Elita frikacake e Francës, përgjegjëse për ngritjen e Marine Le Pen

111-MarineNga Natalie Nougayrède

Hera e parë që ne vërtet i kushtuam vëmendje Frontit Kombëtar ishte në vitin 1984, kur partia fitoi afërsisht 11 për qind të votave në zgjedhjet e Parlamentit Europian. Kjo simbolizon një anë të errët të politikës dhe historisë franceze. Askush nuk mund të harrojë se rrënjët e saj mund të gjenden në një trashëgimi politike tradicionaliste, autoritariste, ultra-katolike dhe anti-republikane.

Themeluesi i Frontit Nacional (dhe lider i partisë deri në vitin 2011), Jean-Marie Le Pen ishte lejtnant në ushtrinë franceze gjatë luftës algjeriane në vitet 1950 dhe u akuzua si i përfshirë personalisht në torturë. (diçka që ai e mohon). Në vitin 1985, gazeta e përditshme

Libération nxori titull të parë: “Torturuar nga Le Pen”- me dëshmi të viktimave. E gjitha kjo ia vlen të risillet në kujtesë pasi 30 vjet më parë askush nuk do të kishte vënë bast se krijesa e tij, do të shndërrohej në fenomenin mbarëkombëtar që është sot- partia e parë e Francës me shanse të mira për të marrë nën kontroll gjashtë nga 13 rajonet metropolitane të vendit. Por, si arritëm deri këtu?

Ngjarjet aktuale padyshim që kanë luajtur rolin e tyre: kriza e emigrantëve dhe refugjatëve në Europë sikundër trauma e sulmeve terroriste të janarit dhe të nëntorit në Francë, e konsoliduan retorikën e saj antimuslimane dhe atë të obsesionit me sigurinë kombëtare.

Por, është e rëndësishme të mos nënvlerësohen faktorët ekonomikë dhe socialë. Franca është një vend që për tre dekada ka vuajtur nga papunësia masive. Eshtë një vend ku globalizmi perceptohet gjerësisht si një kërcënim ekzistencial për shkak të shoqërizimit me humbjen e vendeve të punës dhe humbjen kombëtare të statusit. Ndikimi i globalizmit shënoi fundin e asaj që demografi francez,  Jean Fourastié e përcakton si “Tridhjetëshja e lavdishme”, vitet 1945-1975 kur Franca u modernizua dhe rriti ndikimin e saj ndërkombëtar. Ka shumë nostalgji të ndrydhur në ngritjen e Frontit Nacional.

Pas tronditjeve të naftës në vitet ’70, papunësia u rrit me shpejtësi. Qeveritë zgjodhën të financonin shtetin social të Francës përmes marrjes borxh, por ajo zgjedhje u bë më e komplikuar pas krizës financiare të vitit 2008.

Që nga vitet ’80, papunësia nuk ka shkuar kurrë më ulët se 8 për qind dhe tashmë qëndron në mbi 10-24 për qind midis atyre të moshës 18 deri në 24 vjeç dhe 46 për qind për të rinjtë pa kualifikim të lartë. Ia vlen ta kujtojmë kur marrim në konsideratë apelin që Fronti Nacional ka mes votuesve të rinj.

Fakti është se Franca ka dështuar të përshtatet me sfidat e globalizmit. Sistemi i saj arsimor, për shembull, ka ngecur. Studimet tregojnë se sistemi i liceut rrit pabarazinë sociale në vend që ta reduktojë, që do të thotë se edhe më tej po dështon në misionin e vet republikan për të vepruar si shkallë sociale.

Fronti Nacional është në gjendje të kapitalizojë çdo gjë që mund të mendohet: gjërat që asnjë nga partitë kryesore ka qenë e aftë t’i adresojë nga sëmundjet e shumta sociale dhe ekonomike. Dhe ajo që i sjell një avantazh të madh Frontit është se nuk ka qeverisur kurrë. Kështu për shumë votues Fronti Nacional është bërë tashmë alternativa për ato që elitat politike nuk i kanë ofruar kurrë.

Një tjetër tërheqje kyçe e lëvizjes vjen nga liderja e saj aktuale, Marine Le Pen e cila ka pastruar imazhin e partisë. Ajo ka për qëllim të fitojë pushtetin një ditë – diçka që shumë vëzhgues besojnë se babai i saj nuk e kishte parafytyruar kurrë vërtet. (thuhet se ai harlisej nga të qënit një figurë margjinale, amatori i përjetshëm). Ajo është ndryshe: në moshën 47-vjeçare, ajo ka një strategji metodologjike për të arritur objektivin. Ajo po targeton skalionet më të larta të pushtetit përmes bazave lokale dhe rajonale. Zgjedhjet e së dielës në të cilat Fronti Nacional mori një rekord prej 6 milionë votash, mund të interpretohen vetëm si një përligje e qartë e zgjedhjes së saj strategjike.

Kjo nuk është një arritje e vogël, pasi ajo e ka distancuar partinë e saj nga historia e gjatë e Francës në lëvizjet e djathta ekstremiste; një fije që lidh ultranacionalizimin e Charles Maurras të shekullit të 19, reaksionarët e viteve 1930, kolaboracionistët nazistë të Vishisë, dhe urrejtjen e ushqyer nga lufta algjeriane për Pavarësi. Në sipërfaqe, Le Pen e ka zhvendosur lëvizjen nga narrative e saj e vjetër, e mbështetur fort në ndjesitë anti-arabe e anti-islamike drejt një mbrojtjeje më të hijshme të laicitetit, markës sekulariste të Francës. Ndërsa dolën rezultatet  e para të zgjedhjeve, ajo nuk përmendi aspak emigracionin, por preferoi të deklarohej për “kthimin e Republikës” dhe “territoreve të saj të humbura”. Mesazhi i intolerancës është bërë pak a shumë subkoshient.

A mund të shkojë partia e saj deri në presidencën franceze në vitin 2017? Sistemi i votimit të shumicave në dy raunde e bën këtë shumë të vështirë. Por, fakti që një pyetje e tillë është legjitime të shtrohet, përbën në të vërtetë një traumë për të gjithë ata që u dhimbset demokracia.

Mbi të gjitha, ngritja e Frontit Nacional është një testament i burracakërisë së elitës drejtuese franceze që për dekada tashmë, ka qenë e paaftë të reformojë modelin kombëtar në mënyrë që ai të përballojë më mirë sulmin e transformimeve globale.

Marine Le Pen nuk ka zgjidhje për problemet e Francës, programi i saj ekonomik është i gjithë për mbyllje ndaj botës së jashtme dhe Europës. Vizioni i saj social është i një France mitike homogjene që nuk ka ekzistuar kurrë. Çka përpiqet të shesë është një iluzion. E është kështu vetëm sepse ka kaq pak oferta për njerëzit.

Përktheu: Juli Prifti

Shekulli Agency