Estonia – një mësim për Maqedoninë

orhan-8788Së fundmi Estonia ka shkuar edhe një hap më tej – qeveria ka lansuar një program të quajtur e-Residency (shtetësi elektronike), program ky i cili i mundëson secilit, kudo qoftë në botë, të bëhet “nënshtetas elektronik” i Estonisë, duke ua dhënë mundësinë të themelojnë biznese në Estoni pa qenë të pranishëm fizikisht atje. Për të fituar një pasqyrë më të qartë për seriozitetin dhe nivelin e inovacioneve në sferën e teknologjisë, mjafton të përmendim që në Estoni është krijuar aplikacioni Skype, si dhe shumë e shumë inovacione të tjera të njohura në mbarë botën.

Shkruan: Orhan MURTEZANI

Kur përmendet Estonia, gjëja e vetme që na kujtohet është Eurovizioni, i mbajtur në vitin 2002, dhe vështirë se dimë diçka më shumë. Në fakt, duke pasur parasysh se kemi disa ngjashmëri, sidomos sa i përket të kaluarës komuniste, mendoj se ky shtet mund të shërbejë si shembull shumë i mirë për të mësuar.

Estonia e rifitoi pavarësinë e saj në vitin 1991, pra pas shpërbërjes së Bashkimit Sovjetik. Është shteti më verior nga tre shtetet baltike dhe numri i përgjithshëm i popullsisë është 1.3 milion banorë. Që nga viti 2004 është anëtare e BE-së.

Në vitin 1991 ky shtet ballafaqohej me të gjitha problemet me te cilat mund te ballafaqohej një shtet i dale nga një sistem komunist, duke filluar nga problemet ekonomike, sfidat e shumta me tranzicionin, problemet me demokracinë, qeveritë që tentonin të kontrollojnë gjithçka, korrupsionin, sistemin e vjetruar arsimor e kështu me radhë. Mirëpo, Estonia në vend se të mbetej peng i së kaluarës komuniste, vazhdoi tutje dhe aktualisht është një ndër shtetet ekonomikisht më të suksesshme nga anëtaret e reja të BE-së dhe shteti më i zhvilluar teknologjik në botë.

Por, sukseset e këtij shteti nuk përfundojnë këtu. Në vitin 2007 Estonia ishte shteti i parë në botë që lejoi votimin nëpërmjet internetit, 95% e popullatës taksat i paguajnë nëpërmjet internetit, pothuajse të gjitha shërbimet e qeverisë janë nëpërmjet internetit (on-line), ndërsa posedon sigurinë kibernetike ndër më të mirat në botë. Në vitin 2000 të drejtën për qasje në internet qeveria e shpalli të drejtë njerëzore. Sipas prestigjiozes “The Economist”, shteti në vitin 2013 e ka mbajtur rekordin botëror për themelimin e bizneseve të reja (startup) për person. Sipas Bankës Botërore, në vitin 2014 në Estoni janë regjistruar më shumë se 14.000 kompani të reja, ndërsa procedura e regjistrimit bëhet nëpërmjet internetit dhe nuk zgjat më shumë se pesë minuta. Industria e teknologjisë së lartë tani përbën rreth 15% të GDP-së.

Së fundmi Estonia ka shkuar edhe një hap më tej – qeveria ka lansuar një program të quajtur e-Residency (shtetësi elektronike), program ky i cili i mundëson secilit, kudo qoftë në botë, të bëhet “nënshtetas elektronik” i Estonisë, duke ua dhënë mundësinë të themelojnë biznese në Estoni pa qenë të pranishëm fizikisht atje. Për të fituar një pasqyrë më të qartë për seriozitetin dhe nivelin e inovacioneve në sferën e teknologjisë, mjafton të përmendim që në Estoni është krijuar aplikacioni Skype, si dhe shumë e shumë inovacione të tjera të njohura në mbarë botën.

Si e arriti Estonia këtë zhvillim teknologjik dhe ekonomik

Që në vitet e para pas pavarësisë qeveria e përbërë nga përfaqësues të rinj në moshë (mosha mesatare 35-vjeçar) i përcaktoi qëllimet strategjike, duke i sjellë tatimet e sheshta, filloi një sërë reformash në treg, duke përfshirë tregtinë e lirë e privatizimin, si dhe duke i eliminuar të gjitha pengesat burokratike për themelimin e bizneseve të reja. Gjithashtu filloi një partneritet të ngushtë me sektorin e biznesit dhe teknologjisë, duke krijuar hapësirë, kushte dhe mbështetje për sipërmarrje.

Rëndësi të posaçme qeveria i kushton edhe sistemit arsimor, sidomos matematikës dhe inxhinierisë. Vlen të përmendet fakti se fëmijëve të moshës shtatëvjeçare u mësohen bazat e kodimit. Si rezultat i kësaj, sot estonezët janë të shtyrë të mendojnë në mënyrë bashkëkohore, inventive, të mendojnë për të ardhmen e biznesit dhe të kenë një karakter të theksuar sipërmarrës. E njëjta vlen edhe për qeverinë. Në kontekst të kësaj, një sipërmarrës shumë i suksesshëm i Estonisë, Taavet Hinrikus, në një intervistë shprehet: “Në vitet e ‘80-ta çdo nxënës i shkollës së mesme dëshironte të bëhej yll roku, sot secili në shkollë të mesme dëshiron të bëhet sipërmarrës.”

T’i kthehemi tani Maqedonisë

Edhe 25 vite pas pavarësimit të saj vështirë se mund të shohim ndonjë përcaktim të shtetit ose qeverisë. Edhe sot e kësaj dite të gjitha qeveritë e deritanishme, kush më pak e kush më shumë, të lënë përshtypje se më me rëndësi janë strategjitë elektorale sesa përcaktimet dhe qëllimet strategjike të shtetit.

Të fillojmë me bujqësinë, për të cilën shteti ndanë subvencione të majme. Në vitin 2008 për subvencione në bujqësi qeveria ndau 45 milionë euro, ndërsa në vitin e kaluar ndau 150 milionë euro. Mirëpo, në këtë situatë kemi një absurd të paparë: subvencionet për bujqësi janë trefishuar, ndërsa për periudhën e njëjtë importi i prodhimeve bujqësore është më i madh se eksporti i tyre! Vlera e importit në vitin 2006 ishte rreth 400 milionë euro, ndërsa në vitin 2013 më shumë se 600 milionë. Pra, këto subvencione nuk po japin rezultate, qoftë kjo si pasojë shpërndarjes së gabuar ose për shkak të përdorimit të subvencioneve për qëllime kryekëput elektorale.

Nga prilli i vitit të kaluar qeveria ka filluar me një projekt të quajtur “Maqedonia punëson”, ku, nëpërmjet masave të ndryshme, parashihej mbështetja e bizneseve të reja dhe atyre ekzistuese nëpërmjet subvencioneve të ndryshme dhe lehtësimeve tatimore, projekt ky i cili do të hapte vende pune për 20.000 persona. Edhe pse mungojnë informacione dhe të dhëna për efektin real të këtij projekti, në shikim të parë, së paku sipas të dhënave të qeverisë, krijohet përshtypja se ky projekt po jep rezultate pozitive. Mirëpo, bazuar në një raport të Bankës Botërore, publikuar rishtas, thuhet se vendet e punës të krijuara nga subvencionet e qeverisë krijojnë probleme serioze në qëndrueshmërinë e Fondit Pensional, i cili i paguan pensionet nga fondet që qeveria ia ndanë nga buxheti, ndërsa – nga ana tjetër – lehtësimet tatimore dhe lirimi i kompanive nga kontributet i zvogëlon të hyrat e shtetit. Në raport gjithashtu thuhet se papunësia në masë të madhe është zvogëluar jo për shkak të masave të qeverisë, por për shkak të emigrimit shumë të madh, sidomos të të rinjve jashtë vendit. Pra, lehtësimet fiskale në këtë rast lëre që nuk ndikojnë pozitivisht, por – përkundrazi – e detyrojnë qeverinë që mungesën e zbrazëtive në buxhet ta kompensojë me huamarrje ose me emetimin e euro-obligacioneve.

Në këtë situatë, kur zhvillimi ekonomik stagnon dhe sektori i privat nuk gjeneron vende të reja pune, pjesa më e madhe e atyre që nuk emigrojnë jashtë shtetit shpëtimin e vetëm e shohin në punësimin në administratë. Sipas hulumtimeve BIRN-it, në tetë vitet e fundit administrata është rritur për 25%, ndërsa numri real i administratës vështirë se mund të dihet. Vlen të potencohet se këto punësime i leverdisin shumë qeverisë, sidomos për qëllime elektorale.

Dhe, në fund, rasti më eklatant sipas meje, i cili tregon se mungojnë përcaktimet strategjike që do gjenerojnë zhvillim dhe mirëqenie, është projekti që nga shumëkush është emëruar si “kiç”, projekti “Shkupi 2014”. Sërish sipas hulumtimeve BIRN-it, vlera e këtij projekti e tejkalon shumën prej 560 milionë euro. Pra, qindra miliona euro në investime joproduktive! Sa për ilustrim, bizneset e reja në Estoni vetëm në vitin 2015 kanë tërhequr 100 milionë dollarë kapital të huaj, kjo si rezultat i masave dhe politikave kreative të qeverisë në mbështetje të biznesit dhe sipërmarrjes.

Krejt në fund – nuk është qëllimi jonë që shtetin e Estonisë ta paraqesim si parajsë mbi tokë, ngase policia, gjykatat dhe administrata ende janë shumë larg vendeve të Evropës Perëndimore, ndërsa papunësia dhe korrupsioni vazhdojnë të jenë probleme serioze, si edhe relacionet gjeopolitike me Rusinë e të tjera. Mirëpo, rasti i Estonisë është një storie suksesi për të gjitha shtetet e ish Bashkimit Sovjetik. Është shembull shumë i mirë se si vendi mund ta ndryshojë infrastrukturën e qeverisë dhe ekonomisë, se si vendi duhet t’i përcaktojë qëllimet strategjike dhe të fokusohet në vazhdimësi në arritjen e tyre, shembull se si ndryshimi i mendësisë fillon me të rinjtë, me një perspektivë dhe pikëpamje të re për problemet me të cilat ballafaqohemi, me sistem arsimor shumë cilësor, i cili do të prodhojë kuadro të cilat do të gjenerojnë ide kreative dhe bashkëkohore në funksion të zhvillimit ekonomik të vendit, me bashkëpunim të ngushtë të qeverisë me sektorin e biznesit, duke ofruar mbështetje aktive dhe duke i larguar të gjitha pengesat për themelimin dhe zhvillimin e bizneseve te reja, duke krijuar një kulturë sipërmarrëse dhe vlera të reja shoqërore e jo një ëndërr për t’u strehuar në administratën e shtetit.

Shekulli Agency