë frymë po shkruajnë tani, pas betejës së Kumanovës edhe disa analistë në Tiranë. Por sllavo-maqedonasit e kanë bërë të qartë me kohë se ata parapëlqejnë zhbërjen e FYROM-it nëse vjen puna për t’u dhënë më shumë pushtet politik shqiptarëve.

5. Duket që fijet e zhvillimeve në Kumanovë kanë qenë endur e pleksur edhe në shtabe politike agjenturore jashtë FYROM-it e Ballkanit. Ndoshta nuk ishte rastësi që sulmi barbar sllavo-maqedonas shpërtheu më 9 maj 2015, ditën që në Moskë do të bëhej parada e madhe ushtarake në 70-vjetorin e fitores mbi Gjermaninë naziste. Dihej se në Sheshin e Kuq do të parakalonte dhe një njësi ushtarake serbe. Presidenti i FYROM-it, Ivanov, para se të nisej për pelegrinazhin e tij politik, i bëri një paralajmërim kryeministrit të Shqipërisë: të mos e zinte më me gojë bashkimin e Kosovës me Shqipërinë. Ka ngjashmëri situatash në Maqedoninë Perëndimore me ato të Ukrainës Juglindore. Diplomacia perëndimore, që ka dënuar aneksimin e Krimesë nga Rusia dhe shkëputjen e Donbasit nga Ukraina, gjithsesi nuk mund të mos vejë re që bashkëjetesa po bëhet e pamundur edhe midis “popujsh vëllezër” sllavë. Kjo është më se e vërtetë në Maqedoni, ku jetojnë dy popuj krejt të ndryshëm. Shpresojmë e urojmë që diplomacia perëndimore të priret edhe më shumë drejt rregullimit politik e shtetëror të situatave që nuk përputhen me realitetet e mësimet historike. Një situatë e tillë krijohet nga ruajtja me çdo kusht e shtetit unitar në Maqedoni.

6. Ndërkohë politikat e diplomacitë shtetërore shqiptare duhet të dalin vendosmërisht nga amullia dhe çoroditja rreth trajtimit të problemit shqiptar në Maqedoni. Pushtetarët dhe mjetet e informimit në Tiranë e Prishtinë u treguan të ngathët e të përhumbur në reagimet fillestare ndaj luftimeve në Kumanovë, të paqartë e kontradiktorë në zbulimin e shkaqeve, në vlerësimin e pasojave dhe përcaktimin e qëndrimeve më vonë. Gjesti i vonuar i kryeministrit të Shqipërisë, Rama, se FYROM-i duhet të zbatojë Marrëveshjen e Ohrit (kërkesë pa kurrfarë vlere tani) para se të hyjë në NATO, u prit me një furtunë sulmesh absurde nga komentatorë e opinionistë pa përgjegjësi e sedër atdhetare, nga tre ish-ministra të jashtëm të Shqipërisë Kastriot Islami, Tritan Shehu e Besnik Mustafaj dhe nga deputeti Ben Blushi, që po merr poza si Ciprasi i Shqipërisë. Islami i quajti “provokim ndaj fqinjëve e nacionalizëm aguridh” qëndrimet e Ramës dhe fjalët e tij për “bashkim kombëtar brenda ose jashtë BE-së” (“Panorama, 27 maj 2015). Ben Blushi e akuzoi Ramën për “Pengmarrje të të dobëtit, Maqedonisë, hile ndaj Greqisë dhe përulje hileqare ndaj të fortit, Turqisë” (“Panorama”, 25 maj 2015). Blushi nuk ka ndryshuar asgjë në mendësitë antishqiptare që nga koha kur Arben Popoci shkruante për “horoskopin e zymtë që bënte Blushi për Shqipërinë që kishte hidhëruar perënditë serbe” (“Republika”, 27 shkurt 1994).

7. Megjithatë, pas ngjarjeve në Kumanovë ka nisur një përmbysje opinionesh dhe një kthesë e re në vetëdijen politike shqiptare. Gabuan ata që apriori përjashtuan nga përfaqësimi i idealizmit shqiptar ata që dhanë jetën ose ranë robër në besë shqiptare dhe ndërkombëtare. Trauma e rëndë që pësuan shqiptarët nga ngjarjet e Kumanovës bëri ndoshta që në çastet e para bashkësia shqiptare në Maqedoni të mos mblidhte veten për të përcjellë siç e meritonin arkivolet drejt kufirit shqiptaro-shqiptar në Hanin e Elezit. Por, në anën tjetër të kufirit arkivolet kaluan përmes rreshtave të gjatë flamurësh kombëtarë. Varrimet në Kosovë ishin me pjesëmarrje masive popullore, me roje nderi në uniformën e UÇK-së, me fjalë atdhetare përjetësuese për dëshmorët e kombit. Pamë Kosovën e vërtetë, të ndryshme nga Kosova e ndrydhur zyrtare.

8. Edhe në rastin e Kumanovës politikanët, propagandistët dhe analistët shqiptarë nuk i ikën dot tundimit të mbrapshtë për të përhapur dyshime e shpërfillur UÇK-në. Kështu u veprua ndaj Jasharajve të Prekazit, që u sakrifikuan familjarisht për lirinë e pavarësinë e Kosovës dhe bashkimin e saj me Shqipërinë. Për UÇK-në e Kosovës fillimisht u përhapën zëra se ishte krijesë e UDB-së serbe. Në këtë pozitë të pahijshme ranë dhe dy udhëheqësit kryesorë shqiptarë, Ibrahim Rugova e Sali Berisha. Kur nisi lufta e UÇK-së në Maqedoni më 2001, u vunë re të njëjtat dyshime e shpërfillje. Ismail Kadareja shquhej për prognozat se kjo luftë do t’i dëmtonte shumë shqiptarët. Këto përvoja të këqija duhej të shërbenin që vëzhguesit e ngjarjeve të Kumanovës të mos shpejtoheshin për të thënë “nuk ka UÇK”, por janë terroristë ose mercenarë të huaj, që nuk dihet kush i manipulon.

Para 17 vitesh, kur UÇK-ja përgojohej, jam shprehur se “UÇK-ja ishte rrjedhojë e natyrshme e zhvillimeve në Kosovë… ishte bërë faktori më dinamik për zgjidhjen e çështjes së Kosovës dhe po e ndryshonte rrënjësisht gjendjen në Ballkanin qendror” (intervistë në revistën e ilustruar “Blic”, Tiranë, prill 1998). Të njëjtat mendime i kam edhe tani për rastin e Maqedonisë. UÇK-ja në Kosovë u bë faktori i brendshëm vendimtar për ushtrimin e së drejtës së vetëvendosjes nga shqiptarët dhe krijimin e shtetit të sotëm të pavarur. Në “Blic”, para 17 vitesh jam shprehur se: “Populli shqiptar i Kosovës parimin e vetëvendosjes duhet ta kuptojë dhe ta ushtrojë vetëm si VETËZHVENDOSJE (territoriale dhe shtetërore) nga Serbia”. Jam i lumtur që kështu ndodhi. Edhe shqiptarët e Maqedonisë nuk mund të përjashtohen nga një drejtë e tillë e vetëvendosjes dhe nuk kanë përse ta ushtrojnë parimin e vetëvendosjes në një kuptim të ndryshëm e në caqe më të ngushta nga sa e kanë ushtruar shqiptarët e Kosovës. Për të arritur këtu rruga nuk mund të jetë e lehtë e nuk përjashtohen kompromiset e arsyeshme. Në nëntor të vitit 1992, kur kryesoja një delegacion të gjerë zyrtar shtetëror të Shqipërisë në Selinë e NATO-s në Bruksel, në Komitetin Politik të Aleancës na u bë pyetja: “Cila do të ishte zgjidhja më e mirë për problemin e Kosovës?”. Përgjigjja ime ishte pa mëdyshje: “Bashkimi i Kosovës me Shqipërinë”. Pas shtjellimit të 5 argumenteve mbështetëse vazhdimi i arsyetimit ishte: “Tani për tani kjo duket e pamundur. Shqiptarët nuk janë në gjendje ta imponojnë një zgjidhje të tillë. Serbia as nuk do të dëgjojë gjëra të tilla. Bota nuk është ende e gatshme të mirëkuptojë argumentet tona. Ne shqiptarët duhet të bëjmë kompromis. I vetmi kompromis i arsyeshëm mund të jetë: Kosova shtet i pavarur e sovran, si fazë kalimtare drejt bashkimit”. Fjalë të tilla në vitin 1992 priteshin me ftohtësi edhe nga dashamirët. Por, ngjarjet kanë rrjedhur në këtë drejtim dhe drejt bashkimit të Kosovës e Shqipërisë. Të njëjtin arsyetim e bëj edhe për rastin e shqiptarëve të Maqedonisë.

9. Tashmë nga Kumanova kanë ardhur dy mesazhe të qartë: i) Çështja shqiptare në Maqedoni po hyn në një cikël të ri zgjimi e veprimi. ii) UÇK-ja do të jetë e pranishme në jetën kombëtare shqiptare deri në zgjidhjen e çështjes së bashkimit kombëtar. Shqiptarët në FYROM janë para sprovës së përcaktimit të një qëndrimi të ri ndaj zhvillimeve të fundit. Rënia në dëshpërim të thellë nga dhimbja nuk është shërim. Rregullimi i dëmeve materiale të shkaktuara ose ndonjë gjest për riaktivizimin ose rifreskimin e marrëveshjes së Ohrit në thelb nuk ndreqin asgjë. Nxitjet ndërkombëtare për rivendosjen e “mirëbesimit” etnik çojnë vetëm drejt theqafjeve e zhgënjimeve të tjera. Në FYROM duhet të ndodhin ndryshime rrënjësore e thelbësore që të largohen ankthet e makthet e shqiptarëve. Duhet të merren seriozisht në konsideratë e të nisë pa vonesë procesi i (kon)federalizimit si fazë kalimtare e zgjidhjes përfundimtare të problemit shqiptar, sipas shembullit të Kosovës. Vetëm kështu mund të marrë kuptimin e vërtetë dhe brendinë e duhur kërkesa e Këshillit Qendror të Lëvizjes Besa për “RIDEFINIMIN e Maqedonisë si shtet i përbashkët konsensual i shqiptarëve dhe maqedonasve”, parashtruar në thirrjen për marsh protestues në Shkup më 13 qershor 2015. Gjithashtu, është koha të thuhet hapur se shqiptarët e Maqedonisë nuk mund të mbeten jashtë zgjidhjes përfundimtare të problemit shqiptar në tërësi. Askush nuk ka të drejtë politike e morale t’u kërkojë atyre të pranojnë edhe më tej ujdira në dëm të vetes, të bëhen sërish kurban i shenjtërisë së FYROM-it, siç u bënë kur u nënshkrua marrëveshja e Ohrit, që sanksionoi shtetin unitar sllav, shpërfilli variantin e zgjidhjes me federalizim, i vuri shqiptarët në pozitën e një popullate raja në “shoqërinë multietnike” të Maqedonisë.

Shekulli Agency

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike.